Mëkati

Edhe pse Perëndia e shfaqi Veten përmes zjarrit në malin Karmel, njerëzit e Perëndisë vazhduan të adhuronin idhujt. Secili prej mbretërve në veri bëri atë që është e keqe në sytë e Perëndisë. Si përfundim Perëndia i lejoi armiqtë të pushtonin mbretërinë veriore. Mbreti i Asirisë dëboi të gjithë popullsinë, por më vonë ai e ripopulloi zonën me njerëz nga shumë kombe. Perëndia po përparonte në qëllimin e Tij për të bekuar të gjithë njerëzit.
2 Mbretërve 17:6-28
Mësimi

6 Në vitin e nëntë të mbretërimit të Hosesë, mbreti i Asirisë e pushtoi Samarinë, banorët e Izraelit i çoi në mërgim në Asiri dhe i vuri të banojnë në Halah, në krahinën e Gozanit pranë lumit Habor dhe në qytetet e Medës.

Robërimi i Izraelit

7 Kjo ndodhi ngaqë izraelitët kishin mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë së tyre, që i kishte nxjerrë nga toka e Egjiptit dhe nga zgjedha e faraonit, mbretit të Egjiptit, por ata kishin nderuar perëndi të tjerë. 

8 Izraelitët kishin ndjekur doket e kombeve, që Zoti kishte dëbuar para syve të tyre, dhe doket që kishin futur mbretërit e Izraelit. 

9 Me veprat e tyre të padrejta, izraelitët bënë gjëra të pështira kundër Zotit, Perëndisë së tyre, dhe ndërtuan faltore nëpër vende të larta në të gjitha qytetet e tyre, që nga kullat e vrojtimit e deri te qytetet e fortifikuara. 

10 Ata ngritën përmendore të shenjta dhe shtylla të Asherasë në çdo kodër të lartë dhe nën çdo pemë të harlisur. 

11 Ata kushtuan temjan nëpër faltoret në vende të larta, ashtu si kombet që Zoti kishte dëbuar para tyre, dhe bënë ligësi që ndezën zemërimin e Zotit. 

12 Ata u shërbyen idhujve, për të cilët Zoti u kishte urdhëruar të mos e bënin. 

13 Zoti e kishte paralajmëruar Izraelin dhe Judën përmes profetëve dhe vegimtarëve e u kishte thënë: «Kthehuni nga udha juaj e ligë e mbajini urdhërimet, rregullat dhe mbarë ligjet që u kam urdhëruar paraardhësve tuaj e që ju kam urdhëruar edhe juve përmes profetëve, shërbëtorëve të mi».

14 Por izraelitët nuk dëgjuan e u bënë kokëfortë, ashtu si paraardhësit e tyre, që nuk besuan te Zoti, Perëndia i tyre. 

15 Ata i përbuzën rregullat dhe besëlidhjen që Zoti kishte bërë me paraardhësit e tyre, si dhe paralajmërimet që u kishte dhënë përmes dëshmive. U dhanë pas idhujve të kotë e u bënë vetë kotësi, si dhe pas kombeve që i rrethonin, për të cilët Zoti i kishte urdhëruar të mos silleshin si ata. 

16 Izraelitët i braktisën të gjitha urdhërimet e Zotit, Perëndisë së tyre, dhe bënë dy idhuj demash prej metali dhe një shtyllë të Asherasë. Adhuruan mbarë ushtrinë qiellore dhe i shërbyen Baalit. 17 Kushtuan bijtë e bijat e tyre në zjarr, u morën me shortari e me magji dhe ia shitën shpirtin të keqes kundër Zotit, duke ndezur kështu zemërimin e tij. 

18 Zoti u zemërua shumë me Izraelin, prandaj e dëboi larg pranisë së tij. Mbeti vetëm fisi i Judës.

19 As judenjtë nuk i mbajtën urdhërimet e Zotit, Perëndisë së tyre, por ecën sipas dokeve të Izraelit. 

20 Kështu, Zoti e hodhi poshtë mbarë farën e Izraelit, i poshtëroi dhe i dha në duart e kusarëve, derisa i dëboi nga prania e tij.

21 Izraeli u shkëput nga shtëpia e Davidit dhe bëri mbret Jeroboamin, birin e Nebatit, i cili e largoi Izraelin nga Zoti dhe e shtyu të mëkatojë rëndë. 

22 Që nga ajo kohë izraelitët u dhanë pas të gjitha mëkateve të Jeroboamit e nuk u shmangën prej tyre, 

23 derisa Zoti i dëboi nga prania e tij, ashtu siç kishte thënë përmes profetëve, shërbëtorëve të tij. Kështu, izraelitët u dëbuan nga toka e tyre dhe janë në mërgim në Asiri edhe sot e kësaj dite.

Prejardhja e samaritanëve

24 Mbreti i Asirisë solli popullsi nga Babilonia, nga Kuta, nga Avahu, nga Hamati e nga Sefarvaimi dhe i vendosi në qytetet e Samarisë, në vend të izraelitëve. Këta popuj e bënë Samarinë pronë të tyre dhe banuan në qytetet e saj. 

25 Në fillim ata nuk e druanin Zotin dhe Zoti u dërgoi luanë, që t'i shqyenin. 

26 I dërguan lajm mbretit të Asirisë e i thanë: «Kombet që dërgove në mërgim për të banuar në qytetet e Samarisë, nuk i njohin ligjet e Perëndisë së asaj toke, prandaj ai u ka dërguar luanë, që po i shqyejnë për shkak se ata nuk i dinë ato ligje». 

27 Atëherë mbreti i Asirisë urdhëroi të çonin në Samari njërin nga priftërinjtë që kishin shpërngulur, që ai të shkonte, të banonte atje e t'u mësonte ligjet e Perëndisë së asaj toke. 

28 Kështu, njëri nga priftërinjtë që kishin shpërngulur nga Samaria, u kthye e u vendos në Betel. Ai u mësoi si të druanin Zotin.

Për shumë njerëz në kulturën e sotme, “mëkati” është bërë një fjalë që përshkruan kënaqësi paksa të tepruara, por që janë krejtësisht të pranueshme; pak a shumë si të hash shumë çokollatë. 

Imagjino një bashkëshort dhe baba 35-vjeçar në shtëpi të djelën në mëngjes. Le ta quajmë atë Bob. Ai sapo ka mbaruar së lexuari gazetën e të djelës dhe vendos se ka ardhur koha që më në fund të pastrojë bodrumin. Teksa u hedh një sy kutive me gjëra të vjetra që janë mbledhur, ai sheh një Bibël të vjetër që i përkiste gjyshes së tij. Diçka përbrenda i thotë se nuk duhet ta hedhë atë; ajo është e vjetër dhe përmban të gjitha shënimet që gjyshja e tij ka lënë nëpër faqet e saj. Ai e hap dhe lexon se “Jezus Krishti erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët” (1 Timoteu 1:15).

Kjo i duket Bobit paksa demode. Jezusi erdhi të shpëtojë ata që e teprojnë me kënaqësinë! Bobit i pëlqejnë tortat dhe e di që nuk duhet ta teprojë, por ai stërvitet rregullisht dhe është në formë të mirë, ndaj nga se ka nevojë ai të shpëtohet? Ai hedh një sy në disa faqe dhe lexon se Perëndia ishte i zemëruar me njerëzit që mëkatuan (Hebrenjve 3:10). Kjo nuk ka ndonjë kuptim për Bob-in. Përse duhet që mëkati, ashtu si ai e kupton atë, ta zemërojë Perëndinë? Çfarë lloj Perëndie zemërohet me njerëzit që e teprojnë pak me kënaqësinë?

Kështu, Bobi e mbyll Biblën, i qetë që kishte bërë zgjidhjen e duhur ta shpenzonte mëngjesin e së djelës në shtëpi. Ai e do bashkëshorten dhe fëmijët e tij, dhe nuk e kupton pse gjyshja e tij mendonte se Bibla është një libër kaq i mrekullueshëm.

Mëkati është duke marrë gjithnjë e më shumë një përkufizim të ri, në mënyra që të duket sikur nuk është ndonjë gjë e madhe. Por mëkati nuk është një kënaqësi që nuk bën dëm. Mëkati është të rebelohesh kundrejt Perëndisë, dhe kur e kupton se mëkati është problemi yt më i madh, do të zbulosh nevojën tënde për Jezusin.

Prioriteti i Perëndishmërisë 

Mëkati është një fuqi shkatërruese. Mund të shkatërrojë një jetë, një familje, ose një kishë. 2 Mbretërve 17 na tregon se si mëkati shkatërroi një komb të tërë. Pas vdekjes së Salomonit, 10 fiset në veri të Izraelit deklaruan pavarësinë e tyre nga dy fiset në jug, duke e ndarë veten nga bekimi që Perëndia i kishte premtuar linjës mbretërore të pasardhësve të Davidit. Ishin 19 mbretër në veri, dhe secili prej tyre bëri atë që ishte e keqe në sytë e Perëndisë. Pas rreth 200 vitesh, Perëndia i lejoi armiqtë e tyre ta pushtonin mbretërinë veriore. Njerëzit u dëbuan prej aty, dhe e gjithë zona u kthye në një lloj shkretëtire të braktisur.

Mbreti i parë i 10 fiseve veriore ishte i vendosur që populli i tij të mos shkonte në Jeruzalem për të adhuruar Perëndinë. Kështu që ai krijoi fenë e tij në Dan dhe Bethel, ku vendosi dy viçat prej ari. 

Kjo fe e krijuar nga njeriu solli si rrjedhojë një kulturë ku të pasurit jetonin në kamje dhe nuk donin t’ia dinin për të varfrit. Rrugët ishin të mbushura me dhunë, dhe njerëzit e Perëndisë i’u dhanë praktikave të tmerrshme, duke hedhur në zjarr fëmijët që nuk i donin. E megjithatë, akuza e parë që Perëndia solli kundër tyre, nuk ishte dhuna, vrasja, lakmia, dhe as mizoria ndaj fëmijëve. Ankesa e parë e Perëndisë, ishte që populli i Tij kishte adhuruar perëndi të tjerë (2 Mbretërve 17:7). 

Katër urdhërimet e para janë të gjitha për Vetë Perëndinë: “Mos ki perëndi të tjerë para meje. Mos bëj skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje…Mos e përdor emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot… Mbaje mend ditën e shabatit për ta shenjtëruar.” (Eksodi 20:3-4, 7-8). Thirrja jonë e parë është drejt një jete të përqendruar tek Perëndia.

Bibla e quan këtë “perëndishmëri” (shih 1 Timoteu 4:7), dhe kjo përparësi konfirmohet edhe nga mësimet e Jezusit. Kur e pyetën për urdhërin më të madh, Jezusi u përgjigj: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde” (Mateu 22:37).

Perëndishmëria Sjell Drejtësi

Pasi na thërret për perëndishmëri në katër urdhërimet e para, Perëndia na bën thirrje për drejtësi në marrëdhëniet tona me të tjerët: “Ndero atin tënd dhe nënën tënde. Mos vrit. Mos shkel besnikërinë bashkëshortore. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme. Mos lakmo” (Ekodi 20:12-17). Perëndia na thërret të reflektojmë dashurinë e Tij në marëdhëniet tona me njerëzit e tjerë. Krishti e konfirmoi këtë, kur Ai tha se urdhërimi i dytë është, “duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:39). 

Drejtësia është ndërtuar mbi themelet e perëndishmërisë, ndaj kur njerëzit refuzojnë Perëndinë, drejtësia u rrëshqet nga duart. Kur një komb i kthen kurrizin Perëndisë së gjallë, rezultati do të jetë konfuzion moral dhe përmbytje nga mëkati dhe ligësia. Në mbretërinë veriore mëkati filloi me njerëzit që refuzuan Perëndinë, dhe përfundoi me veprën makabër të hedhjes së fëmijëve të tyre në zjarr. Arsyeja pse ata humbën moralin e Biblës është se ata refuzuan Perëndinë e Biblës. Nuk mund të ketë drejtësi pa perëndishmëri.

Jeta pa Perëndinë

Miku ynë Bob, i cili po pastron bodrumin e tij në mëngjesin e së djelës, do që familja e tij të gëzojë frytet e drejtësisë. Ai do që martesa e tij të jetë e suksesshme, dhe do të donte që njerëzit që bëjnë biznes me të të jenë të ndershëm dhe të mbajnë fjalën e tyre. Ai pret nga zyrtarët shtetërorë të mos gënjejnë, dhe do që fëmijët e tij të jetojnë të sigurtë. 

Bobi do të gjitha frytet e drejtësisë, por ai nuk do Perëndinë. Dhe ky është mëkati i tij i parë dhe më i madh. Bobi është i paperëndishëm. Ai është një familjar i suksesshëm që do më të mirën për veten dhe familjen e tij, por ai nuk ka vend për Perëndinë në jetën e tij.

Instikti ynë i parë është të mos e duam Perëndinë, por ta fajësojmë Atë. Fuqia e Tij duket sikur kërcënon lirinë tonë, dhe Shenjtëria e Tij na fyen krenarinë. Në qoftë se Perëndia nuk i ndryshon zemrat tona, ne gjithmonë do ta urrejmë Atë. Mendja mëkatare është armiqësore ndaj Perëndisë (Romakëve 8:7).

Të Provokosh Zemërimin e Perëndisë 

Por Perëndia është jashtëzakonisht i durueshëm. Për 200 vjet Ai e përmbajti gjykimin e Tij dhe dërgoi profetët për të thirrur popullin në perëndishmëri dhe drejtësi, por ata nuk dëgjuan (2 Mbretërve 17:14). Në vend të kësaj, ata “Kishin kryer veprime të liga, duke shkaktuar zemërimin e Zotit” (17:11). 

Kushtoi vëmendje fjalës “shkaktuan.” Zemërimi nuk është në natyrën e Perëndisë. Ai është gjithmonë i shenjtë, Ai është gjithmonë dashuri, por Ai nuk është gjithmonë i zemëruar. Perënditë e lashta ishin nga natyra zemërakë, gjithmonë duke kërcënuar, dhe vazhdimisht kishin nevojë për zbutje. Kështu, flijimet e ofertat u bëheshin atyre për t’i zbutur, por zemërimi i tyre nuk shuhej kurrë, vetëm përmbahej. Por Perëndia i Biblës është krejt ndryshe: “Zoti është…i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi” (Psalmi 103:8). 

Nuk është në natyrën e Perëndisë të zemërohet, por Ai mund të provokohet për zemërim, dhe për këtë ne duhet të jemi falenderues. Ne nuk i admirojmë ata që qëndrojnë spektatorë ndërsa dikush po abuzohet. Si do të mund të adhuronim ne një Perëndi i cili po tregohej indifferent ndaj personave që hidhnin fëmijët e tyre në zjarr?

Kushtoi vëmendje gjithashtu faktit se çfarë bën Perëndia kur provokohet për zemërim: “Prandaj Zoti u zemërua shumë me Izraelin dhe e largoi nga prania e tij” (2 Mbretërve 17:18), një reference kjo për Tokën e Premtuar. Në fund të historisë së Biblës ne na thuhet se çdo person që ka jetuar do të qëndrojë përpara Perëndisë, dhe të paperëndishmit e të padrejtët do të dëbohen nga prania e Perëndisë. Ky është ferri–të kalosh përjetësinë jashtë bekimit të Perëndisë.

Mëshira e Perëndisë në Veprim

Kur Perëndia e largoi popullin e Tij nga prania e Tij, toka që Ai kishte premtuar ta bekonte mbeti e shkretë dhe e pabanuar. Por mbreti i Asirisë e ripopulloi zonën, duke sjellë njerëz nga e gjithë perandoria e tij dhe duke i vendosur aty (2 Mbretërve 17:24).

Kur këta emigrantë mbërritën, ata u përballën me një problem të papritur. Disa prej tyre u sulmuan nga luanët. Kur lajmi vajti në veshët e mbretit të Asirisë, ai mendoi se mënyra më e mirë për të zgjidhur këtë problem do të ishte të gjente një prift nga populli që kishte jetuar aty më parë. Ai mendoi se një prift i zonës do të dinte çfarë të bënte për të qetësuar cilindo “perëndi” që po e shkaktonte këtë problem. Kështu, ai dha urdhër që një prift Judaik të dërgohej në Izrael, dhe “Kështu një nga priftërinjtë, që ishin internuar nga Samaria, shkoi dhe u vendos në Bethel dhe u mësoi atyre si duhet t’i druheshin Zotit” (2 Mbretërve17:28).

Këtu u shfaq mëshira e Perëndisë në veprim. Ai solli njerëz nga veriu, jugu, lindja dhe perëndimi në vendin që Ai kishte premtuar të bekonte, dhe dërgoi një nga priftërinjtë e Tij, në mënyrë që ata njerëz të mund ta njihnin Atë. Njerëz nga shumë kombe patën mundësinë të njihnin të vërtetën, por me kalimin e kohës ata u bënë të hutuar sepse ata vazhdonin të adhuronin edhe perënditë e tyre (17:29). Këta njerëz u bënë të njohur më vonë si Samaritanët. 

Kur Jezusi shkoi nëpër Samari (Gjoni 4:4), Ai takoi një grua aty e cila ishte e paperëndishme dhe mëkatare. Jezusi nuk filloi t’i thonte asaj që Perëndia ishte i zemëruar për mëkatet e saj. Ai filloi duke e udhëhequr atë drejt një marrëdhënie të drejtë me Zotin. Ai i tha asaj se Perëndia po kërkon “adhurues të vërtetë që ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën” (Gjoni 4:23).

Perëndishmëria është rrënja e drejtësisë, dhe ka pak kuptim të flasësh për drejtësi me një person që nuk e njeh dhe nuk e do Perëndinë. Jezusi filloi duke i folur gruas Samaritane në lidhje me njohjen e Perëndisë, sepse ajo mund të ndryshonte vetëm kur të zbulonte fuqinë transformuese të një jete të përqendruar tek Perëndia. 

Krishti vdiq në mënyrë që të zgjidhte problemin e paperëndishmërisë dhe padrejtësisë tek ne. Mbi kryq, Ati u soll me Birin sikur Ai të kishte jetuar një jetë të paperëndishme dhe sikur Ai të ishte fajtor për të gjitha llojet e mëkateve. Ati u largua nga Biri i Tij, i cili mbeti jashtë pranisë së Perëndisë. Kjo është dhe arsyeja pse Jezusi thirri, “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Mateu 27:46)

Krishti “vuajti një herë e përgjithmonë për mëkatet tona, ai, i drejti për të padrejtët, për t’ju çuar te Perëndia.” (1 Pjetri 3:18). Nëse do të vish tek Jezusi me besim dhe pendesë, Ai do të të drejtojë drejt një jete të perëndishme, që do jetë fillimi i rritjes tënde në drejtësi. 

Një Shteg i Hapur

Perëndia na thërret për perëndishmëri dhe drejtësi. Ne duhet ta duam Perëndinë me gjithë zemrën tonë, dhe ne duhet të duam të afërmin tonë si vetveten. Moraliteti nuk mund të ruhet kur ne humbasim njohurinë e Perëndisë. Por kur vijmë tek Jezus Krishti, Ai do të na pajtojë me Atin dhe do na drejtojë në rrugën e drejtësisë.

Pyetje Diskutimi

Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.

Gjoni 4:23

Po vjen koha, e tashmë ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Perëndinë në Shpirt e në të vërtetë, se të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.