Dhimbja

Dëgjo Mësimin

Zanafilla 37:1-36
Mësimi

Jozefi dhe vëllezërit

1 Jakobi banoi në tokën e Kanaanit, aty ku kishte banuar edhe i ati. 

2 Kjo është historia e Jakobit: Jozefi ishte shtatëmbëdhjetë vjeç e kulloste dhentë bashkë me vëllezërit. Ai ishte ndihmësi i bijve të Bilhës e Zilfës, dy grave të të atit. Por Jozefi i tregoi të atit për namin e keq të vëllezërve të vet. 

3 Izraeli e donte Jozefin më shumë se bijtë e tjerë, se e kishte birin e pleqërisë. Ai i bëri Jozefit një tunikë shumëngjyrëshe. 

4 Kur vëllezërit panë se ati i tyre e donte më shumë se ata, e urryen Jozefin e nuk i flisnin dot me të mirë.

5 Jozefi pa një ëndërr dhe, kur ua tregoi vëllezërve, ata e urryen edhe më shumë. 

6 Ai u tha: «Dëgjoni ëndrrën që pashë. 

7 Po mblidhnim dorëza gruri në mes të fushës. Kur ja, dorëza ime u ngrit e qëndroi drejt. Ndërsa dorëzat tuaja u mblodhën përreth e u përkulën me nderim para dorëzës sime». 8 Atëherë vëllezërit i thanë: «A thua do të bëhesh mbreti ynë e do të sundosh mbi ne?!». Kështu, ata e urryen edhe më tepër për shkak të ëndrrave e fjalëve të tij.

9 Jozefi pa edhe një ëndërr tjetër e ua tregoi vëllezërve të vet: «Pashë një ëndërr tjetër. Dielli, hëna e njëmbëdhjetë yje po më përkuleshin me nderim». 

10 Kur ia tregoi të atit e vëllezërve, i ati e qortoi e i tha: «Ç'është kjo ëndërr! A po thua që unë, jot ëmë e vëllezërit e tu do u përkulkemi gjer në tokë para teje?!». 

11 Vëllezërit e patën zili, kurse i ati e mbajti në mend këtë gjë.

Vëllezërit shesin vëllanë

12 Vëllezërit shkuan në Shekem për të kullotur dhentë e atit të tyre. 

13 Atëherë Izraeli i tha Jozefit: «Vëllezërit e tu po kullotin dhentë në Shekem. Ngrihu e shko tek ata!». Ai u përgjigj: «Gati jam!». 

14 Izraeli i tha: «Shko, shih a janë mirë vëllezërit e dhentë e më kthe përgjigje». Kështu, e dërgoi Jozefin nga lugina e Hebronit dhe ai mbërriti në Shekem. 

15 Atje gjeti një njeri që po sillej nëpër fushë, i cili e pyeti: «Çfarë po kërkon?». 

16 Jozefi iu përgjigj: «Po kërkoj vëllezërit e mi. Më trego, ku po kullotin». 

17 Njeriu i tha: «Kanë ikur që këtej, por unë i dëgjova që thoshin: “Të shkojmë në Dotan”». Atëherë Jozefi shkoi pas vëllezërve e i gjeti në Dotan. 

18 Ata e panë Jozefin që larg dhe para se të afrohej kurdisën një plan për ta vrarë. 

19 I thanë njëri-tjetrit: «Ja, po vjen ky ëndërrimtari! 

20 Ejani tani, ta vrasim e ta hedhim në një gropë e të themi se e shqyen egërsirat. Atëherë do të shohim sa i vlejnë ëndrrat!». 

21 Rubeni i dëgjoi dhe e shpëtoi Jozefin prej duarve të tyre, kur u tha: «Mos t'ia marrim jetën». 22 Ai shtoi: «Mos derdhni gjak! Hidheni në këtë gropë, në shkretëtirë, por mos vini dorë mbi të». Ai donte ta shpëtonte nga duart e tyre që t'ia kthente të atit. 

23 Kur Jozefi mbërriti te vëllezërit, ata e zhveshën. Pasi ia zhveshën tunikën shumëngjyrëshe që mbante veshur, 

24 e morën dhe e hodhën në një gropë. Gropa ishte bosh e pa ujë.

25 Pastaj u ulën të hanë bukë. Kur ngritën sytë, panë një karvan ishmaelitësh që po vinte nga Gileadi e po shkonte për në Egjipt me deve të ngarkuara me rrëshirë, balsam e mirrë. 

26 Atëherë Juda u tha vëllezërve: «Çfarë përfitimi kemi nëse e vrasim vëllanë e ia fshehim kufomën. 

27 Ejani, t'ua shesim ishmaelitëve e të mos vëmë dorë mbi të, se është vëllai e gjaku ynë». 

28 Kur tregtarët midianitë kaluan andej, e nxorën Jozefin nga gropa e ua shitën ishmaelitëve për njëzet sikla argjendi. Ata e çuan Jozefin në Egjipt.

29 Rubeni u kthye te gropa, por Jozefi nuk ishte atje. Atëherë shqeu rrobat, 

30 u kthye te vëllezërit e u tha: «Djali nuk është më atje! Kah t'ia mbaj unë tani?». 

31 Pastaj morën tunikën e Jozefit dhe e zhytën në gjakun e një cjapi që therën. 

32 Ia sollën tunikën shumëngjyrëshe të atit e i thanë: «Gjetëm këtë! Shikoje mirë! A është e djalit tënd apo jo?». 

33 Ai e njohu tunikën e tha: «Është tunika e tim biri. E paskan ngrënë egërsirat. Copë-copë ma paskan bërë Jozefin!». 

34 Atëherë Jakobi shqeu rrobat e veta, vuri një grathore rreth ijëve dhe e vajtoi të birin për një kohë të gjatë. 

35 U ngritën për ta ngushëlluar të gjithë bijtë e bijat, por ai nuk donte të ngushëllohej e thoshte: «Duke vajtuar do të zbres në skëterrë, tek im bir». Kështu e vajtoi ati të birin. 

36 Ndërkohë midianitët e shitën Jozefin në Egjipt. Ia shitën Potifarit, oborrtarit të faraonit, komandantit të rojave.

 

Perëndia e bekoi Jakobin, nipin e Abrahamit, me një familje të madhe. Me kalimin e kohës, dymbëdhjetë bijtë e tij u bënë etërit e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Perëndia e mbajti premtimin e Tij ndaj Abrahamit dhe bekimi i Tij ishte mbi këtë familje të madhe, e cila një ditë do të bëhej një komb i madh.

Edhe kjo familje kishte probleme. Tensionet midis vëllezërve u përqendruan te Jozefi. Perëndia i kishte dhënë Jozefit një ëndërr, që dukej sikur tregonte se atij do t’i jepej një pozitë me rëndësi mbi vëllezërit e tij. Vëllezërit nuk e pritën mirë këtë gjë, ndaj dhe vendosën se ishte koha që t’i jepnin Jozefit një mësim për përulësinë.

Një ditë, teksa ishin në fusha, Jozefi u sulmua nga vëllezërit e tij. Ata e hodhën në një pus dhe e lanë atje, derisa kaluan disa tregtarë sh​ëtitës. Ata e shitën Jozefin tek udhëtarët, që e çuan në Egjipt. Vëllezërit u kthyen në shtëpi për t’i treguar Jakobit, atit të tyre, që Jozefi ishte vrarë nga një kafshë e egër. Asgjë nuk e ngushëllonte Jakobin në hidhërimin e tij (Zanafilla 37).

Kjo histori na çon në luginën e dytë, ku zbulojmë vuajtjen e familjes që Perëndia kishte zgjedhur të bekonte. Meqenëse Perëndia kishte premtuar se përmes pasardhësve të Abrahamit do të bekonte të gjitha kombet, shpresa e botës ishte e lidhur ngushtë me të ardhmen e kësaj familjeje të trazuar.

SHPËRBLIM MIZOR PËR INTEGRITETIN

Kur udhëtarët mbërritën në Egjipt, ata ia shitën Jozefin Potifarit, një zyrtari të shquar në qeverinë e Faraonit (Zanafilla 39:1). Perëndia i dha Jozefit sukses në gjithçka, dhe kjo bëri që Potifari ta vendoste Jozefin në krye të shtëpisë së tij (Zanafilla 39:3-4). Por gjërat u ndërlikuan kur gruaja e Potifarit u përpoq ta joshte Jozefin dhe ai u largua me vrap nga shtëpia. Për t’u hakmarrë ndaj tij, gruaja e Potifarit pretendoi se ai ishte përpjekur ta përdhunonte. Në fund të ditës, Jozefi e gjeti veten në burg, së bashku me të burgosurit e faraonit. Ky ishte një trajtim i vrazhdë për një njeri, që kishte vepruar me integritet.

Perëndia ishte me Jozefin në burg dhe i dha atij aftësinë për të parashikuar me saktësi të ardhmen duke interpretuar ëndrrat. Faraoni ishte trazuar nga disa ëndrra, në të cilat kishte parë shtatë lopë të majme, që u përlanë nga shtatë lopë thatanike. Prandaj, kur dëgjoi për Jozefin, urdhëroi që ta sillnin para tij. Jozefi i tha faraonit se Perëndia po i tregonte se çfarë do të ndodhte në të ardhmen. Mbas shtatë vitesh të korrash të bollshme do të vinin shtatë vite zi buke (Zanafilla 41:28-30).

Faraoni dalloi që Perëndia ia kishte zbuluar Jozefit këtë dhe e vuri atë përgjegjës për ndërtimin e rezervave të grurit, për ta ushqyer popullsinë gjatë viteve të ardhshme të zisë së bukës. Jozefi i ngjiti shpejt shkallët e suksesit në historinë politike, dhe u bë njeriu më i fuqishëm në Egjipt pas Faraonit (Zanafilla 41:39-40).

PERËNDIA KISHTE QËLLIME TË MIRA

Ndërkohë, atje në Kanaan, babai dhe vëllezërit e Jozefit nuk e kishin fare idenë për zinë e bukës, që do të vinte, dhe nuk bënë asgjë për t’u përgatitur. Kur zia e bukës erdhi, ata ishin në hall të madh. Kur dëgjuan se në Egjipt kishte grurë, vëllezërit e Jozefit udhëtuan atje me shpresën për të gjetur ushqim.

Ata nuk ia kishin idenë se çfarë kishte bërë Perëndia për Jozefin. Fillimisht vëllezërit nuk e njohën atë, dhe kur në fund ai ua zbuloi identitetin e tij, ata u tmerruan (Zanafilla 45:3). Megjithatë Jozefi i fali. Ai e kishte parë se Perëndia kishte qenë duke punuar edhe nëpërmjet përvojave të dhimbshme në jetën e tij. Përmes një sërë ngjarjesh mizore dhe të pazakonta, që përfshinin vëllezërit, tregtarët e skllevërve, dhe gruan e Potifarit, Perëndia e kishte vendosur Jozefin në një post, nga ku mund të shpëtonte familjen që Perëndia kishte zgjedhur për ta bekuar, në mënyrë që ajo të mos shfarosej nga zia e bukës. “Sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj”, tha ai. “Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës” (Zanafilla 45:5; 50:20).

HOLOKAUSTI I PARË

Familja që Perëndia kishte zgjedhur të bekonte, u vendos në Egjipt. Ata ishin shtatëdhjetë e pesë veta, kur mbërritën atje (Veprat 7:14) dhe në vitet që pasuan, familja u zmadhua. Por gjërat ndryshuan shpejt kur një sundimtar i ri mori fronin në Egjipt (Eksodi 1:8). Ai u shqetësua nga shumimi i shpejtë i izraelitëve, ndaj dhe nisi një përndjekje të ashpër kundër tyre, duke i detyruar të punonin në fusha dhe në kantiere ndërtimi me orë të zgjatura dhe në kushte të tmerrshme (Eksodi 1:9, 14).

Populli i Perëndisë vazhdoi të shtohej edhe nën shtypje, dhe kështu faraoni shpalli zgjidhjen e tij përfundimtare: vrasjen e dekretuar të foshnjave. Ai urdhëroi që çdo fëmijë mashkull i porsalindur të mbytej në lumin Nil (Eksodi 1:22). Paragjykimi racist i faraonit e verboi atë ndaj dinjitetit dhe vlerës unike të çdo jete njerëzore. Ky ishte holokausti i parë.

Faraoni i ri nuk dinte asgjë për Jozefin dhe asgjë për Perëndinë e Biblës, i cili e kishte shpëtuar kombin e Tij nga katastrofa e zisë së bukës. Aty ku Perëndia nuk njihet, jeta njerëzore nuk vlerësohet; dhe atje ku jeta njerëzore nuk vlerësohet, e keqja do të vërshojë së shpejti.

Perëndia e kishte mbrojtur popullin e tij nga zia e bukës në Egjipt, por qëllimi i Tij nuk ishte që ata të qëndronin atje. Dhe ndodhi që përmes kësaj përndjekjeje të ashpër dhe të zgjatur, hebrenjtë që dikur ishin rehatuar në Egjipt, filluan t’i thërrasin Perëndisë për shpëtim.

Pas katërqind vitesh, në të cilat nuk kishte pasur një përparim të konsiderueshëm në planin e Perëndisë për të bekuar racën njerëzore, Perëndia ishte gati të hynte sërish në rrjedhën e historisë për ta sjellë popullin e Tij në tokën që u kishte premtuar.

Pamja e luginës së dytë

Në luginën e dytë, ne përballemi me realitetin e së keqes dhe misterin e vuajtjes. Pse i lejoi Perëndia njerëzit që kishte bekuar, të përjetonin kaq shumë dhimbje? Perëndia ka zgjedhur të mos i përgjigjet plotësisht kësaj pyetjeje. Por lugina e dytë e historisë së Biblës na tregon se edhe vuajtjet tona më të dhimbshme do të zënë vendin e tyre në qëllimin përfundimtar të Perëndisë.

Pyetje Diskutimi

Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më tej me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore si një pyetje personale reflektimi.

Jeremia 23:29

A nuk është fjala ime si zjarri, kumton Zoti , e si çekani që thërrmon shkëmbin?

Psalmi 19:8

I përsosur është ligji i Zotit, shpirtin përtërin, e vërtetë dëshmia e Zotit, të thjeshtit i jep urti.

Ne e dimë se Perëndia bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan atë dhe që janë thirrur sipas qëllimit të tij.

Romakëve 8:28

Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav. Me pranga ia shtrënguan këmbët, hekura i vunë rreth qafës, derisa u përmbush fjala e tij, fjala e Zotit e sprovoi atë.

Psalmi 105:17-19

Ky pikëllim i lehtë që po kalojmë tani po na përgatit për një lavdi të pashoqe, të begatë e të amshuar.

2 Korintasve 4:17