Konflikti

Dëgjo Mësimin

1 Mbretërve 12:1-24
Mësimi

Kuvendi i Shekemit

1 Rehoboami shkoi në Shekem, ku kishte ardhur mbarë Izraeli për ta shpallur mbret. 

2 Jeroboami, biri i Nebatit, ishte ende në Egjipt, ku kishte marrë arratinë për shkak të mbretit Solomon. Kur e mori vesh këtë, Jeroboami qëndroi në Egjipt, 

3 por kur i çuan fjalë dhe e thirrën, u kthye.

Atëherë e gjithë bashkësia e Izraelit foli me Rehoboamin e i thanë: 

4 «Yt atë na ka vënë zgjedhë të rëndë. Nëse ti na e lehtëson tani disi zgjedhën e punës së rëndë që na ngarkoi yt atë, ne do të të shërbejmë». 

5 Rehoboami u tha: «Shkoni e kthehuni tek unë pas tri ditësh». Dhe populli u largua.

6 Kështu, mbreti Rehoboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Solomonit, kur ishte gjallë, e i pyeti: «Ç'këshillë më jepni, që t'i përgjigjem popullit?». 

7 Ata i thanë: «Nëse ti sot bëhesh shërbëtor i këtij populli e i shërben dhe nëse u thua fjalë të mira, ata do të jenë gjithmonë shërbëtorët e tu». 

8 Rehoboami nuk e pranoi këshillën e pleqve, por u këshillua me të rinjtë me të cilët ishte rritur e që i rrinin pranë. 

9 Ai i pyeti: «Ç'këshillë më jepni, që t'i përgjigjem popullit? Ata më kanë kërkuar t'ua lehtësoj zgjedhën që u ka vënë ati im». 

10 Të rinjtë, që ishin rritur me të, iu përgjigjën: «Popullit që foli me ty e që të kërkoi t'ua lehtësosh zgjedhën që u vuri yt atë, thuaji kështu: “Gishti im i vogël është më i trashë se ijët e atit tim. 

11 Im atë ju vuri një zgjedhë të rëndë, ndërsa unë do t'ju vë një zgjedhë edhe më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t'ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri”».

12 Pas tri ditësh, Jeroboami e mbarë bashkësia e Izraelit shkuan te Rehoboami, ashtu siç u kishte thënë mbreti, që të ktheheshin tek ai pas tri ditësh. 

13 Mbreti iu përgjigj ashpër popullit dhe e përbuzi këshillën që i kishin dhënë pleqtë. 

14 Ai u foli sipas këshillës që i kishin dhënë të rinjtë e u tha: «Im atë ju vuri një zgjedhë të rëndë, por unë do t'ju vë një zgjedhë edhe më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t'ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri». 

15 Mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse kështu kishte dashur Zoti, që të shkonte në vend fjala që Zoti i tha Jeroboamit, birit të Nebatit, përmes Ahijahut, shilonitit.

Ndarja e mbretërisë

16 Kur mbarë Izraeli pa se mbreti nuk i kishte dëgjuar, ata i dërguan fjalë e i thanë: «Ç'lidhje kemi ne me Davidin e ç'pjesë kemi me të birin e Jeseut? Nëpër tendat tuaja, o izraelitë! Ndërsa ti kujdesu për shtëpinë tënde tani, o David!». Kështu, izraelitët shkuan nëpër shtëpitë e tyre. 

17 Rehoboami mbretëronte mbi izraelitët që jetonin në qytetet e Judës. 

18 Mbreti Rehoboam dërgoi tek izraelitët e tjerë Adoramin, mbikëqyrësin e punës së detyruar, por ata e vranë me gurë e ai vdiq. Atëherë mbreti Rehoboam hipi me ngut në një karrocë dhe ia mbathi për në Jerusalem. 

19 Izraeli ngriti krye kundër shtëpisë së Davidit e ashtu është deri sot. 

20 Kur izraelitët e tjerë morën vesh se ishte kthyer Jeroboami, dërguan për ta thirrur dhe e gjithë bashkësia e shpalli mbret të mbarë Izraelit. Vetëm fisi i Judës i qëndroi besnik shtëpisë së Davidit.

21 Kur mbërriti në Jerusalem, Rehoboami mblodhi njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur nga fisi i Judës dhe nga fisi i Benjaminit, për të sulmuar mbretërinë e Izraelit dhe për t'ia kthyer mbretërinë Rehoboamit, birit të Solomonit. 

22 Atëherë fjala e Perëndisë iu drejtua Shemajahut, njeriut të Perëndisë, e i tha: 

23 «Thuaji Rehoboamit, birit të Solomonit dhe mbretit të Judës, të gjithë fisit të Judës dhe të Benjaminit, si edhe mbarë popullit, 

24 se kështu thotë Zoti: “Mos dilni për të luftuar kundër vëllezërve tuaj, izraelitëve. Kthehuni nëpër shtëpitë tuaja, sepse kjo gjë vjen nga unë”». Ata e dëgjuan fjalën e Zotit dhe u kthyen pas, siç kishte thënë Zoti.



Pas vdekjes së Salomonit u rritën tensionet mes dhjetë fiseve në veri dhe dy fiseve në jug ku pushteti dhe pasuria ishin përqendruar rreth Jerusalemit.

Roboami, djali i Salomonit, i përkeqësoi gjërat. Ai i konsideronte fiset veriore si rebelë dhe nisi t’i nënshtronte me punë të detyruar. Fiset e veriut reaguan me shpalljen e pavarësisë dhe kurorëzuan Jeroboamin, udhëheqësin rebel, si mbretin e tyre.

Kjo ndarje e trishtueshme e popullit të Perëndisë ishte shumë domethënëse. Perëndia kishte premtuar bekimin e njerëzve nga çdo komb nëpërmjet një mbreti nga pasardhja e Davidit. Kur fiset e veriut kurorëzuan mbretin e tyre, ata po e shkëpusnin veten e tyre nga ai premtim dhe nga bekimi i Perëndisë.

FE, POLITIKË DHE DHUNË

Jeroboami ishte një udhëheqës dinak. Ai e kuptoi se, nëse njerëzit besnikë në veri vazhdonin të vizitonin Jerusalemin për të adhuruar Zotin në tempull, ata do të kujtoheshin për premtimin e Perëndisë dhe mund ta ripërtërinin besnikërinë e tyre ndaj pasardhjes së Davidit. Kështu që ai krijoi dy viça të artë, dhe themeloi qendrën e vet të adhurimit në veri (1 i Mbretërve 12:28).

Jeroboamit nuk i interesonte t’i bindej Zotit. Ai thjesht po e përdorte fenë për të forcuar identitetin e popullit të tij. Dhe çdo fe bën punë kur ke këtë qëllim.

Në jug, ku vazhdonin të mbretëronin pasardhësit e Davidit, zakonisht mbreti ia kalonte pushtetin djalit të tij kur ishte afër vdekjes. Por në veri nuk kishte një shtëpi mbretërore të themeluar dhe as nuk njihej ndonjë linjë trashëgimtarësh. Ndaj dhe intrigat politike e dhuna u shtuan në masë, dhe shumica e mbretërve erdhën në pushtet duke vrarë pararendësit e tyre.

PËRNDJEKJA E POPULLIT TË PERËNDISË

Ashabi ishte më famëkeqi nga mbretërit e veriut. Jezebela, gruaja e tij, udhëhoqi një përndjekje të egër, në të cilën profetët e Perëndisë u përndoqën dhe u vranë. Brenda një gjysmë shekulli Izraeli ishte kthyer nga një popull i bashkuar që adhuronte Zotin, në një komb të hutuar dhe të përçarë. Pesëdhjetë vjet pasi reja e pranisë së Perëndisë kishte mbushur tempullin e Salomonit, njohja e Perëndisë kishte humbur, madje edhe mes popullit të Tij.

Pasojat shoqërore të largimit nga Perëndia dhe nga ligjet e Tij ishin katastrofike. Profeti Amos i përshkroi kushtet në mbretërinë veriore me këto fjalë: “…e shesin me para të drejtin dhe të varfrin për një palë sandale, ata që dëshirojnë fort të shohin pluhurin e tokës mbi kryet e të varfërve dhe shkelin të drejtën e të përulurve. Një njeri dhe ati i tij shkojnë bashkë te po ajo vajzë, për të përdhosur emrin tim të shenjtë” (Amos 2:6-7).

Historia e trishtueshme e mbretërisë së veriut vazhdoi për rreth dyqind vjet (920–722 para Krishtit). Qenë gjithsej nëntëmbëdhjetë mbretër dhe secili prej tyre “bëri atë që është e keqe në sytë e ZOTIT” (shih 2 i Mbretërve 15:9).

Përfundimisht, Perëndia lejoi që armiqtë ta mposhtnin mbretërinë e veriut. Mbreti i Asirisë e internoi të gjithë popullsinë në vitin 722 para Krishtit, duke i shpërndarë në tërë mbretërinë e tij. Më pas, ai e ripopulloi vendin me emigrantë, të cilët u bënë të njohur si samaritanët.

HISTORIA NË JUG

Dy fiset në jug, që shpesh njihen si mbretëria e Judës, patën një udhëheqje më të mirë se ajo e motrave dhe e vëllezërve të tyre në veri. Asa, Jozafati, Joasi, Amatsiahu, Uziahu dhe Jothami u vlerësuan nga Perëndia. Por asnjëri prej tyre nuk i shkatërroi vendet e adhurimit të perëndive të tjera të ngritura në kohën e Salomonit. Këto qendra idhujtarie vazhduan të ishin një fyerje për Perëndinë.

Gjërat morën për keq në Judë kur Manasi erdhi në pushtet pak pasi u shpërndanë fiset e veriut. Manasi mbretëroi për pesëdhjetë e pesë vjet, dhe e çoi popullin e Perëndisë në ligësi edhe më të mëdha se gjithë kombet që Perëndia i kishte dëbuar nga toka e premtuar (2 i Mbretërve 21:1, 9).

Manasi nxiti adhurimin e Molekut që përfshinte një ritual djallëzor ku fëmijët flijoheshin në zjarr. Ai “u këshillua me mediumë dhe magjistarë” dhe ndërtoi altarë për perënditë pagane në tempullin e Zotit, si një akt përfundimtar mosbindjeje ndaj Perëndisë (2 i Mbretërve 21:4-6). Perëndia e kishte thirrur popullin e Tij të ishte drita e botës, por Manasi i çoi në errësirë të thellë.

NDRYSHIMI I LIGJEVE, NDRYSHIMI I ZEMRAVE

Disa vite më vonë, Josia, nipi i Manasit, filloi të kërkonte Zotin. I nxitur nga rizbulimi i një dorëshkrimi të Ligjit të Perëndisë, që kishte humbur në tempull, Josia udhëhoqi një fushatë reformimi në të gjithë kombin. Ai shkoi në të gjithë vendin dhe mbikëqyri personalisht shkatërrimin e të gjithë altarëve të idhujve në vend (2 i Mbretërve 23). Disa prej tyre ishin ndërtuar që në kohën e Salomonit dhe kishin qenë aty për treqind vjet.

Reforma e Josias ishte sulmi më i madh kundër praktikave pagane në historinë e Izraelit. Ai eliminoi idhujtarinë. Por ndryshimi i ligjeve nuk barazohet me ndryshimin e zemrave, dhe shumë shpejt pas vdekjes së Josias, altarët e idhujve u rindërtuan dhe kështu rifilluan modelet e mëkatit, që lidheshin me ato altare.

Pamja e luginës së katërt

Historia tragjike e mbretërisë së ndarë na mëson se kur një komb largohet nga Perëndia, fuqitë e errëta të së keqes vërshojnë. Populli i Perëndisë zgjodhi të adhuronte perënditë që krijoi vetë. Ata u larguan nga drita dhe në fund u përpinë nga errësira.

Por Perëndia nuk e braktisi kurrë popullin e Tij. Ai vazhdonte t’u fliste atyre nëpërmjet profetëve, edhe kur ata u drejtoheshin perëndive të tjera. Isaia, Jeremia, Osea, Joeli, Amosi, Abdia, Mikea, Nahumi, dhe Habakuku të gjithë i bënë thirrje popullit të Perëndisë për pendim gjatë këtyre viteve të errëta të mbretërisë së ndarë. Por populli i Perëndisë nuk po e dëgjonte Fjalën e Tij.

Kështu që pas paralajmërimeve të përsëritura, më në fund erdhi koha për gjykimin e Perëndisë mbi popullin e Tij. Ushtria babilonase e rrethoi Jerusalemin dhe qëndroi atje për gati dy vjet, derisa qyteti u rrëzua në vitin 586 para Krishtit. Vuajtja e popullit të Perëndisë nuk përshkruhej me fjalë. Shumë prej tyre humbën jetën, dhe shumica e të mbijetuarve u dërguan në kampet e internimit në Babiloni.

Qyteti i Jerusalemit u kthye në rrënoja, që digjeshin dhe konsumoheshin. Tempulli ku Perëndia kishte zgjedhur të takohej me popullin e Tij, ishte shkatërruar plotësisht. Mbretëria madhështore që gjithë bota e pati zili në kohën e Davidit dhe Salomonit, u shndërrua në një bashkësi të vogël robërish lufte në Babiloni. Por edhe në kohën më të errët, Perëndia nuk e kishte harruar as popullin dhe as premtimin e Tij.

Pyetje Diskutimi

Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më tej me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore si një pyetje personale reflektimi.

Jeremia 23:29

A nuk është fjala ime si zjarri, kumton Zoti , e si çekani që thërrmon shkëmbin?

Psalmi 19:8

I përsosur është ligji i Zotit, shpirtin përtërin, e vërtetë dëshmia e Zotit, të thjeshtit i jep urti.

Dhe populli im, që mban emrin tim, përulet, lutet dhe më kërkon, duke u kthyer nga udha e mbrapshtë, unë do ta dëgjoj prej qiellit, do t'ia fal mëkatin dhe do t'ia shëroj tokën.

2 Kronikave 7:14

Mjerë kombi mëkatar, populli i ngarkuar me faje, fara e keqbërësve, fëmijët e shthurur! Kanë braktisur Zotin, kanë përçmuar të shenjtin e Izraelit, shpinën i kanë kthyer.

Isaia 1:4

Do t'ju jap një zemër të re. Një shpirt të ri do të vë brenda jush. Do t'jua heq nga mishi zemrën e gurit dhe do t'ju jap një zemër mishi.

Ezekieli 36:26