Sauli bëhet i krishterë
1 Sauli, që vazhdonte të kërcënonte deri edhe me vdekje dishepujt e Zotit, shkoi te kryeprifti
2 dhe i kërkoi që ky t'i shkruante letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që po të gjente ndokënd që i përkiste Udhës së Zotit Jezu, burra a gra, t'i sillte të lidhur në Jerusalem.
3 Ndërsa po udhëtonte e po i afrohej Damaskut, befas shndriti përreth tij një dritë prej qiellit.
4 Ai u rrëzua e dëgjoi një zë që i tha: «Saul, Saul, përse më përndjek?».
5 Sauli pyeti: «Kush je ti, o Zot?». Ai u përgjigj: «Unë jam Jezui që ti po përndjek.
6 Ngrihu e hyr në qytet dhe atje do të të thuhet çfarë duhet të bësh».
7 Burrat që po udhëtonin me të, mbetën pa fjalë, sepse e dëgjuan zërin, por nuk panë askënd.
8 Sauli u ngrit nga toka, por edhe pse i kishte sytë të hapur, nuk shihte. Atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask.
9 Ai nuk shihte dhe as nuk hëngri, as nuk piu për tri ditë.
10 Në Damask gjendej një dishepull me emrin Hananiah. Zoti i tha atij në një vegim: «Hananiah!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam, o Zot».
11 Zoti i tha: «Ngrihu e shko te rruga që quhet “e Drejtë” dhe kërko te shtëpia e Judës një njeri me emrin Saul, nga Tarsi. Ja, ai po lutet
12 dhe ka parë në vegim një njeri me emrin Hananiah duke hyrë në shtëpi e duke i vënë duart mbi të, që t'i kthehet shikimi».
13 Por Hananiahu u përgjigj: «Zot, kam dëgjuar prej shumë vetave sesa të këqija u ka bërë të shenjtëve të tu në Jerusalem ky njeri.
14 Ndërsa këtu ka ardhur i ngarkuar nga kryepriftërinjtë për t'u vënë prangat të gjithëve atyre që besojnë në ty».
15 Por Zoti i tha: «Shko, se ai është mjeti që unë e kam zgjedhur për ta bërë të njohur emrin tim para kombeve, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit.
16 Unë do t'i tregoj atij sesa shumë i duhet të vuajë për shkak të emrit tim».
17 Atëherë Hananiahu shkoi në atë shtëpi, vuri duart mbi Saulin e i tha: «Vëlla Saul, Zoti Jezu që t'u shfaq rrugës duke ardhur këtu më ka dërguar që të shohësh përsëri e të mbushesh me Shpirtin e shenjtë».
18 Menjëherë diçka si luspa i ranë nga sytë dhe iu kthye shikimi. Pastaj u ngrit, u pagëzua
19 dhe, pasi hëngri, iu kthye fuqia.
Sauli predikon në Damask
Sauli ndenji disa ditë me dishepujt në Damask
20 e menjëherë filloi të predikonte Jezuin nëpër sinagoga e të thoshte se Jezui është Biri i Perëndisë.
21 Të gjithë ata që e dëgjonin, çuditeshin e thoshin: «Po a nuk është ky ai që në Jerusalem përndoqi me dhunë ata që besonin në Jezuin? A nuk erdhi këtu për t'u vënë prangat e për t'i çuar te kryepriftërinjtë?».
22 Sauli forcohej gjithnjë e më shumë e i habiste judenjtë që jetonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezui është Krishti.
Pas Rrëshajave, besimtarët e rinj caktuan shpejt katër përparësi: të mësonin nga mësimet e apostujve, të rriteshin në bashkësi, të thyenin bukën së bashku dhe të luteshin (Veprat 2:42).
Besimtarët e parë ishin të gjithë hebrenj, dhe në ditët e hershme ata takoheshin në oborret e tempullit dhe nëpër shtëpi. Angazhimi i tyre i thellë ndaj njëri-tjetrit u tregua kur shitën pasuritë dhe ua dhanë njerëzve në nevojë. Perëndia bëri shumë mrekulli përmes apostujve, dhe besimtarët gëzuan mbështetje të gjerë në të gjithë qytetin e Jerusalemit.
NJË MODEL PERSEKUTIMI
Autoritetet e tempullit i shihnin ndryshe gjërat. Ata arrestuan Pjetrin dhe Gjonin dhe i sollën para Kajafës, i cili kishte marrë në pyetje Jezusin dhe e kishte dënuar. Këshilli qeverisës i porositi apostujt të mos flisnin apo jepnin mësim në emër të Jezusit. Pjetri dhe Gjoni u thanë se nuk mund të ndalonin së foluri për ato që kishin “parë dhe dëgjuar” (Veprat 4:20). Më pas, të gjithë apostujt u arrestuan. Dhe kur as kjo nuk i ndaloi, këshilli qeverisës vendosi që të rriheshin me kamxhik.
Ishte hera e parë që provonin atë që do të bëhej një model persekutimi. Ndërsa numri i besimtarëve vazhdoi të rritej, ata caktuan udhëheqës për të mbikëqyrur shërbesën, në mënyrë që apostujt të mund t’i përkushtoheshin lutjes dhe predikimit të Fjalës së Perëndisë (Veprat 6:2-4).
Stefani ishte i pari që u zgjodh për këtë punë, dhe u bë shënjestra e një grupi që donte të shkatërronte komunitetin e besimtarëve. Ai u arrestua dhe u gjykua me akuza të rreme (Veprat 6: 9-14), njësoj siç i ndodhi edhe Jezusit. Ai dha një mbrojtje të jashtëzakonshme për besimin e tij, por para se ta mbaronte, u tërhoq zvarrë jashtë qytetit dhe u vra me gurë (Veprat 7). Stefani u bë martiri i parë i krishterë mes shumë të tjerëve që dhanë jetën e tyre për t’i shërbyer Zotit Jezu Krisht.
Vdekja e Stefanit ishte fillimi i një vale persekutimi kundër besimtarëve të hershëm, të cilët lanë Jerusalemin dhe u shpërndanë (Veprat 8:1).
Një farise veçanërisht i zellshëm me emrin Saul ishte i vendosur t’i përndiqte. Me mbështetjen e kryepriftit, ai u nis t’i arrestonte. Qyteti i parë në shënjestrën e tij ishte Damasku.
APOSTULLI I JOHEBRENJVE
Pikërisht në rrugën për në Damask ndërhyri Krishti në jetën e Saulit. Ai u verbua nga një dritë e fortë dhe dëgjoi një zë që e pyeti: “Saul, Saul, përse më përndjek?” (Veprat 9:4). Kjo përballje e drejtpërdrejtë me të ringjallurin Zotin Jezus ndryshoi gjithë drejtimin e jetës së tij, dhe armiku më i madh i kishës u bë përkrahësi i saj më i madh. Ne e njohim më mirë si apostullin Pal.
Pali ishte hebre, njësoj si pjesa më e madhe e besimtarëve të parë. Por Perëndia e dërgoi që ta çonte lajmin e mirë të Jezusit në botën e johebrenjve. Pikërisht përmes udhëtimeve misionare të Palit u mbollën kisha në të gjithë perandorinë romake.
Zoti i foli drejtpërdrejt Palit, ashtu siç u kishte folur profetëve në Dhiatën e Vjetër. Dhiata e Re përfshin trembëdhjetë letra të tij, duke filluar me librin e Romakëve, të cilin do ta shqyrtojmë në kapitullin tjetër.
NJOHËS I MIRË I VUAJTJES
Ndoshta mendon se një person që Perëndia e përdor në mënyrë kaq të veçantë dhe që është fuqizuar nga Fryma e Shenjtë, duhet të ketë jetuar një jetë triumfesh të vazhdueshme, por Pali foli hapur për momentet e dobësisë së tij. Dëshmia e tij na jep mundësinë t’i hedhim një vështrim një prej luginave të thella të jetës së krishterë.
Pali i njihte mirë vuajtjet. Në pesë raste ai duroi tridhjetë e nëntë rrahje me kamzhik. Tri herë e rrahën me shkop. Një herë e qëlluan me gurë dhe tri herë iu mbyt anija (2 e Korintasve 11:24-25). Duke qenë vazhdimisht në lëvizje, Pali përballej me rreziqe kudo që shkonte. Ky njeri nuk ishte burracak.
Pali duroi diçka që ishte thellësisht e dhimbshme në jetën e tij, të cilën ai e përshkruan si “gjemb në mish” (2 e Korintasve 12:7). Nuk e dimë se ç’ishte, por duke njohur guximin e Palit, jemi të sigurt se nuk ishte një shqetësim i vogël.
Ai iu lut Perëndisë që ta lehtësonte nga ky problem, por Perëndia nuk ia dha atë që kërkoi. Përkundrazi, Ai i dha këtë premtim: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi” (2 e Korintasve 12:9). Shenja e natyrës së vërtetë frymërore nuk është se Perëndia i thotë po gjithçkaje që ti kërkon, por që ti të ecësh me Të edhe kur Ai thotë jo.
TRYSNITË E SHËRBESËS
Pali nuk përjetoi dobësi sepse i mungonte guximi apo qëndrueshmëria, por sepse Perëndia e kishte vënë në situata që e shtynin përtej kufijve të rehatisë së tij. Ai e dinte si ishte dërrmimi i plotë dhe i padurueshëm, dhe në një moment ai “u dëshpërua edhe për jetën” (2 e Korintasve 1:8; shih gjithashtu 2 e Korintasve 11:28-29).
Ata që vendosin ta japin veten për shërbesën e krishterë, shpejt do të përjetojnë dobësinë që Pali njihte. Teksa ndjek Krishtin, do të përjetosh kohë dekurajimi dhe madje rraskapitje. Do të përballesh me pyetje pa përgjigje dhe me probleme që duken pa zgjidhje.
Por kjo dobësi nuk është diçka për t’u pasur frikë apo turp. Pali i pa përvojat e tij të dobësisë si mundësi, sepse aty qëndronte fuqia e Krishtit mbi të (2 e Korintasve 12:9). Dhe për ty do të jetë njësoj.
Në shërbesën e krishterë, forca që njihet si forcë, është në të vërtetë dobësi, dhe dobësia që njihet si dobësi, është forcë në dorën e Perëndisë. Kjo është arsyeja pse Pali tha: “Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm ” (2 e Korintasve 12:10).
Pamja e luginës së parë
Kurrë mos mendo se kur ndihesh i dobët, je jashtë vullnetit të Perëndisë. Nëse pret derisa të ndihesh i sigurt para se të ecësh përpara në atë që Perëndia po të thërret të bësh, mund të mos e bësh kurrë.
Jezusi nuk jetoi brenda kufijve të sigurt e të kujdesshëm. Kur Ai thotë: “Më Ndiq”, Ai na thërret përtej vetes dhe na drejton jashtë zonave tona të rehatisë. Një person që njeh vetëm forcën dhe jo dobësinë e tij, nuk ka vajtur larg me ndjekjen e tij.
Perëndia shpesh na vë në situata ku ne e dimë se jemi jashtë kapacitetit tonë, në mënyrë që të mësojmë të varemi prej Tij. Kur përjeton dobësi, fuqia e Krishtit do të qëndrojë mbi ty. Dhe do të jetë e qartë se arritja jote do të ketë ardhur nga Perëndia.