Mosbindja e Adamit dhe e Evës
1 Gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha kafshët e egra që Zoti Perëndi kishte bërë. Ai i tha gruas: «A ju ka thënë vërtet Perëndia të mos hani nga asnjë pemë e kopshtit?».
2 Gruaja i tha gjarprit: «Nga fryti i pemëve të kopshtit mund të hamë,
3 por për frytin e pemës në mes të kopshtit, Perëndia tha: “Mos hani prej saj e mos e prekni, përndryshe do të vdisni”».
4 Atëherë gjarpri i tha gruas: «Nuk do të vdisni, jo,
5 sepse Perëndia e di se ditën që do të hani prej saj, do t'ju hapen sytë e do të jeni si Perëndia, duke njohur të mirën e të keqen».
6 Dhe gruaja pa se pema ishte e mirë për t'u ngrënë, joshëse për syrin e tërheqëse, sepse jepte dijen. Ajo mori nga fryti i pemës, hëngri e i dha edhe burrit të saj që ishte me të. Hëngri edhe ai. 7 Atëherë të dyve iu hapën sytë dhe panë se ishin lakuriq. Qepën gjethe fiku e i vunë rreth ijëve.
8 Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi duke shëtitur në kopsht, në flladin e ditës, dhe njeriu me gruan e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi mes pemëve të kopshtit.
9 Zoti Perëndi e thirri njeriun e i tha: «Ku je?».
10 Ai u përgjigj: «Ta dëgjova zërin në kopsht e pata frikë, se isha lakuriq, prandaj u fsheha».
11 Dhe ai tha: «Kush të tha se je lakuriq? A mos hëngre nga pema që të urdhërova të mos hash?».
12 Njeriu u përgjigj: «Gruaja që më dhe, më dha prej pemës e unë hëngra».
13 Zoti Perëndi i tha gruas: «Çfarë bëre kështu?». Gruaja u përgjigj: «Gjarpri më mashtroi e unë hëngra».
14 Zoti Perëndi i tha gjarprit:
«Për këtë që bëre,
mallkuar qofsh ndër gjithë bagëtitë e kafshët e egra.
Mbi bark do të zvarritesh
e pluhur do të hash gjithë ditët e jetës tënde.
15 Armiqësi do të shtie mes teje e gruas,
mes farës tënde e farës së saj
që do të ta shtypë kokën,
ndërsa ti do t'i plagosësh thembrën».
16 Gruas i tha:
«Shumë dhimbje barre do të të jap
e me mundim do t'i lindësh fëmijët.
Burrin tënd do ta dëshirosh,
por ai do të sundojë mbi ty».
17 Adamit i tha:
«Meqë dëgjove gruan
e hëngre nga pema
që të urdhërova
të mos hash,
mallkuar qoftë toka për shkakun tënd!
Me mund do të hash prej saj gjithë ditët e jetës sate.
18 Gjemba e ferra do të prodhojë për ty
e bimët e fushës do të hash.
19 Me djersën e ballit
do ta nxjerrësh bukën e gojës
derisa të kthehesh në dhe,
se prej tij u nxore,
pluhur je
e në pluhur do të kthehesh».
20 Njeriu e quajti gruan Evë, se ajo ishte nëna e gjithë të gjallëve.
21 Zoti Perëndi bëri veshje prej lëkure për Adamin e gruan e tij dhe i veshi ata.
22 Pastaj Zoti Perëndi tha: «Ja, njeriu u bë si një nga ne. Ai njeh të mirën e të keqen. Nëse tani zgjat dorën dhe merr e ha edhe nga pema e jetës, do të jetojë përjetë».
23 Prandaj Zoti Perëndi e nxori jashtë kopshtit të Edenit që të punojë tokën prej së cilës u mor. 24 E dëboi njeriun dhe në lindje të kopshtit të Edenit vendosi kerubët dhe një shpatë flakëruese që vringëllon për të ruajtur udhën për te pema e jetës.
Nëse jeta ishte kaq e mirë në Kopshtin e Edenit, pse është kaq ndryshe sot? Përgjigjja e kësaj pyetjeje, gjendet në luginën e parë të historisë së Biblës.
Kur Perëndia e vendosi Adamin në Kopshtin e Edenit, Ai tha: “Ha lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri” (Zanafilla 2:16—17).
Adami dhe Eva tashmë e njihnin të mirën. Ata nuk kishin përjetuar kurrë ndonjë gjë tjetër dhe Perëndia donte t’i ruante nga njohja e së keqes. Në urdhrin e Tij të dashur, Perëndia po u thoshte: “Në universin e gjerë ekziston një fuqi që quhet e keqe. Ju nuk dini asgjë për të dhe nuk dua që ta përjetoni ndonjëherë. Dua që të jetoni të lirë nga fuqia e saj e tmerrshme dhe shkatërruese. Mos e prekni të keqen, sepse do t’ju shkatërrojë.”
NGA VJEN E KEQJA?
Bibla nuk na jep në asnjë moment një shpjegim të plotë të origjinës së të ligës, por na tregon se ku filloi. Krahas botës së dukshme që ne njohim, Perëndia bëri një krijim të padukshëm në qiell dhe e mbushi me engjëj.
Satani (emri i të cilit do të thotë “kundërshtar”) ishte një nga këta engjëj. Ai u mbush me krenari dhe u përpoq të uzurponte pozitën e Perëndisë (shih Isaia 14:12-14). Krenaria është rrënja e çdo të lige.
Rebelimi qe i pasuksesshëm dhe kjo çoi në përjashtimin e Satanit nga prania e Perëndisë dhe në hedhjen e tij poshtë në tokë. Prandaj, që nga fillimi i historisë njerëzore ekzistonte tashmë një armik i prirur për ta shkatërruar veprën e Perëndisë, dhe qëllimi i tij kryesor ishte t’ua bënte të njohur të keqen burrit dhe gruas.
REKRUTIM PËR REBELIM
Satani hyri në Kopshtin e Edenit, me qëllim që ta rekrutonte racën njerëzore në rebelimin e tij kundër Perëndisë. Ai erdhi në formën e një gjarpri tërheqës, duke u paraqitur si një mik dhe filloi të vinte në dyshim urdhrin e vetëm të Perëndisë.
“Por Perëndia e di se ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni si Perëndia në gjendje të njihni të mirën dhe të keqen”, tha ai (Zanafilla 3:5). “Ha nga kjo pemë”, po thoshte Satani, “dhe ti do të kesh gjithçka. Ti e ke tashmë njohjen e së mirës, por nëse do të ndihesh i plotësuar, duhet të kesh edhe njohjen e së keqes.”
Adami dhe Eva vendosën që kjo ishte ajo çfarë ata donin. Ata e thyen urdhrin e Perëndisë dhe me atë veprim mosbindjeje fituan njohjen e së keqes. Që atëherë, të gjithë kemi jetuar me të. Njohja e së keqes u bë një fuqi, që kaloi te çdo njeri nga brezi në brez dhe në çdo kulturë.
Njohja e së keqes është problemi kryesor i racës njerëzore. Nuk mund të lexosh një gazetë pa u kujtuar se, edhe pas gjithë përparimeve të historisë së njerëzimit, ne ende luftojmë me të keqen në të gjitha format e saj të shëmtuara.
Beteja nuk është vetëm rreth nesh, por edhe brenda nesh. Përndryshe, pse do ta bëje sërish diçka, që të çoi në mjerim herën e fundit? Ka një fuqi që po punon te ne të gjithë, të cilën asnjëri prej nesh nuk mund ta kuptojë plotësisht. Të gjithë kemi lindur në këtë përleshje.
SHPRESË NË NJË MALLKIM
Perëndia nuk do të lejojë kurrë që e keqja të thotë fjalën e fundit. Ai erdhi në kopsht dhe u përball me Satanin, duke shpallur se mbretëria e tij rebele nuk do të zgjaste.
“Qofsh i mallkuar”, tha Perëndia (Zanafilla 3:14). Kur dikush apo diçka është e mallkuar, ai i është dorëzuar shkatërrimit. Për këtë arsye, kur Perëndia mallkoi gjarprin, Ai po shpallte se e keqja nuk do të mbizotëronte. Më pas Perëndia foli për një çlirues, i cili do të shtypte kokën e gjarprit (Zanafilla 3:15). Adami dhe Eva duhet të jenë gëzuar së tepërmi kur e dëgjuan këtë lajm.
Pastaj Perëndia u kthye nga Adami dhe shqiptoi sërish atë fjalë dënuese. “Mallkuar…” Adami duhet të ketë pasur ndjesinë se po bëhej pjesë edhe ai në shkatërrimin e Satanit. Por në vend që t’i Adamit thoshte “qofsh i mallkuar”, ashtu siç Zoti bëri me gjarprin, Perëndia tha: “Toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd” (Zanafilla 3:17).
Perëndia e devijoi mallkimin nga Adami, në mënyrë që ai të binte mbi tokën dhe jo mbi të. Në këtë mënyrë Perëndia e largoi gjykimin e Tij nga Adami, duke krijuar mundësinë për një pajtim në të ardhmen. Në ditën që mëkatoi, Adami zbuloi hirin dhe mëshirën e Perëndisë. Mallkimi që duhej të ishte mbi të, ra diku tjetër. Kjo na tregon një nga gjërat më të rëndësishme, që duhet të dimë për Perëndinë e Biblës–Ai është Perëndi i mëshirës, ashtu si dhe i drejtësisë.
TË PËRJASHTUAR NGA KOPSHTI
Nuk ka vend për të keqen në praninë e Perëndisë. Ashtu si rebelimi i Satanit çoi në dëbimin e tij nga qielli, ashtu edhe mëkati i prindërve tanë të parë çoi në përjashtimin e tyre nga kopshti, ku kishin njohur bekimin dhe praninë e Perëndisë (Zanafilla 3:23).
Jeta u bë një luftë e përditshme në një vend armiqësor. Martesa e përsosur e Adamit dhe Evës u dëmtua, dhe puna e tyre u bë zhgënjyese, ndërsa ferra dhe gjemba mbinin nga toka. Kur afrohej mbrëmja, ata me siguri do ta kenë pyetur veten nëse Perëndia do të vinte sërish të ecte me ta. Por Ai nuk e bëri më kurrë këtë.
Me kalimin e kohës, Adami dhe Eva do të vinin re shenja dhe rrudha në lëkurën e tyre. Ata do të përjetonin dhimbje dhe do të zbulonin se vdekja, për të cilën Perëndia u kishte folur, ishte një realitet i tmerrshëm, që ata nuk mund ta shmangnin.
Perëndia vendosi kerubimët–engjëjt që përfaqësojnë gjykimin dhe shenjtërinë e Tij–në hyrje të kopshtit, së bashku me “një shpatë flakëruese”, që bllokonte rrugën për te Pema e Jetës (Zanafilla 3:24). Adami dhe Eva u ndanë nga Perëndia dhe mbetën vetëm në një botë armiqësore. Ata e humbën Parajsën dhe nuk dukej se kishte më rrugë kthimi.
Errësira në luginën e parë
Kjo është analiza e Biblës për problemin njerëzor: ne e njohim të keqen dhe jemi përjashtuar nga vendi ku përjetohej prania dhe bekimi i Perëndisë.
Mallkimi është lugina e parë në historinë e Biblës. Bota u bë një vend i errët. Pjesa tjetër e historisë ka të bëjë me atë që ka bërë Perëndia për të ndriçuar dritën e Tij në errësirën tonë, për të na çliruar nga e keqja dhe për të hapur rrugën e kthimit për në parajsë. Prandaj, le të vazhdojmë udhëtimin drejt malit të dytë.