Krijimi

Dëgjo Mësimin

Zanafilla 1:1-31
Mësimi

Krijimi i qiellit e i tokës
1 Në fillim Perëndia krijoi qiejt e tokën.

2 Toka ishte e shkretë dhe e zbrazët; një terr mbulonte humnerën dhe shpirti i Perëndisë fluturonte mbi ujërat.
3 Atëherë Perëndia tha: «Le të bëhet drita!». Dhe drita u bë.

4 Perëndia pa se drita ishte e mirë dhe e ndau dritën nga errësira.

5 Perëndia e quajti dritën ditë, ndërsa errësirën e quajti natë. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e parë.
6 Pastaj Perëndia tha: «Le të bëhet një kube mes ujërave e le t'i ndajë ujërat nga ujërat».

7 Perëndia e bëri kubenë dhe i ndau ujërat që ishin nën kube prej ujërave që ishin mbi kube. Dhe kështu u bë.

8 Perëndia e quajti kubenë qiell. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e dytë.
9 Pastaj Perëndia tha: «Le të mblidhen ujërat nën qiell në një vend e le të shfaqet tera». Dhe kështu u bë.

10 Perëndia e quajti terën tokë, ndërsa tërësinë e ujërave i quajti dete. Dhe Perëndia pa se ishte mirë.
11 Perëndia tha: «Le të prodhojë toka bimësi, bimë me farë, pemë frutore që japin fryte me farë, secila sipas llojit të vet, mbi tokë». Dhe kështu u bë.

12 Toka prodhoi bimësi, bimë me farë sipas llojit të vet e pemë frutore me farë sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte mirë.

13 U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e tretë.
14 Perëndia tha: «Le të bëhen ndriçues në kubenë e qiellit që të ndajnë ditën nga nata e të shërbejnë si shenjë për stinë, ditë e vite.

15 Le të shkëlqejnë në kubenë e qiellit e ta ndriçojnë tokën». Dhe kështu u bë.

16 Perëndia bëri dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin më të madh për të zotëruar ditën, ndërsa më të voglin për të zotëruar natën e yjet.

17 Perëndia i vendosi në kubenë e qiellit që të ndriçojnë tokën,

18 të zotërojnë ditën e natën e të ndajnë dritën nga errësira. Dhe Perëndia pa se ishte mirë.

19 U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e katërt.
20 Pastaj Perëndia tha: «Le të gëlojnë ujërat me një mori qeniesh të gjalla e shpendët le të fluturojnë mbi tokë, në kubenë e qiellit».

21 Perëndia krijoi përbindëshat e mëdhenj të detit, çdo qenie të gjallë që lëviz e që mbush ujërat sipas llojit të vet dhe çdo shpend fluturues sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte mirë.

22 Atëherë Perëndia i bekoi e tha: «Shtohuni e shumohuni. Mbushni ujërat e detit dhe shpendët le të shumohen mbi tokë».

23 U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e pestë.
24 Pastaj Perëndia tha: «Le të prodhojë toka qenie të gjalla të çdo lloji: bagëti, zvarranikë e kafshë të egra, secila sipas llojit të vet». Dhe kështu u bë.

25 Perëndia bëri kafshët e egra, bagëtitë e zvarranikët e tokës, secilën sipas llojit të vet. Dhe Perëndia pa se ishte mirë.
26 Pastaj Perëndia tha: «Le të bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën dhe në përngjasimin tonë e le të sundojë mbi peshqit e detit, mbi shpendët e qiellit, mbi bagëtitë, mbi mbarë tokën e mbi gjithë zvarranikët që zvarriten mbi tokë».
27 Perëndia krijoi njeriun në shëmbëlltyrën e vet,
në shëmbëlltyrën e Perëndisë e krijoi,
mashkull e femër i krijoi.
28 Pastaj Perëndia i bekoi e u tha: «Shtohuni e shumohuni. Mbusheni tokën e nënshtrojeni. Sundoni mbi peshqit e detit, mbi shpendët e qiellit e mbi çdo gjallesë që lëviz mbi tokë».

29 Pastaj Perëndia tha: «Ja, ju kam dhënë për ushqim çdo bimë, mbi faqen e tokës, që ka farë e çdo pemë që ka fryte me farë.

30 Dhe kafshëve të egra, shpendëve të qiellit e zvarranikëve të tokës, çdo qenieje të gjallë, u kam dhënë për ushqim gjithë bimësinë». Dhe kështu u bë.

31 Perëndia pa gjithçka që kishte bërë dhe, ja, ishte shumë mirë. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e gjashtë.

Si mund ta dimë se si filloi bota? Askush nuk qe atje duke mbajtur shënime, kur gjithçka ndodhi! Si mund ta dimë se çfarë kishte Perëndia në mendje kur Ai krijoi burrin dhe gruan e parë? Askush s’mund t’i dinte këto gjëra, nëse vetë Perëndia nuk do të merrte iniciativën për t’ia treguar dikujt. Kjo është pikërisht çfarë Ai bëri.

Është e arsyeshme të hamendësojmë që Perëndia foli me Adamin dhe Evën për gëzimin e Tij në krijimin e gjithësisë, dhe se ata ua përcollën këto histori fëmijëve të tyre. Por kur historitë transmetohen nga brezi në brez, ato shtrembërohen, ndaj është e rëndësishme të kuptojmë se Perëndia i zbuloi këto gjëra në mënyrë më të drejtpërdrejtë.

Në udhëtimin tonë, do të ndeshemi me Moisiun. Perëndia iu shfaq dukshëm atij dhe i foli me zë të dëgjueshëm (Numrat 12:8). Ky privilegj unik për të folur me Perëndinë ballë për ballë, i dha mundësinë Moisiut që në pesë librat e parë të Biblës të shkruante atë që Perëndia i tha.

KRIJUESI ËSHTË ZOTËRUESI

Gjëja e parë që Perëndia dëshiron që ti të dish, është se Ai është Krijuesi yt: “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën” (Zanafilla 1:1). Kjo është e rëndësishme, sepse një krijues gjithmonë ka të drejtën e autorësisë mbi atë që ai ose ajo ka bërë. Perëndia dëshiron që ti të dish se Ai është Krijuesi, dhe për këtë arsye zotëruesi i gjithçkaje, dhe këtu përfshihesh edhe ti.

Kjo të tregon diçka madhështore, jo vetëm për Perëndinë, por edhe për veten tënde. Ti nuk je një aksident i historisë, ekzistenca e të cilit është rezultat i disa atomeve, që u përplasën rastësisht. Perëndia të bëri me një qëllim dhe ti do ta zbulosh atë qëllim, ndërsa vazhdon ta njohësh Atë.

NJË NISMË MBRESËLËNËSE

Përpiqu ta përfytyrosh Krijuesin në punë. Ditë pas dite, Perëndia i shtoi dimensione të reja krijimit të Tij: dritën, qiellin, detet, bimësinë, diellin, hënën, yjet, peshqit, zogjtë dhe kafshët. Secila prej këtyre u konceptua në mendjen e Perëndisë, dhe kur foli, Ai i solli ato në ekzistencë. Kur çdo vepër krijuese përfundoi, Perëndia e rishikoi punën e Tij dhe shpalli se ishte e mirë.

Pikërisht këtu, Perëndia kurorëzoi krijimin e Tij me një iniciativë mbresëlënëse: “Perëndia tha: ‘Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë’” (Zanafilla 1:26).

Perëndia të krijoi që të pasqyrosh diçka nga natyra dhe lavdia e Tij, që kur njerëzit të të shikojnë, të shohin një lloj pasqyrimi të Vetë Perëndisë. Kjo është ajo që i jep dinjitet dhe vlerë unike çdo jete njerëzore. Të gjitha kafshët u krijuan nga Perëndia, por asnjë prej tyre nuk u bë në ngjasim me Perëndinë.

DUKE SHIJUAR MIRËSINË E PERËNDISË

Adami shijoi jetën në një kopsht të quajtur Eden, të cilin Perëndia e kishte mbjellë pranë lumenjve Tigër dhe Eufrat (Zanafilla 2:8-14). Ndonëse nuk mund ta përcaktojmë saktësisht vendndodhjen e tij, ai me shumë mundësi ndodhej diku në zonën e Irakut të sotëm.

Jeta në Eden ishte e mrekullueshme. Ishte krejt ndryshe nga çdo gjë tjetër që kemi përjetuar, saqë është e vështirë ta kuptojmë. Por ia vlen të përpiqemi ta përfytyrojmë. Adami gëzonte privilegjin e të punuarit nga afër me Perëndinë. Detyra e tij e parë, ishte t’u vinte emra kafshëve, teksa Perëndia i sillte tek ai (Zanafilla 2:19). Emërtimi mund të mos tingëllojë si ndonjë punë e rëndësishme, por në të vërtetë, kjo ishte përpjekja e parë shkencore. Shkenca, në thelbin e saj, ka të bëjë me vëzhgimin, klasifikimin dhe përshkrimin, dhe kjo ishte puna e parë që Perëndia i dha Adamit.

Gjithçka që i duhej Adamit, ishte siguruar në kopsht. Kur ishte i uritur, atij i duhej vetëm të ngrihej dhe të merrte fruta nga pemët. Puna i jepte kënaqësi. Ai ishte i mbrojtur nga rreziku dhe gëzonte shëndet të përsosur. Ishte parajsa mbi dhe.

Gëzimi më i madh i jetës në Eden ishte prania e afërt, e dukshme e Perëndisë. Perëndia është Frymë, prandaj Ai është i padukshëm për ne. Por në Kopshtin e Edenit, Perëndia mori një formë të dukshme, në mënyrë që Adami të mund ta njihte Atë. Këtë e quajmë teofani. Perëndia erdhi dhe eci me Adamin në kopsht (Zanafilla 3:8).

NJË MARTESË E BËRË NË QIELL

Perëndia e pa që nuk ishte mirë për Adamin të ishte vetëm dhe kështu Zoti bëri një grua dhe e solli te njeriu (Zanafilla 2:18, 22). Përfytyro gëzimin e Adamit, kur Perëndia i prezantoi!

Perëndia mund ta kishte krijuar Evën dhe t’i linte që ta gjenin vetë njëri-tjetrin në kopsht. Por Ai nuk e bëri këtë. Perëndia ishte aktivisht i përfshirë që t’i sillte ata të dy bashkë. Përpiqu ta përfytyrosh Perëndinë, teksa bashkon duart e tyre dhe u jep bekimin e Tij në jetën që ata do të ndanin së bashku.

Çifti i parë do të përballej me problemet e tyre në të ardhmen, por ata kurrë nuk e vunë në dyshim faktin se ishin bashkuar nga Perëndia. Kjo është e vërtetë për çdo martesë, dhe kjo është arsyeja pse martesa është e shenjtë.

Pamja nga mali i parë

Ndalu pak për të perceptuar pamjen e botës sipas krijimit të Perëndisë. Përfytyro si duhet të ketë qenë të jetoje në këtë mjedis të përsosur: duke ndarë gëzimet e një martese plot dashuri dhe intimitet; duke u rritur në njohuri, në përvojë dhe aftësi nëpërmjet punës krijuese që të jep kënaqësi; dhe mbi të gjitha, duke kultivuar një marrëdhënie të thellë me Perëndinë, vizitat e të cilit në kopsht sillnin një kënaqësi të madhe.

Jeta që njohim sot, është vetëm një hije e përjetimit që prindërit tanë të parë shijuan në majën e malit, në Eden. Perëndia dëshiron që ti të dish se si ishte jeta e tyre dhe si mund ta rimarrësh atë që ka humbur.

Ka ardhur koha të largohemi nga mali i parë i historisë së Biblës. Vijojmë më tutje pa shumë dëshirë, sepse ndalesa tjetër në udhëtimin tonë është një luginë e thellë.

Ne bëmë disa zbulime të mrekullueshme këtu. Perëndia është Krijuesi i të gjitha gjërave. Ai e bëri gjithçka mirë. Ai i ka krijuar burrat dhe gratë në shëmbëlltyrën e Tij, duke i dhënë dinjitet dhe vlerë unike çdo jete.

Disa mund të besojnë se jeta është më e pasur kur Perëndia qëndron larg, por përjetimi i jetës në majë të malit te Kopshti i Edenit na mëson se jeta nuk mund të jetë kurrë më e pasur sesa kur Perëndia është pranë.

Pyetje Diskutimi

Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më tej me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore si një pyetje personale reflektimi.

Jeremia 23:29

A nuk është fjala ime si zjarri, kumton Zoti , e si çekani që thërrmon shkëmbin?

Psalmi 19:8

I përsosur është ligji i Zotit, shpirtin përtërin, e vërtetë dëshmia e Zotit, të thjeshtit i jep urti.

Atëherë Perëndia tha: «Le të bëhet drita!». Dhe drita u bë.

Zanafilla 1:3

Perëndia krijoi njeriun në shëmbëlltyrën e vet, në shëmbëlltyrën e Perëndisë e krijoi, mashkull e femër i krijoi.

Zanafilla 1:27

Perëndia pa gjithçka që kishte bërë dhe, ja, ishte shumë mirë. U bë mbrëmje e u bë mëngjes; dita e gjashtë.

Zanafilla 1:31