Gëzim

Dëgjo Mësimin

Romakëve 8:31-39
Mësimi

Dashuria e Perëndisë

31 Ç'të themi, pra, për këto gjëra? Nëse Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? Ai që vërtet nuk e kurseu Birin e vet, 

32 por e dha për ne të gjithë, a nuk do të na dhurojë bashkë me të edhe çdo gjë tjetër? 

33 Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Askush, sepse Perëndia është ai që i bën të drejtë. 

34 Kush është ai që do t'i dënojë? Askush, sepse Krishti Jezu është ai që vdiq, e për më tepër është ai që u ngjall. Është ai që rri në të djathtë të Perëndisë e ndërmjetëson për ne. 

35 Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Mos vallë pikëllimi a hidhërimi, përndjekja a uria, të zhveshurit a rreziku apo shpata? 

36 Sikurse është shkruar:

për ty po na vrasin tërë ditën

e na trajtojnë si dele për t'u therur.

37 Por në të gjitha këto gjëra ne dalim më shumë se fitimtarë me anë të atij që na deshi. 

38 Unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as sundimtarët, as gjërat e tashme, as ato që po vijnë, as pushtetet, 

39 as forcat qiellore, as forcat e botës së nëndheshme, as ndonjë krijesë tjetër nuk do të mund të na ndajnë nga dashuria e Perëndisë që u tregua në Krishtin Jezu, Zotit tonë.

 

Ndoshta nuk je i sigurt nëse në fund do të arrish në qiell. Ti shpreson se do të jetë kështu, por ndonjëherë pyet veten nëse besimi yt është mjaftueshëm i fortë, apo nëse pendimi yt është mjaft i thellë.

Prandaj është e rëndësishme që ta lëmë luginën e konfliktit dhe të ngjitemi në malin tjetër, prej ku mund t’i hedhim një vështrim të shpejtë fitores përfundimtare që i premtohet çdo besimtari në Jezu Krishtin.

Një ditë, përleshja e jetës tënde të krishterë do të marrë fund. Ti do të qëndrosh në praninë e Jezusit. Do ta shohësh fytyrën e Tij, dhe kur ta shohësh Atë, do të jesh si Ai (1 e Gjonit 3:2).

LAVDIA E PERËNDISË NË TY
Premtimi i Perëndisë nuk është vetëm që do të hysh në lavdinë e pranisë së Tij, por gjithashtu që lavdia e Tij do të zbulohet në ty. Pali thotë: “Sepse unë mendoj, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të zbulohet në ne” (Romakëve 8:18). Vëre me kujdes, ai nuk thotë “ndaj nesh” por “në ne”. Lavdia e Perëndisë do të jetë në ty!

Fryma e Shenjtë po krijon tashmë një pasqyrim të lavdisë së Perëndisë në jetën e çdo besimtari. “Por ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, shndërrohemi në të njëjtin shëmbëllim nga lavdia në lavdi, si prej Frymës së Zotit” (2 e Korintasve 3:18).

Procesi ka nisur dhe një ditë do të përmbushet. Ata që janë drejtësuar, do të përlëvdohen (Romakëve 8:30). Perëndia do të përfundojë atë që ka filluar në jetën tënde, dhe kur puna e Tij në ty të jetë e plotë, ti nuk do të zhgënjehesh.

Kur kalojmë përmes luginave të dobësisë, konfliktit dhe vuajtjeve, na duhet siguria e njohjes së rezultatit përfundimtar të gjithçkaje që Perëndia po bën në jetën tonë. Ky është gëzimi që na mban. “Mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë” (Romakëve 5:2).

SI MUND TË JESH I SIGURT?
Si mund të jesh i sigurt se do të arrish në qiell? Mund ta kesh nisur jetën e krishterë, por si e di se do ta përfundosh atë? Nëse nuk dimë si t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, ato së shpejti do të na e heqin gëzimin.

Satanit i pëlqen të na kujtojë rreziqet e shumta që ndodhen në luginat e jetës së krishterë, dhe ne mund të gëzohemi në shpresën e fitores përfundimtare, vetëm nëse jemi të sigurt se Perëndia do të na kalojë matanë.

PËRGJIGJE TË PAMJAFTUESHME
Si do të përgjigjeshe nëse do të të pyesja se si e di që do ta kalosh përjetësinë në qiell?

Një përgjigje mund të jetë “Sepse unë e dua Krishtin”. Kjo është e mrekullueshme, por sa e thellë është dashuria jote? A tregohet gjithmonë kjo dashuri duke iu bindur urdhërimeve të Tij? Nuk mund të qëndrosh i sigurt mbi dashurinë tënde për Krishtin.

Një përgjigje tjetër mund të jetë “Unë kam marrë një zotim”. Kjo është e mrekullueshme. Por çfarë ndodh nëse angazhimi yt dobësohet? A do të thotë kjo se edhe mundësitë e tua për të hyrë në qiell do të zvogëlohen gjithashtu? Ti nuk mund të qëndrosh i sigurt mbi përkushtimin tënd ndaj Krishtit.

Një përgjigje e tretë mund të jetë “Unë kam besim”. Sërish, kjo është fantastike. Por, sa i fortë është besimi yt? A nuk ka çaste kur ti përleshesh me dyshimin? Ti nuk mund të qëndrosh i sigurt mbi besimin tënd në Krishtin.

Faktori i përbashkët në këto tre përgjigje të pamjaftueshme është fjala e vockël unë: “Unë e dua Krishtin”; “Unë jam i përkushtuar”; “Unë kam besim.” Gjithçka që nis me “Unë”, nuk është kurrë e plotë, nuk është kurrë ajo që mund të jetë, dhe asnjëherë ajo që duhet të jetë.

GJAKU I JEZUSIT
Ja pse duhet të jemi jashtëzakonisht mirënjohës që hyrja në qiell nuk varet nga besimi ynë, nga përkushtimi ynë, nga veprat tona, nga dashuria jonë, apo nga çdo gjë tjetër në ne, por nga gjaku i Zotit tonë Jezu Krisht. “Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të drejtësuar nëpërmjet gjakut të tij, do të shpëtohemi nga zemërimi me anë të tij” (Romakëve 5:9).

Nëse shpëtimi im do të varej nga forca e besimit tim ose nga thellësia e dashurisë time, nuk do të mund ta dija kurrë se cili do të ishte rezultati i jetës sime. Por rezultati përfundimtar nuk varet nga këto gjëra. Rezultati varet nga gjaku i Jezusit. Ky është tabani ynë i palëkundshëm për një siguri të përulur dhe të gëzueshme: ne jemi “të drejtësuar nëpërmjet gjakut të tij.”

TABAN I FORTË
Imagjino këto dy skena. Së pari, një person i sigurt ecën mbi një liqen të mbuluar nga akulli. Akulli është i hollë. Vetëbesimi i tij është vendosur në vendin e gabuar dhe ai zhytet në ujë. Në skenën e dytë, një person shumë i ndrojtur lëviz me hezitim mbi akullin e trashë. Ajo lëviz ngadalë, sepse ka frikë se akulli mund të thyhet. Por ajo nuk ka arsye për të qenë e frikësuar. Akulli është i trashë. Siguria e saj nuk varet nga forca e besimit të saj, por nga forca e akullit.

Shpëtimi yt nuk varet nga forca e besimit tënd, por nga forca e Shpëtimtarit tënd.

Nëse do të kultivosh një pritje të sigurt dhe të gëzueshme p​​ër qiellin, pyetja që duhet të bësh, nuk është: “Sa i fortë është besimi im?” ose “Sa e ngrohtë është zemra ime?” apo “Sa i thellë është përkushtimi im?”. Këto pyetje të bëjnë të shohësh drejt vetes dhe kjo thjesht do të ngrejë më shumë pyetje!

Përkundrazi, pyet: “A është gjaku i Jezu Krishtit mjaftueshëm i pasur dhe i fortë, sa të lajë çdo mëkat dhe të mbulojë çdo dobësi, dështim, dhe pamjaftueshmëri në jetën time, nga tani e deri në ditën kur do të arrij në praninë e Perëndisë?” Përgjigjja për këtë pyetje është “Absolutisht, pa pikë dyshimi apo hezitim, po!”

Pamja nga mali i tretë
Jezus Krishti vdiq për të të shpëtuar, Ai jeton për të të mbajtur, dhe Ai nuk do të të braktisë kurrë (Romakëve 8:32-39). Ja pse nuk ke nevojë të shqetësohesh për çfarë do të sjellë e ardhmja. Çfarëdo që të ndodhë, Ai do të jetë me ty dhe do të të kalojë matanë.

Çfarë ndodhie e jetës mund të të ndajë ndonjëherë nga dashuria e Krishtit? Cila fuqi e ferrit mund ta pengojë atë që Ai po bën në jetën tënde? Perëndia e dha Birin e Tij që të vdiste për ty, dhe ti mund të jesh plotësisht i sigurt se asgjë nuk do ta ndalojë Atë që të të shpjerë deri në qiell.

Pyetje Diskutimi

Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më tej me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore si një pyetje personale reflektimi.

Jeremia 23:29

A nuk është fjala ime si zjarri, kumton Zoti , e si çekani që thërrmon shkëmbin?

Psalmi 19:8

I përsosur është ligji i Zotit, shpirtin përtërin, e vërtetë dëshmia e Zotit, të thjeshtit i jep urti.

Prandaj ai mund t'i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse ai jeton përjetësisht për të ndërmjetësuar për ta.

Hebrenjve 7:25

Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na rilindi nga mëshira e tij e madhe, nëpërmjet ngjalljes së Jezu Krishtit prej të vdekurve, që të kemi shpresën e gjallë dhe trashëgimin e paprishshëm, të panjollë e të pavyshkur, që është ruajtur në qiej për ju.

1 Pjetrit 1:3-4

Për këtë arsye po vuaj gjithë këto gjëra. Por nuk kam turp, se e di kujt i kam besuar e jam i bindur se ai është i aftë ta ruajë thesarin që më ka besuar, deri në atë ditë.

2 Timoteut 1:12