Adami shijonte shoqërinë e gruas së tij dhe shoqërinë e Perëndisë. Puna e tij ishte përmbushëse dhe tërheqëse. E gjithë jeta e tij ishte e mbushur me bekime dhe gëzim. Kjo ishte situata në fund të Zanafillës 2, por gjithçka ndryshoi, dhe Adami e gjeti veten duke luftuar për të bërë një jetë në një botë shumë ndryshe. Burri dhe gruaja ishin jashtë vendit ku Perëndia i kishte bekuar—pa asnjë kthim mbrapa. Ata përjetuan dhimbje, frikë, dhe faj. dhe nuk e panë më Perëndinë. Diçka kishte shkuar jashtëzakonisht keq. Zanafilla 3 na e tregon këtë histori.
Mallkimi
Zanafilla 3:1-24
Mësimi
Mosbindja e Adamit dhe e Evës
1 Gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha kafshët e egra që Zoti Perëndi kishte bërë. Ai i tha gruas: «A ju ka thënë vërtet Perëndia të mos hani nga asnjë pemë e kopshtit?».
2 Gruaja i tha gjarprit: «Nga fryti i pemëve të kopshtit mund të hamë,
3 por për frytin e pemës në mes të kopshtit, Perëndia tha: “Mos hani prej saj e mos e prekni, përndryshe do të vdisni”».
4 Atëherë gjarpri i tha gruas: «Nuk do të vdisni, jo,
5 sepse Perëndia e di se ditën që do të hani prej saj, do t'ju hapen sytë e do të jeni si Perëndia, duke njohur të mirën e të keqen».
6 Dhe gruaja pa se pema ishte e mirë për t'u ngrënë, joshëse për syrin e tërheqëse, sepse jepte dijen. Ajo mori nga fryti i pemës, hëngri e i dha edhe burrit të saj që ishte me të. Hëngri edhe ai.
7 Atëherë të dyve iu hapën sytë dhe panë se ishin lakuriq. Qepën gjethe fiku e i vunë rreth ijëve.
8 Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi duke shëtitur në kopsht, në flladin e ditës, dhe njeriu me gruan e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi mes pemëve të kopshtit.
9 Zoti Perëndi e thirri njeriun e i tha: «Ku je?».
10 Ai u përgjigj: «Ta dëgjova zërin në kopsht e pata frikë, se isha lakuriq, prandaj u fsheha».
11 Dhe ai tha: «Kush të tha se je lakuriq? A mos hëngre nga pema që të urdhërova të mos hash?».
12 Njeriu u përgjigj: «Gruaja që më dhe, më dha prej pemës e unë hëngra».
13 Zoti Perëndi i tha gruas: «Çfarë bëre kështu?». Gruaja u përgjigj: «Gjarpri më mashtroi e unë hëngra».
14 Zoti Perëndi i tha gjarprit:
«Për këtë që bëre,
mallkuar qofsh ndër gjithë bagëtitë e kafshët e egra.
Mbi bark do të zvarritesh
e pluhur do të hash gjithë ditët e jetës tënde.
15 Armiqësi do të shtie mes teje e gruas,
mes farës tënde e farës së saj
që do të ta shtypë kokën,
ndërsa ti do t'i plagosësh thembrën».
16 Gruas i tha:
«Shumë dhimbje barre do të të jap
e me mundim do t'i lindësh fëmijët.
Burrin tënd do ta dëshirosh,
por ai do të sundojë mbi ty».
17 Adamit i tha:
«Meqë dëgjove gruan
e hëngre nga pema
që të urdhërova
të mos hash,
mallkuar qoftë toka për shkakun tënd!
Me mund do të hash prej saj gjithë ditët e jetës sate.
18 Gjemba e ferra do të prodhojë për ty
e bimët e fushës do të hash.
19 Me djersën e ballit
do ta nxjerrësh bukën e gojës
derisa të kthehesh në dhe,
se prej tij u nxore,
pluhur je
e në pluhur do të kthehesh».
20 Njeriu e quajti gruan Evë, se ajo ishte nëna e gjithë të gjallëve.
21 Zoti Perëndi bëri veshje prej lëkure për Adamin e gruan e tij dhe i veshi ata.
22 Pastaj Zoti Perëndi tha: «Ja, njeriu u bë si një nga ne. Ai njeh të mirën e të keqen. Nëse tani zgjat dorën dhe merr e ha edhe nga pema e jetës, do të jetojë përjetë».
23 Prandaj Zoti Perëndi e nxori jashtë kopshtit të Edenit që të punojë tokën prej së cilës u mor.
24 E dëboi njeriun dhe në lindje të kopshtit të Edenit vendosi kerubët dhe një shpatë flakëruese që vringëllon për të ruajtur udhën për te pema e jetës.
Bibla asnjëherë nuk na jep një shpjegim të plotë për origjinën e së keqes, por tregon se djalli ishte një engjëll që u fry me krenari dhe u përpoq të uzurponte pozitën e Perëndisë (shih Isaia 14:12-14).
Rebelimi i Satanit bëri që ai të përjashtohej nga prania e Perëndisë dhe të dëbohej në tokë. Kështu, që nga fillimi i historisë njerëzore, ekzistonte një armik që ishte i prirur të shkatërronte veprën e Perëndisë. Ky armik, i njohur më së shumti si Satani, djalli, ose “ati i gënjeshtrave” (Gjoni 8:44), u përpoq të bëjë për vete racën njerëzore në rebelimin e tij, dhe qëllimi i tij i parë ishte t’i prezantonte burrit dhe gruas përvojën e së keqes (ligësinë).
Studimi i Strategjisë të Kundërshtarit Tonë
Një trajner i mirë do të kalojë orë të tëra duke studiuar skemat dhe taktikat e lojës të skuadrës kundërshtare, në mënyrë që ai ose ajo të planifikojnë një mbrojtje efektive. Satani përdori strategjitë e tij më të mira në kopsht, dhe pasi t’i kesh mësuar se cilat janë ato, ti do të jesh në gjendje të mbrohesh kundër tyre.
Taktika e Parë: Çoroditja
Taktika e parë e Satanit ishte të shtronte një pyetje: “A ka thënë me të vërtetë Perëndia: “Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?” (Zanafilla 3:1). Perëndia kishte dhënë një urdhër të thjeshtë, dhe veprimi i parë i Satanit ishte ta vinte atë në dyshim. Duke vënë në dyshim qartësinë e Fjalës së Perëndisë, Satani e bëri më të lehtë për burrin dhe gruan që të mos respektonin urdhrin e Zotit.
Kurdoherë që Satani të tundon të mëkatosh, strategjia e tij e parë do të jetë krijimi i pështjellimit (hutimit). Ai do të përpiqet të ulë mbrojtjen tënde, duke të sugjeruar që ndoshta një mëkat që dëshiron të bësh nuk është i ndaluar me të vërtetë nga Perëndia, ose që të paktën në Bibël nuk ka udhëzime të qarta për këtë çështje.
Taktika e Dytë: Supozimi
Perëndia e kishte bërë të qartë se rezultati i mëkatit do të ishte vdekja (2:17), por Satani i sugjeron gruas që pasojat e mëkatit janë ekzagjeruar shumë: “Ju s’keni për të vdekur aspak” (3:4).
Nuk është e vështirë të kuptohet se çfarë drejtimi po merr kjo strategji. Ai dëshiron që gruaja të bëjë supozime mbi hirin e Perëndisë. “Në fund të fundit, Perëndia të do,” po thotë ai, “kështu që, si mund të lejojë Ai që të të ndodhë ndonjë gjë e keqe?” Kur Satani të tundon të mëkatosh, ai do ta ulë mbrojtjen tënde, duke të sugjeruar që ti mund ta bësh këtë dhe të dalësh prej saj pa pasoja.
Taktika e Tretë: Ambicia
Adami dhe Eva u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, por Satani i sugjeroi atyre që ata tani, mund të shkonin edhe më lartë: “Sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni si Perëndia, në gjendje të njihni të mirën dhe të keqen” ( Zanafilla 3:5).
Kjo është një nga strategjitë më delikate të armikut. Atij i pëlqen të sugjerojë që ne duhet të marrim vendin e Perëndisë, jo sepse ai ka vlerësim të lartë për ne, por për shkak të urrejtjes së tij të thellë ndaj Perëndisë. Ai i bën apel krenarisë sonë, kur sugjeron që ne nuk kemi nevojë që Perëndia të na tregojë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Mesazhi i tij është akoma i njëjtë: “Ti mund të jesh zoti i vetvetes. Ti mund të vendosësh se çfarë është e përshtatshme për ty!”
Njohja e së Keqes
Ligji i parë i Perëndisë ishte, si të gjitha urdhërimet e Tij, një shprehje e mrekullueshme e dashurisë së Tij, “Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë, ‘Ha lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes” ( Zanafilla 2:16-17).
Perëndia bëri gjithçka të mirë, dhe kur i tha Adamit të mos hante nga kjo pemë, qëllimi ishte për ta mbrojtur atë. “Adam, ti tashmë e njeh të mirën, por gjithashtu duhet të kuptosh se ekziston një realitet i tmerrshëm në univers, i quajtur ligësi. Nuk dua që ta përjetosh kurrë atë, prandaj për këtë arsye po të them, mos ha nga kjo pemë!” Por Adami dhe Eva, menduan se atyre do t’u pëlqente që të kishin këtë njohuri rreth së keqes, dhe ne të gjithë kemi jetuar me këtë njohuri që nga ajo kohë.
Dëbimi nga Parajsa
E keqja nuk ka vend në prani të Perëndisë, kështu që Perëndia e dëboi Adamin dhe Evën, dhe vendosi engjëj të quajtur kerubinë në hyrje të kopshtit, që të mund të prisnin rrugën për tek pema e jetës ( Zanafilla 3:23-24).
Adami dhe Eva ishin jashtë vendit të bekimit të Perëndisë. Martesa e tyre e përsosur u tensionua, dhe puna e tyre u bë zhgënjyese. Ata përjetuan dhimbje, frikë dhe humbje, dhe vdekja ishte një realitet i tmerrshëm që nuk mund ta shmangnin më. Dhe më e keqja, ata u ndanë nga Perëndia, dhe ishin të vetëm në botë. Parajsa ishte e humbur, dhe nuk kishte më rrugë kthimi për ta.
Pasi Perëndia e dëboi burrin dhe gruan, “Vendosi në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët që vërtisnin nga çdo anë një shpatë flakëruese për të ruajtur rrugën e pemës së jetës” (Zanafilla 3:24). Shpata flakëruese që lëviz para dhe mbrapa, përfaqëson gjykimin e Perëndisë. Të kaloje pranë ishte e pamundur. Kjo pamje duhet të ketë qenë e tmerrshme për Adamin.
Pra, këtu është diagnoza e Biblës për gjendjen e njeriut: Ne kemi njohuri për të keqen dhe jemi të përjashtuar nga prania e Perëndisë. Ne nuk mund të çlirohemi nga kjo njohuri e së keqes dhe nuk mund të kthehemi në parajsën e Perëndisë. Kjo është diagnoza, kështu që çfarë rekomandohet për këtë?
Shpresa që Filloi me një Mallkim
Shpresa filloi ditën kur Eva dhe Adami mëkatuan, dhe ajo filloi me një mallkim! Perëndia i tha gjarprit, “Qofsh i mallkuar” ( Zanafilla 3:14). Një mallkim është një “shprehje e hyjnisë që i’a dorëzon një person ose diçka shkatërrimit.”
Kështu që, kur Perëndia e mallkoi gjarprin, Ai po deklaronte që e keqja nuk do të triumfonte. Satani nuk do të kishte fjalën e fundit. Adami dhe Eva duhet të jenë gëzuar tejmase kur e dëgjuan këtë lajm.
Ne mund ta falënderojmë Perëndinë për mallkimin e Tij mbi të keqen. Pa mallkimin do të kishim ngecur me njohurinë e së keqes përgjithmonë. Por ky mallkim hap derën e shpresës për ne. Nëse Perëndia nuk do t’ia dorëzonte të keqen shkatërrimit, kush tjetër mund ta bënte? Gjatë gjithë historisë njerëzore ne e kemi provuar dhe kemi dështuar. Lajmet tona vazhdojnë të mbizotërohen, nga dhuna dhe abuzimi. Ne nuk mund të çlirohemi prej saj. Por Perëndia i tha Satanit, “Qofsh i mallkuar”, dhe që nga ai moment armiku ynë u dorëzua në shkatërrim përfundimtar.
Atëherë Perëndia shqiptoi një mallkim të dytë. Duke iu drejtuar burrit, ai tha, “Mallkuar …” Adami duhet të ketë ndenjur pa frymë në ato momente. Perëndia sapo kishte mallkuar gjarprin, dhe tani Ai po shikonte në drejtim të Adamit teksa Ai shqiptoi sërisht atë fjalë të llahtarshme. Adami duhet të ketë menduar se edhe ai do të shkatërrohej plotësisht, por përkundrazi ai u befasua. Në vend që t’i thoshte Adamit, “Qofsh i mallkuar,” Perëndia tha, “Mallkuar është toka për shkakun tënd” (3:17).
Këtu zbulojmë një nga gjërat më të rëndësishme që duhet të dimë për Perëndinë. Ai deklaroi se Ai do të shkatërrojë të keqen, por në të njëjtën kohë Ai e devijoi mallkimin e dytë, në mënyrë që të binte në tokë, dhe jo drejpërdrejt mbi burrin ose gruan, duke krijuar hapësirë që ata të pajtoheshin me Perëndinë.
Perëndia është i drejtë, dhe mallkimi duhet të shkojë diku, kështu që në kohën e duhur Perëndia dërgoi Birin e Tij dhe e drejtoi mallkimin e mëkatit tonë tek Ai. Kjo është e gjithë domethënia e kryqit. Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, duke u bërë një mallkim për ne.
Një ditë, arritja e triumfit të Krishtit do të transformojë të gjithë planetin. Duke devijuar mallkimin në tokë, Perëndia e ka nënshtruar krijimin në zhgënjim, por Ai gjithashtu ka premtuar se “vetë krijesa do të çlirohet nga skllavëria e prishjes, për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë” (Romakëve 8:21).
Beteja e Vazhdueshme
Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarprit, “Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj” (Zanafilla 3:15).
“Armiqësia” përmbledh betejën e pamëshirshme kundër së keqes që ka kaluar në brezat e historisë njerëzore. Ne gjithmonë përpiqemi të shpëtojmë nga e keqja, por thjesht nuk mund të kapërcejmë zhgënjimin, dhimbjen, sëmundjen dhe vdekjen. Ne kemi ngecur me “njohjen e së keqes”. Por Perëndia premton që një çlirues do të vijë dhe do të përfshihet në një luftë të madhe kundër të ligut. Ai do të shkaktojë një goditje fatale duke shkelur kokën e armikut, dhe në këtë proces, armiku do të kafshojë thembrën që e shtypi.
Imagjino që je duke qëndruar mbi kokën e një gjarpri helmues. Ai të kafshon dhe të shkakton një plagë, por pastaj këmba jote e plagosur e shtyp gjarprin dhe e shkatërron atë. Në të njëjtën mënyrë, nëpërmjet vdekjes së Tij Krishti shkaktoi një plagë vdekjeprurëse tek armiku, dhe i hapi rrugën burrave dhe grave që të çliroheshin nga fuqia e tij (shih Kolosianëve 2:15).
Krishti erdhi nga parajsa jo vetëm për të triumfuar mbi fuqinë e së keqes, por edhe për të hapur sërisht një rrugë për në parajsë për ne. Mundohu të imagjinosh veten duke qëndruar jashtë parajsës së Perëndisë, duke parë mbrapa tek kerubinët dhe shpata e ndezur e gjykimit. Ndërsa shikon, dikush del nga prania e Perëndisë dhe qëndron me ty. Pastaj Ai kthehet pas dhe ecën drejt shpatës flakëruese. Ty të rrënqethet mishi ndërsa shikon.
Shpata flakëruese po lëviz para dhe mbrapa, dhe ti mund të shohësh se çfarë do t’i ndodhë Atij kur të arrijë atje. Por Ai vazhdon të ecë përpara, në mënyrë të qëndrueshme, pa pushim. Shpata e godet dhe e vret Atë. Ajo e copëton trupin e Tij, por duke shkatërruar trupin e Tij, vetë shpata është thyer dhe qëndron e thyer në tokë. Me vdekjen e Tij, hapet sërisht një rrugë në praninë dhe bekimin e Perëndisë për ty.
Një Shteg i Hapur
Ne mund të fillojmë t’i japim kuptim botës sonë vetëm atëherë kur kuptojmë se ne jetojmë me njohurinë e së keqes, dhe jemi të përjashtuar nga prania e Perëndisë. Por Perëndia nuk na ka braktisur. Ai dërgoi Birin e Tij në betejën tonë të vazhdueshme me të keqen. Me anë të vdekjes së Tij në kryq, Ai shkatërroi fuqinë e armikut dhe hapi një rrugë të re dhe të gjallë në praninë dhe bekimin e Perëndisë.
Pyetje Diskutimi
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
Zanafilla 3:13
Zoti Perëndi i tha gruas: «Çfarë bëre kështu?». Gruaja u përgjigj: «Gjarpri më mashtroi e unë hëngra».
