Besëlidhja

Dëgjo Mësimin

Jozueu 24:1-33
Mësimi

Kuvendi i Shekemit

1 Jozuehu i mblodhi të gjitha fiset e Izraelit në Shekem dhe i thirri pleqtë e Izraelit, prijësit, gjykatësit dhe krerët të paraqiteshin para Perëndisë. 

2 Atëherë Jozuehu i tha mbarë popullit: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Në kohët e shkuara paraardhësit tuaj, si Terahu, ati i Abrahamit dhe i Nahorit, jetonin përtej lumit të Eufratit dhe u shërbenin perëndive të tjerë. 

3 Por unë e mora Abrahamin nga përtej lumit dhe i priva nëpër tërë vendin e Kanaanit. Ia shtova pasardhësit dhe i dhashë Isakun. 

4 Isakut i dhashë Esaun. Esaut i dhashë për pronë malin e Seirit, ndërsa Jakobi dhe bijtë e tij shkuan në Egjipt. 

5 Pastaj dërgova Moisiun e Aronin, godita Egjiptin me mrekullitë që bëra atje dhe ju nxora prej andej. 

6 Kur dolën nga Egjipti, etërit tuaj mbërritën te deti i Kuq, por egjiptianët i ndoqën deri atje me karroca dhe me kuaj. 

7 Ata i thirrën për ndihmë Zotit dhe ai vuri terrin midis tyre dhe egjiptianëve. Pastaj hodhi mbi egjiptianët detin dhe deti i mbuloi. Ju e patë me sytë tuaj çfarë bëra në Egjipt. Mandej jetuat për një kohë të gjatë në shkretëtirë. 

8 Pastaj ju solla në tokën e amoritëve, që banonin përtej Jordanit. Ata luftuan kundër jush, por unë jua dorëzova juve dhe i shfarosa para jush. Tokën e tyre e morët ju. 

9 Edhe Balaku, biri i Ciporit dhe mbreti i Moabit, doli të luftojë kundër Izraelit. Ai thirri Balaamin, birin e Beorit, që t'ju mallkonte. 

10 Por unë nuk desha ta dëgjoja Balaamin, prandaj ai ju bekoi dhe unë ju shpëtova prej dorës së tij. 

11 Si e kaluat Jordanin, mbërritët në Jeriko. Banorët e Jerikosë, amoritët, perizitët, kananitët, hititët, girgashitët, hivitët dhe jebusitët, luftuan kundër jush, por unë jua dorëzova juve. 

12 Lëshova grerëzat para jush dhe me to dëbova nga ju dy mbretërit e amoritëve pa shpatën apo harkun tuaj. 

13 Ju dhashë një tokë që nuk e kishit punuar ju dhe qytete që nuk i kishit ndërtuar ju, por ju banoni në to. Vreshtat dhe ullinjtë nuk i mbollët ju, por po hani prej tyre”.

14 Tani, pra, druajeni Zotin dhe shërbejini atij me përsosmëri dhe me besnikëri. Hidhni tej perënditë që kanë adhuruar paraardhësit tuaj, kur ishin përtej lumit të Eufratit e në Egjipt, dhe shërbejini Zotit. 

15 Nëse nuk ju duket gjë e mirë t'i shërbeni Zotit, atëherë vendosni sot se kujt doni t'i shërbeni, perëndive që u shërbyen paraardhësit tuaj, kur ishin përtej lumit Eufrat, apo perëndive të amoritëve, në tokën e të cilëve banoni? Sa për mua dhe shtëpinë time, ne do t'i shërbejmë Zotit».

16 Atëherë populli u përgjigj e tha: «Larg qoftë të braktisim Zotin e t'u shërbejmë perëndive të tjerë. 

17 Zoti, Perëndia ynë, është ai që na nxori ne dhe etërit tanë nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë dhe ai që bëri shenja të mëdha para syve tanë. Ai na ruajti gjatë gjithë udhës dhe na mbrojti nga të gjithë popujt, nëpër tokat e të cilëve kaluam. 

18 Ai i dëboi para nesh të gjithë popujt e në veçanti amoritët, që banojnë në këtë tokë. Prandaj, edhe ne do t'i shërbejmë Zotit, sepse ai është Perëndia ynë».

19 Atëherë Jozuehu i tha popullit: «Ju nuk do të mund t'i shërbeni Zotit, sepse ai është Perëndi i shenjtë e xheloz, prandaj dhe nuk ka për t'i duruar paudhësitë dhe mëkatet tuaja. 

20 Nëse e braktisni Zotin e u shërbeni perëndive të huaj, ai do të kthehet kundër jush e do t'ju shfarosë, pas gjithë të mirave që ju ka bërë». 

21 Populli i tha Jozuehut: «Jo, ne do t'i shërbejmë Zotit». 

22 Atëherë Jozuehu i tha popullit: «Ju jeni vetë dëshmitarë se keni vendosur t'i shërbeni Zotit». Ata iu përgjigjën: «Jemi dëshmitarë». 

23 Jozuehu u tha: «Atëherë, flakni tej të gjitha perënditë që janë mes jush dhe kthejini zemrat drejt Zotit, Perëndisë së Izraelit». 

24 Dhe populli i tha Jozuehut: «Zotit, Perëndisë tonë, do t'i shërbejmë dhe atë do të dëgjojmë». 25 Atë ditë Jozuehu lidhi besën me popullin në Shekem dhe nxori rregulla e vendime, 

26 fjalët e të cilave i shënoi në librin e ligjit të Perëndisë. Pastaj mori një gur të madh dhe e vendosi aty, poshtë lisit, pranë shenjtërores së Zotit. 

27 Atëherë Jozuehu i tha popullit: «Ja, ky gur do të jetë dëshmi për ju, sepse i dëgjoi të gjitha fjalët që na tha Zoti. Ky gur do të jetë dëshmi kundër jush, që të mos e mohoni Perëndinë tuaj». 28 Pastaj Jozuehu i la të shkonin secili në pronën e vet.

Vdekja e Jozuehut

29 Pas këtyre ngjarjeve, Jozuehu, biri i Nunit dhe shërbëtori i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeçare. 

30 E varrosën në tokën që kishte trashëguar, në Timnah Serah, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gash.

31 Izraeli i shërbeu Zotit për sa kohë qe gjallë Jozuehu e për sa kohë qenë gjallë pleqtë që jetuan pas Jozuehut, të cilët i dinin të gjitha veprat që kishte bërë Zoti për Izraelin.

32 Eshtrat e Jozefit, që izraelitët i kishin sjellë me vete nga Egjipti, i varrosën në Shekem, në arën që Jakobi kishte blerë prej Hamorit, atit të Shekemit, për njëqind copa argjendi dhe që ishte pronë e pasardhësve të Jozefit.

33 Edhe Eleazari, biri i Aronit, vdiq e u varros në Gibeah, në pronën që i ishte dhënë Finehasit, birit të tij, në krahinën malore të Efraimit.



500 vjet pasi Perëndia iu shfaq Abrahamit, pasardhësit e tij ishin rreth dy milion njerëz. Ata ishin të shtypur në Egjipt dhe nga kjo pikëpamje jeta e tyre dukej e zymtë.

Por Perëndia nuk e kishte harruar popullin e Tij, as premtimin e Tij për t’u dhënë atyre tokën e premtuar. Pas katërqind vitesh heshtje, Perëndia që iu shfaq Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, ndërhyri në jetën e një burri të quajtur Moisi.

Dora e Perëndisë ishte mbi Moisiun që në ditët e hershme të tij. Nëna e Moisiut e fshehu atë në një shportë në brigjet e lumit Nil për ta shpëtuar nga masakra e foshnjave izraelite; vajza e Faraonit e gjeti dhe e rriti si princ në pallatin mbretëror, por më vonë Moisiu iku nga Egjipti për të filluar një jetë anonime në shkretëtirë.

ZJARRI VETUSHQYES

Ky ishte çasti kur ndërhyri Perëndia. Moisiu pa një shkurre, që digjej dhe flaka nuk e konsumonte. Zjarri ushqente veten. Të gjitha zjarret e tjera shuhen kur e kanë shteruar lëndën djegëse në dispozicion. Një qiri digjet derisa dylli shkrihet, dhe pastaj flaka shuhet. Por kjo flakë ishte krejt ndryshe nga të tjerat. Ajo mbante gjallë veten. Perëndia është vetekzistues. Ai nuk varet nga askush dhe asgjë.

Ndërsa Moisiu u afrua, Perëndia i foli nga zjarri: “Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut, dhe Perëndia i Jakobit” (Eksodi 3:6). Pastaj Perëndia zbuloi emrin, me të cilin Ai donte të njihej: “UNË JAM AI QË JAM” (Eksodi 3:14).

Më pas, Perëndia e dërgoi Moisiun ta nxirrte popullin e Tij nga Egjipti (Eksodi 3:10). Moisiu u përball me Faraonin sipas urdhrit të Perëndisë: “Lëre popullin tim të shkojë” (Eksodi 5:1). Faraoni nuk pranoi. Por pas një sërë fatkeqësish që shkatërruan mbretërinë e tij, më në fund faraoni iu bind urdhrit të Perëndisë.

PASQYRIMI I KARAKTERIT TË PERËNDISË

Mbas dy muajsh, njerëzit e Perëndisë e ngritën kampin në malin Sinai. Atje qëndruan për dhjetë muaj dhe Perëndia e përdori atë kohë për të kthyer një turmë të hutuar në një komb të disiplinuar.

Përparësia e parë ishte që njerëzit të kuptonin thirrjen e tyre unike. Ata ishin populli i Perëndisë, trashëgimtarë të premtimeve, që Perëndia ia kishte dhënë Abrahamit. Perëndia ua konfirmoi përkushtimin e Tij në një besëlidhje: “Do të eci midis jush dhe do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im” (Levitiku 26:12).

Pastaj Perëndia i dha popullit të Tij Dhjetë Urdhërimet, të cilat nuk ishin një listë arbitrare rregullash, apo një grup vlerash të kushtëzuara nga ana kulturore. Këto urdhërime janë një pasqyrim i drejtpërdrejtë i karakterit të Perëndisë. Kur Ai thotë: “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje,” ka të bëjë me faktin se Ai është i vetmi Perëndi. Kur Perëndia thotë: “Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore”, Ai e thotë këtë, sepse është besnik. Kur Ai thotë: “Nuk do të lakmosh,” kjo është për shkak se Perëndia është në paqe me Veten dhe i bën thirrje popullit të Tij të jetë si vetë Ai (Eksodi 20:3, 14, 17).

Zbatimi i ligjit nuk na bën njerëz të Perëndisë, por të qenët populli i Perëndisë do të thotë që jemi thirrur të reflektojmë karakterin e Tij duke jetuar sipas ligjit të Tij.

TË ZHYTUR NË KRIZA

Disa javë më vonë, populli i Perëndisë u zhyt në krizë. Kur Moisiu ishte larg, populli bëri një idhull dhe të gjithë u përfshinë në lloj-lloj shthurjesh (Eksodi 32:5–6). Sjellja e tyre ishte më tepër një mospërputhje sesa një pasqyrim i karakterit të Perëndisë.

Perëndia i tha popullit të Tij se Ai do t’u jepte tokën e Kanaanit, por për shkak të mëkatit të tyre ata nuk do ta gëzonin dhuratën e pranisë së Tij (Eksodi 33:3). Kur populli e dëgjoi këtë, iu thye zemra. Ata e kuptuan që dhuratat e lirisë dhe begatisë nuk do të kishin kuptim pa praninë dhe bekimin e Perëndisë, prandaj dëshironin që marrëdhënia e tyre me Perëndinë të ripërtërihej.

NJË VEND PËR T’U TAKUAR ME PERËNDINË
Perëndia i dha Moisiut udhëzime të hollësishme për një qendër adhurimi të lëvizshme, të quajtur tabernakull. Në qendër të kësaj strukture, të ngjashme me një çadër, ishte Vendi Shumë i Shenjtë. Arka e besëlidhjes u vendos atje. Ajo ishte një arkë prej druri e mbuluar nga një kapak me statujat e kerubimëve, figurat engjëllore që kishin ruajtur hyrjen e Kopshtit të Edenit.

Ky ishte vendi ku Perëndia do të takohej me një përfaqësues të popullit të Tij, të quajtur kryeprift (Eksodi 25:22). Kur kryeprifti hynte në Vendin Shumë të Shenjtë dhe spërkaste gjakun e një kafshe të flijuar midis kerubimëve, tabernakulli mbushej me një re, që përfaqësonte praninë e drejtpërdrejtë të Perëndisë.

Perëndia po tregonte se si prania e Tij do të kthehej te populli i Tij. Kerubimët ishin një kujtesë pamore se mëkati sjell gjithmonë vdekje. Por gjaku i kafshës së flijuar tregonte gatishmërinë e Perëndisë për të pranuar një zëvendësues.

DUKE ECUR PËRPARA ME PERËNDINË
Populli i Perëndisë u zhvendos nga Sinai dhe u drejtua për në Kanaan. Prania e Perëndisë ishte me ta, dhe Ai ishte i gatshëm t’u jepte tokën, që i kishte premtuar Abrahamit. Por toka ishte tashmë e zënë dhe popullit të Perëndisë i mungonte guximi për të luftuar. Pa besim, ata nuk mund të gëzonin përmbushjen e premtimit të Perëndisë, prandaj u endën në shkretëtirë për dyzet vjet, derisa një brez i ri ishte gati të ecte përpara në bindje.

Populli i Perëndisë hyri në Tokën e Premtuar nën udhëheqjen e Jozueut, pasardhësit të Moisiut. Në këtë ndodhi të vetme Perëndia plotësoi dy qëllime: Ai përmbushi premtimin e besëlidhjes së Tij dhe solli gjykim.

Perëndia i kishte thënë Abrahamit se do të kishte një vonesë të gjatë para se pasardhësit e tij të trashëgonin Tokën e Premtuar, sepse “padrejtësia e amorenjve s’ka arritur ende kulmin” (Zanafilla 15:16). Kjo ndodhi pesëqind vjet më vonë. Perëndia i kishte parë mizoritë e tyre të vazhdueshme, prandaj solli rrënimin e amorenjve.

Pamja nga mali i tretë

Kur u vendosën në tokën e premtuar, Jozueu i bëri thirrje popullit që ta ripërtërinte besëlidhjen e tij me Perëndinë. Në më pak se pesëdhjetë vjet, Perëndia e kishte sjellë popullin e Tij nga skllavëria e Egjiptit në begatinë e Kanaanit. “Ne do t’i shërbejmë Perëndisë”, thanë ata (Jozueu 24:18).

Ishte një moment i shkëlqyeshëm. Por nuk do të kalonte shumë kohë derisa populli i Perëndisë ta gjente veten sërish në një luginë tjetër të errët.

Pyetje Diskutimi

Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më tej me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore si një pyetje personale reflektimi.

Jeremia 23:29

A nuk është fjala ime si zjarri, kumton Zoti , e si çekani që thërrmon shkëmbin?

Psalmi 19:8

I përsosur është ligji i Zotit, shpirtin përtërin, e vërtetë dëshmia e Zotit, të thjeshtit i jep urti.

Perëndia i tha Moisiut: « Unë jam ai që unë jam !». Dhe shtoi: «Kështu thuaju izraelitëve: “ Unë Jam më ka dërguar te ju”».

Dalja 3:14

Do të eci mes jush, do të jem Perëndia juaj e ju do të jeni populli im

Levitiku 26:12

Me anë të besimit, Moisiu e la Egjiptin pa pasur frikë nga zemërimi i mbretit, sepse qëndroi i palëkundur duke parë të padukshmin.

Hebrenjve 11:27