Pritja

Dëgjo Mësimin

Veprat 1:12-26
Mësimi

Zëvendësuesi i Judës

12 Pastaj apostujt u kthyen në Jerusalem nga mali që quhet i Ullinjve që është afër Jerusalemit rreth një kilometër. 

13 Kur hynë në qytet, shkuan te dhoma e sipërme e shtëpisë ku rrinin. Ata ishin Pjetri e Gjoni, Jakobi e Andrea, Filipi e Thomai, Bartolomeu e Mateu, Jakobi i Alfeut, Simon Zelltari e Juda i Jakobit. 

14 Këta të gjithë i ishin përkushtuar me një mendje të vetme lutjes, së bashku me disa gra, me Marinë, nënën e Jezuit, e me vëllezërit e tij.

15 Në ato ditë, në të njëjtin vend ku ishin mbledhur rreth njëqind e njëzet veta, u ngrit Pjetri mes vëllezërve e tha: 

16 «Vëllezër, duhej të përmbushej Shkrimi që Shpirti i shenjtë e paratha nëpërmjet Davidit për Judën, i cili u bë udhëheqësi i atyre që kapën Jezuin. 

17 Juda ishte njëri prej nesh dhe kishte marrë pjesë në shërbesën tonë. 

18 Ai bleu një arë me shpërblimin e mbrapshtisë së vet. Aty u përplas me kokë poshtë, iu ça barku e iu derdhën të gjitha zorrët. 

19 Të gjithë banorët e Jerusalemit e morën vesh këtë gjë, prandaj ara u quajt në gjuhën e tyre “Hakeldama” që do të thotë “Ara e Gjakut”.

20 Dhe ja se çfarë shkruhet në librin e Psalmeve:

u shkretoftë shtëpia e tij

e mos banoftë askush në të!

dhe

tjetërkush ia zëntë vendin!

21 Prandaj, njëri nga burrat që ka qenë me ne gjatë gjithë kohës kur Zoti Jezu shkonte bashkë me ne nga një vend në tjetrin, 

22 duke filluar që nga pagëzimi i Gjonit, deri ditën kur Jezui u largua prej nesh e u ngrit në qiell, duhet të bëhet dëshmitar i ngjalljes së tij bashkë me ne».

23 Atëherë paraqitën dy veta: Jozefin, që quhej Barsabë e që thirrej Just, dhe Matinë. 

24 Pastaj u lutën kështu: «Zot, ti i njeh zemrat e të gjithëve. Na trego cilin prej këtyre të dyve ke zgjedhur 

25 për të zënë vendin e Judës në këtë shërbesë e për t'u bërë apostull, sepse Juda e la këtë shërbesë e shkoi udhës së vet». 

26 Pastaj hodhën short e shorti i ra Matisë, i cili u bashkua me të njëmbëdhjetë apostujt e tjerë.



Dishepujt u kthyen në Jerusalem duke reflektuar për gjithçka kishin përjetuar dhe duke pritur gjithçka që do të ndodhte. Jezusi u kishte thënë që të prisnin në Jerusalem derisa të merrnin dhuratën e premtuar të Frymës së Shenjtë. “Sepse Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh” (Veprat 1:5).

Fjala pagëzoj, fjalë për fjalë, do të thotë “të zhytesh” ose “të lagesh plotësisht”. Në kishën e hershme besimtarët pagëzoheshin në lumenj. Ata zhyteshin nën ujë, ose u derdhej ujë mbi kryet e tyre.

Jezusi tha se pagëzimi duhej të bëhej “në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë” (Mateu 28:19). Pagëzimi është një tablo e jetës së krishterë, e cila ka të bëjë me të qenët “i lagur” në Atin, “i zhytur” në Birin dhe “i kredhur” në Frymën.

Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë përshkojnë çdo pjesë të jetës së një besimtari. Nuk mund ta ndash njërin nga tjetri. Fryma të tërheq te Biri. Biri të sjell tek Ati. Ati dhe Biri e derdhin Frymën në zemrën tënde. Askush nuk mund ta njohë Atin pa njohur Birin, dhe askush nuk mund të vijë te Biri, përveçse me anë të Frymës.

TË REAGOSH NDAJ NJË MISTERI
Bibla e bën të qartë se ekziston një Perëndi, dhe se Ai është Atë, Bir dhe Frymë e Shenjtë. Nuk mund ta kuptojmë dot natyrën e Perëndisë dhe kjo nuk është çudi. Them se peshqit kanë një kuptim shumë të kufizuar të natyrës njerëzore, dhe në të njëjtën mënyrë është përtej kufijve të zgjuarsisë njerëzore që ne të kuptojmë plotësisht natyrën e Perëndisë.

Natyra e Perëndisë mund të jetë mister, por jo kontradiktë. Kontradiktë do të ishte nëse të krishterët do të besonin se ekziston një Perëndi dhe se ekzistojnë tre Perëndi. Por të thuash se ka një Perëndi, i cili ekziston në tre persona, nuk është kontradiktë; por mister.

Reagimi i duhur ndaj këtij misteri është ta lësh atë të të çojë në adhurim. Kurrë s’do të jesh në gjendje të kuptosh misterin e natyrës së Perëndisë, ama mund të soditësh me mahnitje shkëlqimin e padepërtueshëm të Perëndisë së vetëm dhe të përjetshëm, i cili është Atë, Bir dhe Frymë e Shenjtë.

SHËRBESA E FRYMËS
Jezusi u tha dishepujve të Tij se, pasi Ai të ngrihej në qiell, prania e Tij do të ishte me ta me anë të Frymës së Shenjtë. Situata e re solli një përparësi të mrekullueshme: prania e Jezusit tani do të ishte me secilin nga dishepujt e Tij në çdo kohë dhe vend. Kësaj po i referohej Jezusi kur tha: “Megjithatë unë ju them të vërtetën: Është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t’jua dërgoj” (Gjoni 16:7).

Jezusi u tha dishepujve të Tij se Fryma e Shenjtë do të ishte “me” ta, dhe “në” ta (Gjoni 14:17). Këto përshkrime janë të rëndësishme. Fjala me flet për shoqëri. Fryma e Shenjtë është një person, ashtu siç edhe ti je një person. Këtu ka dy identitete të dallueshme dhe ne nuk duhet t’i ngatërrojmë kurrë ato. Një person që nuk arrin ta bëjë dallimin mes vetes dhe Frymës së Shenjtë, është në rrugë e sipër drejt fanatizmit dhe mashtrimit.

MË SHUMË SE NJË MENTOR
Por Jezusi gjithashtu tha se Fryma e Shenjtë do të ishte “në” dishepujt e Tij. Fryma e Shenjtë është më shumë se një mentor që na tregon se çfarë të bëjmë. Nëse duam ta jetojmë jetën e krishterë, kemi nevojë për më shumë sesa disa këshilla dhe inkurajime. Kemi nevojë që prania dhe fuqia e Perëndisë të veprojë brenda nesh.

Shërbesa e Frymës së Shenjtë shkon përtej punës së një pastori, miku, trajneri, apo këshilluesi që mund të jetë në gjendje të hedhë dritë mbi problemet dhe të sugjerojë mënyra të mundshme për të ecur përpara. Fryma e Shenjtë punon në ne. Ai është në gjendje të prekë vendet e thella të shpirtit tënd, ta ripërtërijë mendjen tënde, të ridrejtojë ndjenjat e zemrës, të modelojë dhe riformojë vullnetin, të pastrojë imagjinatën dhe të shërojë kujtesën.

Fryma e Shenjtë mund të krijojë dëshira të reja brenda teje për ta ndjekur Krishtin, jo nga ndjenja e detyrës, por nga një zemër që ka uri dhe etje për drejtësi. Ai mund të të japë fuqinë për të jetuar një jetë të re për lavdinë e Perëndisë.

NËNSHKRUAR, VULOSUR DHE DORËZUAR
Përmes vdekjes dhe ringjalljes së Tij, Jezusi ka hapur udhën për gratë dhe burrat mëkatarë që ata të pajtohen me Perëndinë dhe të hyjnë në jetën e përjetshme. Ky është premtimi i Perëndisë. Ai është nënshkruar nga Ati dhe është vulosur me gjakun e Krishtit. Por ajo që është nënshkruar dhe vulosur, ende duhet dorëzuar.

Sot, Fryma e Shenjtë e merr atë që Jezusi ka arritur në kryq, dhe e zbaton atë personalisht te ne. Ai merr atë që Krishti ka bërë të mundur për të gjithë njerëzit, dhe e bën atë një realitet për ty (Gjoni 15:26, 16:14).

Po të mos kishte ardhur Biri i Perëndisë, ti nuk mund të shpëtoheshe. Po të mos kishte ardhur Fryma e Perëndisë, ti nuk do të shpëtoheshe. Pa veprën e Frymës së Shenjtë, shpëtimi do të mbetej një mundësi për të gjithë ne, por nuk do të bëhej kurrë një realitet për asnjërin prej nesh. Nëse nuk do të kishte Frymë të Shenjtë, askush nuk do të mund të shkonte në qiell, dhe gjithçka që Jezusi arriti në kryq, do të ishte si një dhuratë që u ble, por që nuk u pranua kurrë.

Pamja e luginës së gjashtë
Dishepujt kishin përjetuar fuqinë dhe praninë e Frymës së Shenjtë kur Jezusi i dërgoi në shërbesë. Por Fryma e Shenjtë nuk ishte dhënë ende (Gjoni 7:39). Jezusi u tha dishepujve të prisnin në Jerusalem për dhuratën, që Ati kishte premtuar dhe për të cilën Jezusi kishte folur.

Dishepujt nuk pritën gjatë. Vetëm dhjetë ditë pasi Jezusi u ngrit në qiell, fiks pesëdhjetë ditë pas ringjalljes së tij, erdhi dita Rrëshajëve. Historia e asaj që ndodhi atë ditë, na sjell në fillimin e një vargmali krejt të ri.

Pyetje Diskutimi

Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më tej me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore si një pyetje personale reflektimi.

Jeremia 23:29

A nuk është fjala ime si zjarri, kumton Zoti , e si çekani që thërrmon shkëmbin?

Psalmi 19:8

I përsosur është ligji i Zotit, shpirtin përtërin, e vërtetë dëshmia e Zotit, të thjeshtit i jep urti.

Do t'ju jap një zemër të re. Një shpirt të ri do të vë brenda jush. Do t'jua heq nga mishi zemrën e gurit dhe do t'ju jap një zemër mishi.

Ezekieli 36:26

Nëse Shpirti i atij që e ngjalli Jezuin prej të vdekurve banon në ju, atëherë Perëndia që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t'u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë përmes Shpirtit të tij që banon në ju.

Romakëve 8:11

Ne nuk kemi marrë shpirtin e kësaj bote, por Shpirtin që vjen nga Perëndia, që të njohim ato që na janë dhuruar prej tij.

1 Korintasve 2:12