Restaurimi

Dëgjo Mësimin

Ezra 7:1-28
Mësimi

Udhëtimi i Ezrës

1 Pas këtyre ngjarjeve, gjatë sundimit të Artakserksit, mbretit të Persisë, Ezra, biri i Serajahut, të birit të Azarjahut, të birit të Hilkiahut, 

2 të birit të Shalumit, të birit të Cadokut, të birit të Ahitubit, 

3 të birit të Amarjahut, të birit të Azarjahut, të birit të Merajotit, 

4 të birit të Zerahjahut, të birit të Uziut, të birit të Bukiut, 

5 të birit të Abishuait, të birit të Finehasit, të birit të Eleazarit, të birit të Aronit, kryepriftit, 

6 pra, vetë Ezra u kthye prej Babilonisë. Ai ishte shkrues i aftë i ligjit të Moisiut, dhënë nga Zoti, Perëndia i Izraelit. Mbreti ia plotësoi të gjitha kërkesat Ezrës, sepse dora e Zotit, Perëndisë së tij, ishte me të. 

7 Në vitin e shtatë të mbretërimit të Artakserksit erdhën në Jerusalem disa izraelitë, priftërinj, levitë, këngëtarë, derëtarë e shërbëtorë të tempullit. 

8 Ezra mbërriti në Jerusalem në muajin e pestë të vitit të shtatë të mbretërimit të tij. 

9 Ai u nis nga Babilonia në ditën e parë të muajit të parë dhe mbërriti në Jerusalem në ditën e parë të muajit të pestë, sepse mbi të ishte dora mirëbërëse e Perëndisë. 

10 Ezra ishte dhënë me gjithë zemër pas shqyrtimit të ligjit të Zotit, për ta zbatuar e për t'u mësuar izraelitëve rregullat dhe vendimet e tij.

Urdhëresa e Artakserksit

11 Kjo është letra e shkruar që mbreti Artakserks i dha priftit Ezra, shkruesit, që i njihte mirë urdhërimet dhe rregullat e Zotit për Izraelin: 

12 «Artakserksi, mbreti i mbretërve, priftit Ezra, shkruesit të ligjit të Perëndisë së qiellit, shëndet e paqe! 

13 Kam nxjerrë një urdhëresë sipas së cilës, kushdo nga populli i Izraelit, nga priftërinjtë e nga levitët, që jeton në mbretërinë time e që dëshiron të shkojë në Jerusalem, të vijë me ty. 

14 Për më tepër, ty po të dërgon vetë mbreti dhe shtatë këshilltarët e tij, për të mbikëqyrur Judën dhe Jerusalemin sipas ligjit, të Perëndisë tënd, që e ke marrë me vete, 

15 dhe për të çuar në Jerusalem argjendin e arin që mbreti dhe këshilltarët e tij i kanë dhuruar Perëndisë së Izraelit, që e ka banesën atje, 

16 si edhe tërë argjendin e arin që mund të mbledhësh në krahinën e Babilonisë, bashkë me dhuratat vullnetare të popullit e të priftërinjve për tempullin e Perëndisë në Jerusalem. 

17 Me këto para do të kujdesesh të blesh dema, desh, qengja, fli kushtimi e stërpikjeje, që t'i kushtosh mbi altarin e tempullit të Perëndisë në Jerusalem. 

18 Sa për pjesën tjetër të argjendit e të arit që do të teprojë, përdore si të të duket mirë ty dhe vëllezërve të tu, sipas vullnetit të Perëndisë tënd. 

19 Enët që t'u dhanë për shërbesën në tempullin e Perëndisë tënd, paraqiti para Perëndisë së Jerusalemit. 

20 Për çdo nevojë tjetër të tempullit të Perëndisë tënd, për të cilën do të të takojë ty të blesh, do të marrësh prej thesarit mbretëror.

21 Unë, mbreti Artakserks, kam nxjerrë këtë urdhëresë për të gjithë thesarmbajtësit e krahinës përtej lumit: çfarëdo që të kërkojë prifti Ezra, shkruesi i ligjit të Perëndisë së qiellit, t'i jepet pa vonesë! 

22 T'i jepen deri në tre mijë kilogramë argjend, tridhjetë mijë kilogramë grurë, katër mijë litra verë, katër mijë litra vaj, si dhe kripë në sasi të pakufizuar. 

23 Çfarëdo që të ketë urdhëruar Perëndia i qiellit të zbatohet me përpikëri për tempullin e Perëndisë së qiellit, që zemërimi i tij të mos bjerë mbi mbretërinë, mbi mbretin e mbi bijtë e tij. 24 Ju bëjmë po ashtu me dije se nuk keni të drejtë t'i kërkoni tatime, tagra e detyrime priftërinjve, levitëve, këngëtarëve, derëtarëve, të përkushtuarve dhe shërbëtorëve të tempullit të Perëndisë. 

25 Sa për ty, Ezra, sipas urtisë që ke prej Perëndisë tënd, ngarkohesh me caktimin e zyrtarëve dhe të gjyqtarëve që do të udhëheqin popullin e krahinës përtej lumit, domethënë të gjithë ata që njohin ligjet e Perëndisë tënd. Atyre që nuk i njohin, mësojua. 

26 Kush nuk e zbaton ligjin e Perëndisë tënd dhe urdhëresën e mbretit, të dënohet menjëherë, me vdekje, me dëbim, me marrje të pasurisë ose me burgim».

27 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i etërve tanë, që e frymëzoi kështu zemrën e mbretit, për t'i dhënë hijeshi tempullit të Zotit në Jerusalem. 

28 Ai më bëri të gjej mirësi para mbretit, para këshilltarëve të tij dhe para gjithë zyrtarëve të fuqishëm të mbretit. E kështu mora forcë prej dorës së Perëndisë, që është mbi mua, dhe mblodha krerët e Izraelit, që të vinin me mua.



Populli i Perëndisë ishte zemërthyer. Shtëpitë u ishin shkatërruar dhe ata vetë u dëbuan në një humbëtirë të Babilonisë, të quajtur Lumi Kebar.

Populli i Perëndisë u ul pranë lumenjve të Babilonisë dhe vajtoi. Kombi i tyre madhështor ishte shndërruar në një komunitet të vogël të mbijetuarish, dhe Kanaani ishte kthyer në një shkreti pa jetë. Teksa mendonin për qytetin e shkatërruar të Jerusalemit, ata pyetën: “Si mund të këndonim këngët e ZOTIT në një vend të huaj?” (Psalmi 137:4).

SHPRESË NË LUGINË
Perëndia i foli popullit të Tij të dekurajuar nëpërmjet profetit Ezekiel. Atij iu dha një vegim, ku pa një platformë fluturuese, që mbartte fronin e Perëndisë. Ajo qëndronte pezull mbi tempullin në Jerusalem, por më pas u zhvendos në lindje. Domethënia ishte e qartë. Perëndia e kishte braktisur Jerusalemin, por jo popullin e Tij dhe as premtimet e Tij. Plani i Perëndisë për të bekuar botën tani përqendrohej te ky grup të mërguarish, që jetonin një mijë e njëqind kilometra në lindje të Jerusalemit. Pavarësisht se ishin në një humbëtirë këta njerëz ishin në qendër të vullnetit të Perëndisë.

Më vonë, në një vegim tjetër, Ezekieli pa një luginë me kocka të thata. Ishte një pamje shkretimi dhe vdekjeje, që nuk tregonte shpresë. Por ndërsa shikonte, Ezekieli pa që kockat u bashkuan, u mbuluan me mish, muskuj dhe lëkurë, e më pas u ngritën në jetë si një ushtri e madhe. Ishte një pamje e asaj që Perëndia do të bënte për popullin e Tij. Ai do të sillte jetë të re nga shkatërrimi.

JOSHJA E ËMBËL E SUKSESIT
Disa nga njerëzit e Perëndisë qenë të suksesshëm në Babiloni. Mbreti Nebukadnetsar e vendosi Danielin dhe të rinj të tjerë shumë të talentuar në një rrugëtim të shpejtë arsimor, që i përgatiti ata për karriera të shkëlqyera. Këtyre studentëve të rinj mbreti u dha emra babilonas, bëri që ata të arsimoheshin në letërsinë babilonase, dhe u dha mundësinë të shijonin jetën e mirë duke u ofruar të njëjtin ushqim, që shërbehej në tryezën e tij.

Para një mijë vitesh, faraoni e përndoqi popullin e Perëndisë dhe i bëri skllevër. Nebukadnetsari ndoqi një plan tjetër. Në vend të përndjekjes ai u ofroi begati. Qëllimi i tij ishte ta joshte popullin e Perëndisë me mundësitë e jetës në Babiloni, derisa ata të kapeshin aq shumë pas ndjekjes së suksesit, sa ta harronin thirrjen e tyre, që i dallonte si populli i Perëndisë.

Kjo funksionoi me disa nga njerëzit e Perëndisë, por të tjerë, si Danieli, ishin të vendosur që sado të suksesshëm të bëheshin, ata kurrë nuk do të harronin se i përkisnin Zotit dhe se thirrja e tyre më e lartë ishte që ta nderonin Atë.

KRIJIMI I NJË KOMUNITETI TË RI
Shtatëdhjetë vjet pasi populli i Perëndisë qe çuar në mërgim, Babilonia ra përpara perandorisë në ngritje të medëve dhe të persëve. Kiri, mbreti i ri, nxori një dekret që të gjithë judenjtë në mërgim kishin lirinë të ktheheshin në Jerusalem.

Një grup prej rreth pesëdhjetë mijë njerëzish u bashkua me vizionin e krijimit të një komuniteti të ri në qytetin e Perëndisë dhe u kthye nën udhëheqjen e Zorobabelit (Ezdra 2:64-67). Pasi rindërtuan shtëpitë e tyre, ata ngritën një altar dhe nisën të ofronin flijime, ashtu si Perëndia e kishte urdhëruar Moisiun. Më pas rindërtuan tempullin. Kjo ishte një arritje e mrekullueshme, që shënoi një fillim të ri për popullin e Perëndisë.

Pamja nga mali i pestë
Populli i Perëndisë ishte plot me entuziazëm, por ata nuk e kuptonin Ligjin e Perëndisë. Kur prifti Ezdra i vizitoi, ai u trondit nga gjendja frymërore e popullit, dhe iu fut punës për t’i dhënë formë komunitetit duke u mësuar Fjalën e Perëndisë (Ezdra 7:6).

Pak kohë më vonë, Perëndia ngriti një udhëheqës tjetër të quajtur Nehemia. Ai pa që, megjithëse tempulli kishte përfunduar, askush nuk ishte marrë me muret. Qyteti i madh i Perëndisë ishte pa mbrojtje dhe me fare pak infrastrukturë. Perëndia i vendosi në zemër Nehemias që të bënte diçka në lidhje me këtë situatë (Nehemia 2:1-18).

Kur muret u rindërtuan, njerëzit u mblodhën në sheshin kryesor për të adhuruar Perëndinë. Ata i kërkuan Ezdrës të nxirrte Librin e Ligjit. Ezdra duhet të ketë ndier një gëzim të madh, teksa i mësonte Fjalën e Perëndisë këtij komuniteti njerëzish, të cilët po i përkushtoheshin një jete të re me besim dhe bindje.

Jerusalemi u mbush me tingujt e muzikës dhe këngës. Populli i Perëndisë ishte kthyer në qytetin e Perëndisë dhe po ngazëllonte, sepse Perëndia u kishte dhënë gëzim të madh (Nehemia 12:43).

DIÇKA MUNGONTE
Por diçka mungonte. Për këdo që kishte parë madhështinë e tempullit të Salomonit, tempulli i ri ishte një zhgënjim i madh. Kur u hodhën themelet, të rinjtë brohorisnin, por të moshuarit që mbanin mend tempullin e vjetër, qanin (Ezdra 3:12-13). Ndërtesa e re dukej si një hije e dobët e tempullit të madh që dikur kishte tërhequr vëmendjen e botës.

Ata pak të mërguar që ishin kthyer, thjesht nuk kishin mjaft burime për një ndërtesë në lartësinë e tempullit të Salomonit. Ndaj dhe Perëndia dërgoi profetët Hagai dhe Zakaria, për t’i thënë popullit që të mos “përbuznin ditën e gjërave të vogla” (Zakaria 4:10; shih gjithashtu Hagai 2:3).

Por kishte një problem edhe më të madh. Dikur Vendi Shumë i Shenjtë strehonte arkën e besëlidhjes ku prania e Perëndisë kishte qëndruar. Arka ishte vendtakimi i Perëndisë me njeriun. Por arka humbi dhe nuk u gjet më. Pra, Vendi Shumë i Shenjtë, që dikur mbante simbolin e pranisë së Perëndisë, u kthye në një dhomë krejt të zbrazët.

Kur tempulli i Salomonit u kushtua gati pesëqind vite më parë, reja e pranisë së dukshme të Perëndisë mbushi ndërtesën. Por kjo nuk ndodhi kurrë në tempullin e dytë. Populli i Perëndisë këndoi këngë lavdërimi. Ata ofruan lutje, dhurata, dhe flijime, por mbetën të etur për praninë e Perëndisë dhe përmbushjen e premtimeve të Tij.

Kjo gjë vazhdoi përgjatë një lugine tjetër të gjatë dhe të errët. Perëndia qëndroi i heshtur për katërqind vjet. Pastaj, një ditë, Ai i foli një prifti të moshuar të quajtur Zakaria, ndërsa ai po kryente shërbimin e tij në tempull. Ai do të bëhej me djalë dhe do ta quante Gjon. Detyra e rëndësishme e Gjonit do të ishte ta përgatiste popullin e Perëndisë për ardhjen e Zotit. Më në fund kishte ardhur koha. Perëndia po përmbushte premtimet që i kishte bërë Abrahamit dhe Davidit në mënyrën më të jashtëzakonshme.

 

Pyetje Diskutimi

Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më tej me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore si një pyetje personale reflektimi.

Jeremia 23:29

A nuk është fjala ime si zjarri, kumton Zoti , e si çekani që thërrmon shkëmbin?

Psalmi 19:8

I përsosur është ligji i Zotit, shpirtin përtërin, e vërtetë dëshmia e Zotit, të thjeshtit i jep urti.

Unë i njoh shestimet e mia për ju, kumton Zoti. Janë shestime paqeje e jo zezone, për t'ju dhënë të ardhme e shpresë.

Jeremia 29:11

Kështu u thotë Zoti im, Zoti, këtyre eshtrave: ja, unë do të shtie shpirtin në ju e ju do të ngjalleni.

Ezekieli 37:5

Lavdia e kësaj shtëpie do të jetë edhe më e lavdishme se ajo e së mëparshmes, thotë Zoti i ushtrive. Në këtë vend do të vendos paqe, kumton Zoti i ushtrive”».

Hagai 2:9