Sovran

Dëgjo Mësimin

Gjoni 11:1-44
Mësimi

Vdekja e Lazarit

1 Në atë kohë dergjej i sëmurë Lazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i motrës së saj, Martës. 

2 Maria, motra e Lazarit të sëmurë, ishte ajo që leu Zotin me mirrë e ia fshiu këmbët me flokët e saj. 

3 Atëherë motrat i çuan fjalë Jezuit: «Zot, miku yt i dashur është sëmurë». 

4 Kur e dëgjoi këtë, Jezui tha: «Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdinë e Perëndisë dhe që të përlëvdohet nëpërmjet saj Biri i Perëndisë».

5 Jezui i donte shumë Martën, motrën e saj Marinë e Lazarin. 

6 Kur dëgjoi se Lazari ishte sëmurë, qëndroi edhe dy ditë atje ku ishte 

7 e pastaj u tha dishepujve: «Le të kthehemi përsëri në Jude!». 

8 Dishepujt i thanë: «Mësues, pak më parë judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë e ti do që të shkosh përsëri atje?». 

9 Jezui u përgjigj: «A nuk ka dita dymbëdhjetë orë? Nëse dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote. 

10 Por nëse dikush ecën natën, pengohet, se në të nuk ka dritë». 

11 Pasi u tha këto, shtoi: «Lazari, miku ynë, ka fjetur, por po shkoj ta zgjoj». 

12 Dishepujt i thanë: «Zot, nëse ka fjetur do të shpëtojë». 

13 Por Jezui u kishte folur për vdekjen e Lazarit, ndërsa ata pandehën se ai u kishte folur për gjumin e zakonshëm. 

14 Atëherë Jezui u tha hapur: «Lazari ka vdekur. 

15 Gëzohem që nuk ndodhesha atje, në mënyrë që ju të besoni. Le të shkojmë tek ai!». 

16 Thomai, i quajtur Binjak, u tha dishepujve të tjerë: «Të shkojmë edhe ne të vdesim me të!».

Ngjallja dhe jeta

17 Kur erdhi Jezui, Lazari kishte katër ditë në varr. 

18 Betania ndodhej rreth tri kilometra larg Jerusalemit 

19 dhe shumë judenj kishin shkuar te Marta e Maria, që t'i ngushëllonin për vdekjen e vëllait. 

20 Kur dëgjoi se po vinte Jezui, Marta shkoi për ta takuar, ndërsa Maria qëndroi në shtëpi. 

21 Atëherë Marta i tha Jezuit: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur. 

22 Por e di se, edhe tani, Perëndia do të të japë gjithçka që do t'i kërkosh». 

23 Jezui i tha: «Yt vëlla do të ngjallet». 

24 Marta i tha: «E di se do të ngjallet në ngjallje në ditën e fundit». 

25 Jezui i tha: «Unë jam ngjallja dhe jeta. Kush beson në mua do të jetojë, edhe nëse vdes. 

26 Kushdo që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. A e beson këtë?». 

27 Ajo i tha: «Po, Zot. Unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që vjen në botë».

Jezui qan

28 Pasi tha këto, ajo shkoi, thirri mënjanë Marinë, motrën e saj, e i tha: «Mësuesi është këtu e të kërkon». 

29 Maria, sapo e dëgjoi, u ngrit me nxitim e shkoi tek ai, 

30 sepse Jezui nuk kishte arritur ende në fshat, por po rrinte atje ku e kishte takuar Marta. 

31 Judenjtë që ishin me Marinë në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se ajo u ngrit me nxitim e doli, i shkuan pas duke menduar se po shkonte te varri për të qarë atje.

32 Maria shkoi atje ku ishte Jezui dhe kur e pa, i ra ndër këmbë e i tha: «Zot, po të kishe qenë këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur».

33 Jezui, kur e pa se ajo dhe judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u prek në shpirt, u turbullua 

34 e tha: «Ku e keni vënë?». Ata i thanë: «Zot, eja e shih!». 

35 Jezui u përlot. 

36 Atëherë judenjtë thanë: «Shih sa e donte!». 

37 Por disa nga ata thoshin: «Ky që i hapi sytë të verbrit, a nuk mund të bënte që edhe Lazari të mos vdiste?».

Ngjallja e Lazarit

38 Jezui u prek përsëri në shpirt e shkoi te varri që ishte një shpellë me një gur në hyrje. 

39 Jezui tha: «Hiqeni gurin!». Marta, motra e të vdekurit, i tha: «Zot, ai qelbet tashmë, se ka katër ditë në varr». 

40 Jezui i tha: «A nuk të thashë se po të besosh do të shohësh lavdinë e Perëndisë?».

41 Atëherë ata ngritën gurin, ndërsa Jezui ngriti sytë lart e tha: «Të falënderoj, o Atë, që më dëgjove. 

42 Unë e dija se ti gjithmonë më dëgjon, por e thashë për turmën përreth, që të besojnë se ti më dërgove». 

43 Pasi tha këto, thirri me zë të lartë: «Lazar, dil jashtë!». 

44 I vdekuri doli me këmbë e duar të lidhura me rripa pëlhure, ndërsa fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë. Jezui u tha: «Zgjidheni e lëreni të shkojë!».

 

Jezusi e nisi shërbesën e Tij publike duke shpallur misionin dhe qëllimin e Tij. Ai po merrte pjesë në shërbesën e Shabatit në sinagogën e qytetit të Tij, në Nazaret, dhe kur u ngrit për të lexuar, ndihmësi i sinagogës i dha pergamenën e profetit Isaia. Duke hapur pergamenën, Jezusi lexoi këto fjalë:

“Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillëzuar të varfrit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të dërguar në liri të shtypurit, dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit.” (Luka 4:18-19)

Këto ishin fjalë të njohura për audiencën. Ato ishin lexuar në shërbesat e adhurimit për më shumë se shtatëqind vjet. Por populli i Perëndisë ishte akoma duke pritur shpresën, që ato fjalë premtonin.

NJË LAJMËRIM DRAMATIK
Kur Jezusi mbaroi së lexuari, Ai mblodhi pergamenën, ia dha përsëri shërbëtorit dhe u ul, siç bënin rabinët kur jepnin mësim. Njerëzit ishin mësuar me rutinën e leximit dhe predikimit, por askush nuk ishte i përgatitur për njoftimin dramatik të Jezusit: “Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaj” (Luka 4:21).

Të tjerët kishin shpjeguar se çfarë do të bënte Mesia. Jezusi shpalli lajmin se Mesia kishte ardhur.

MISIONI I JEZUSIT
Jezusi e shpalli veten çliruesi i premtuar. Përmes shërbesës së Tij unike të burgosurit do të liroheshin, sytë e të verbërve do të hapeshin, dhe të shtypurit do të gjenin lirinë.

Kur Jezusi tha se kishte ardhur për të shpallur vitin e pranueshëm të Zotit, Ai po i referohej një viti kremtimi që Perëndia e kishte caktuar në Dhiatën e Vjetër, të quajtur Jubile (Levitiku 25).

Plani i Perëndisë ishte që çdo pesëdhjetë vjet të faleshin borxhet e pashlyera, të liroheshin skllevërit, dhe toka që ishte shitur në kohë vështirësish t’u kthehej pronarëve të parë. Jubileu ofronte një fillim të ri për të gjithë popullin e Perëndisë, ndërkohë që borxhet e vjetra faleshin dhe trashëgimitë e humbura u ktheheshin sërish pronarëve të tyre.

Ligjet e Jubileut ishin një bekim i mrekullueshëm për të varfrit, por një detyrim i kushtueshëm për të pasurit. Kjo është arsyeja pse Jubileu nuk u zbatua kurrë në të gjithë historinë e Dhiatës së Vjetër. Ata që kishin pushtetin për ta shpallur Jubileun, nuk patën kurrë vullnetin për ta bërë këtë. Thjesht ishte shumë e kushtueshme për ta.

Jezusi erdhi të shpallë Jubileun e Perëndisë dhe ky është lajm i mirë për të varfrit. Krishti është i gatshëm të falë borxhet tona të vjetra ndaj Perëndisë dhe të na rikthejë trashëgiminë tonë të humbur. Ai është në gjendje të lirojë ata që janë burgosur nga mëkati dhe janë të shtypur nga Satani. Bekimi që Perëndia kishte premtuar për të gjithë popujt, dhe që do të vinte nëpërmjet një pasardhësi të Abrahamit dhe Davidit, ka ardhur në Jezu Krishtin.

SHËRIMI I TË SËMURËVE
Gjatë tre viteve në vazhdim Jezusi dha dëshmi mahnitëse të aftësisë së Tij për t’i përmbushur ato premtime të jashtëzakonshme. Një i verbër rifitoi shikimin (Gjoni 9), një i shurdhër mori dhuratën e dëgjimit (Marku 7), dhe një i paralizuar prej tridhjetë e tetë vitesh nisi të ecë (Gjoni 5). Në të gjitha këto mrekulli Jezusi u motivua nga dhembshuria. Ai hyri në vuajtjet e jetëve të thyera duke sjellë shërim dhe shpresë.

Jezusi madje shëroi edhe njerëz që vuanin nga lebra. Lebrosët ishin të dëbuar nga shoqëria. Shumica e njerëzve kishin frikë nga infektimi me këtë sëmundje vdekjeprurëse dhe nuk u afroheshin atyre. Por kur një lebros erdhi te Jezusi duke i kërkuar që ta shëronte, Jezusi e preku dhe e shëroi (Mateu 8).

SHMANGIA E KATASTROFAVE
Mrekullitë e Jezusit demonstruan autoritetin e Tij mbi të gjitha zonat e errësirës, që sjellin mjerim në jetën njerëzore. Në një rast, dishepujt e Jezusit u gjendën në mes të një stuhie që shpërtheu gjatë vozitjes për në bregun tjetër të liqenit. Jezusi e qortoi erën dhe liqeni u bë tërësisht i qetë. Dishepujt u shtangën. “Vallë, kush është ky?”, pyetën ata. “I binden edhe era, edhe deti!” (Marku 4:41).

ÇLIRIMI I TË SHTYPURVE
Jezusi çliroi gjithashtu edhe njerëz nga shtypja djallëzore. Kur Ai erdhi në krahinën e gadarenasve, një i demonizuar rendi drejt tij. Demonët kishin bërë shtëpinë e tyre brenda këtij njeriu duke u sjellë shkatërrim të tmerrshëm atij dhe të gjithë atyre përreth tij. Ai jetonte në varreza dhe e rrihte veten me gurë. Askush nuk mund ta kontrollonte, dhe ai përbënte një kërcënim të dhunshëm për komunitetin aty afër.

Kur Jezusi e pa, Ai i urdhëroi frymërat e liga të dilnin prej tij. Me urdhrin e Jezusit demonët u larguan. Kur vendasit erdhën për të parë se çfarë kishte ndodhur, e gjetën burrin të ulur, të veshur dhe me mendje të shëndoshë (Marku 5).

RINGJALLJA E TË VDEKURVE
Autoriteti i Jezusit shtrihej përtej sëmundjes, natyrës dhe demonëve. Ai madje kontrolloi edhe mbretërinë e vdekjes. Në tre raste Ai i ktheu të vdekurit sërish në jetë. Apostulli Gjon regjistron historinë se si vdiq Llazari, një mik i Jezusit. Pas katër ditësh në varr, Jezusi e ringjalli prej së vdekurish. Jezusi qëndroi pranë varrit dhe i thirri Llazarit që të dilte jashtë. Dhe ai doli–duke ecur i mbështjellë me rrobat e varrimit (Gjoni 11).

Pamja nga mali i dytë
Mrekullitë e Jezusit ishin më shumë se ndërhyrje dramatike. Ato ishin shenja që zbulonin autoritetin e Tij dhe vërtetonin identitetin e Tij. Kur Gjon Pagëzori pyeti nëse Jezusi ishte me të vërtetë Mesia, Jezusi tha: “Të verbërit po shohin dhe të çalët po ecin, lebrosët janë pastruar dhe të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen dhe ungjilli po u shpallet të varfërve” (Mateu 11:5).

Mrekullitë e Jezusit ishin si vetëtimat në një qiell të errët. Jezusi ka autoritet mbi sëmundjet, fatkeqësitë, demonët dhe vdekjen. Ai kujdeset për të varfrit dhe ka ardhur të sjellë bekimin e premtuar të Perëndisë, në të cilin do të shlyhen borxhet tona të vjetra dhe do të na rikthehet trashëgimia jonë e humbur.

Mrekullitë japin një mostër të bekimit, që Perëndia ka ruajtur për të gjithë njerëzit e Tij. Por ato janë thjesht një mostër. Jezusi nuk e zhduku përgjithmonë verbërinë ose lebrën. Spitali i qytetit të Jerusalemit nuk u mbyll. Varrmihësit nuk dolën nga biznesi. Për ta zbuluar arsyen duhet të udhëtojmë përmes luginës tjetër.

Pyetje Diskutimi

Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më tej me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore si një pyetje personale reflektimi.

Jeremia 23:29

A nuk është fjala ime si zjarri, kumton Zoti , e si çekani që thërrmon shkëmbin?

Psalmi 19:8

I përsosur është ligji i Zotit, shpirtin përtërin, e vërtetë dëshmia e Zotit, të thjeshtit i jep urti.

Shpirti i Zotit , Zotit tim, është mbi mua, se vetë Zoti më ka vajosur, më ka dërguar t'u shpall lajmin e mirë të vobektëve, t'u lidh plagët zemërthyerve, t'u shpall çlirimin të robëruarve, të burgosurve, daljen nga burgu.

Isaia 61:1

Të verbrit po shohin përsëri e të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen e të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet ungjilli.

Mateu 11:5

Atëherë u përgjigj: «Shkoni e i tregoni Gjonit për ato që patë e dëgjuat. Të verbrit po shohin përsëri e të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen e të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet ungjilli.

Luka 7:22