Pashka
1 Zoti i tha Moisiut e Aronit në tokën e Egjiptit:
2 «Ky muaj do të jetë për ju fillimi i muajve, muaji i parë i vitit.
3 Flisni me bashkësinë e Izraelit dhe thuajini: “Në ditën e dhjetë të këtij muaji, secili të marrë nga një qengj për familjen e tij, një qengj për çdo shtëpi.
4 Nëse numri i anëtarëve të shtëpisë është i vogël për një qengj, qengji të ndahet bashkë me fqinjin më të afërt sipas numrit të anëtarëve. Qengjin do ta zgjidhni sipas masës që do të hajë secili.
5 Qengji të jetë i patëmetë, mashkull dhe motak. Merrni qengj ose kec.
6 Ruajeni deri ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji dhe pastaj tërë bashkësia e Izraelit ta therë në muzg.
7 Pastaj, të marrin pak nga gjaku i qengjit dhe të lyejnë të dy shtalkat dhe kryetraun e dyerve të shtëpive ku do të hahet qengji.
8 Po atë natë, ta hanë mishin të pjekur në zjarr, me bukë të ndorme dhe me barishte të hidhura. 9 Qengji të mos hahet i gjallë dhe në asnjë mënyrë i zier. Të piqet në zjarr, me kokë, këmbë e të brendshme.
10 Të mos lihet asgjë nga qengji deri në mëngjes. Çdo gjë që mbetet në mëngjes të digjet në zjarr.
11 Ja si do ta hani: me ijë të ngjeshura, me sandale në këmbë dhe me shkop në dorë. Ta hani me të shpejtë, sepse është Pashka e Zotit.
12 Atë natë, do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas tërë të parëlindurit e tokës së Egjiptit, si të njerëzve, ashtu edhe të kafshëve. Perëndive të Egjiptit do t'ua bëj gjyqin unë, Zoti. 13 Gjaku, me të cilin lyet shtëpitë tuaja, do t'ju shërbejë si shenjë. Kur të godas tokën e Egjiptit, do të shoh gjakun dhe do të kaloj tutje pa ju ndëshkuar, që të mos shfaroseni.
Shtypja racore ka qenë një nga të këqijat më të mëdha të historisë njerëzore. Një nga shembujt e parë përfshiu popullin e Perëndisë, të cilët iu nënshtruan punës së detyruar në Egjipt. Por e keqja më e madhe nuk ishte puna e detyruar; ishte dekreti i Faraonit, që të gjithë foshnjat meshkuj të kombësisë Hebraike duhej të hidheshin në lumin Nil (Eksodi 1:22). Kështu që, kur lindi Moisiu, nëna e tij e fshehu në një shportë në lumin Nil për të shpëtuar jetën e tij. Vajza e Faraonit e gjeti atë, dhe në përkujdesjen e mrekullueshme të Perëndisë, caktoi vetë nënën e Moisiut që të ishte dadoja e tij, e që ta ushqente foshnjen me gji dhe të kujdesej për të.
Moisiu u rrit në pallatin mbretëror, por kur pa realitetin e jetës në Egjipt, ai u tërbua nga mënyra se si trajtoheshin njerëzit e tij. Duke marrë situatën në duart e tij, ai vrau një Egjiptas që ishte duke dhunuar një Hebre, dhe kur fjala për këtë u përhap, atij i duhej të arratisej nga ai vend për të shpëtuar jetën e tij. Ai përfundoi në tokën e largët të Midianit, ku u martua me Seforën, dhe vendosi të krijonte familje dhe të siguronte jetesën si bari. Pasi e kishte filluar jetën e tij në një pallat mbretëror, tani Moisiu po jetonte në një botë të panjohur për të.
Perëndia Ndërpret Heshtjen e Tij
Si çdo student në një universitet jo të krishterë sot, Moisiu do të ishte ndeshur me besime dhe filozofi që ishin shumë ndryshe nga mësimet që ai kishte marrë nga nëna e tij për Perëndinë e Abrahamit, Isakut, dhe Jakobit. Në pallatin mbretëror ai do ketë mësuar për panteonin egjiptian—Osiris, Hekti, Apis, apo Ra, perëndi të Egjiptit.
Do të ketë qenë e lehtë për Moisiun të supozonte se Perëndia i Biblës ishte një nga opsionet e shumta të mundshme, dhe se perëndia që zgjedh të adhurosh është vetëm një reflektim i kulturës në të cilën je rritur. Kishin kaluar pesëqind vjet që kur Perëndia iu shfaq Abrahamit, kështu që pyetja e madhe për Moisiun ishte “Kush është Perëndia?” Historia se si ai e zbuloi përgjigjen gjendet tek Eksodi 3.
Zjarri që Digjej Vetë
“Dhe Engjëlli i Zotit iu shfaq në një flakë zjarri, në mes të një ferrishtjeje. Moisiu vështroi dhe ja, ferrishtja po digjej nga zjarri, por nuk konsumohej” (Eksodi 3:2). Moisiu pa një zjarr që po digjej, por që nuk po e konsumonte ferrishten mbi të cilën po qëndronte. Zjarri digjej vetë. Të gjitha zjarret shuhen kur e kanë konsumuar lëndën djegëse që i mban të ndezur. Një qiri digjet derisa të përfundojë dylli, dhe më pas flaka mbaron. Por kjo flakë ishte ndryshe nga të gjitha të tjerat. Ajo digjej vetë, dhe nuk kishte asnjë lëndë djegëse që e mbante flakën të ndezur. Moisiu nuk kishte parë kurrë diçka të tillë.
Ndërsa Moisiu u afrua, Perëndia i foli nga zjarri: “Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut, dhe Perëndia i Jakobit” (Eksodi 3:6). Historitë që Moisiu kishte dëgjuar për Perëndinë ishin të paktën katërqind vjet të vjetra, dhe ai mund të ketë menduar se ky Perëndi, ishte thjesht një traditë e vjetër. Por tani Perëndia i gjallë po i fliste! Pastaj Perëndia i zbuloi emrin me të cilin Ai donte të njihej: “UNË JAM AI QË JAM” (Eksodi 3:14).
Perëndia e kishte zbuluar Veten tek Abrahami, Isaku, dhe Jakobi, por ai nuk ishte varur tek besimi i tyre për ekzistencën e Tij. Bizneset varen nga klientët, shkollat varen nga studentët, dhe kishat varen nga anëtarët. Por Perëndia nuk varet nga besimtarët. “Perëndia është,” dhe për shkak se Ai ekziston me fuqinë e qënies së Tij, Ai gjithmonë do të jetë. Perëndia ekziston, pavarësisht nëse besojmë në të apo jo.
Fyerja Personale e të Dhënit një Imazh të ri Perëndisë
Perëndia është ai që është. Ai nuk është Ai që ne duam të jetë. Kur njerëzit thonë se nuk besojnë në një Perëndi që do të gjykojë, ose se nuk mund të besojnë në një Perëndi që i shpëton njerëzit vetëm përmes Jezusit, ajo që ata në të vërtetë po thonë është se nuk e pëlqejnë Perëndinë e Biblës, dhe ata kanë zgjedhur të shpikin një perëndi tjetër që u pëlqen më shumë.
Për ta kuptuar më mirë se sa fyese është kjo, imagjino një burrë i cili është duke rregulluar një foto dixhitale të gruas së tij duke bërë ndryshime në të gjitha tiparet që nuk i pëlqejnë. Ajo ka disa kile të tepërta, kështu që ai i jep një “formë të re” imazhit të saj. Në fund, kur ka pamjen ashtu siç ai e dëshiron, ai i thotë gruas së tij: “Ja, kështu dua që të dukesh!”
Kjo është jashtë mase ofenduese! Gruaja e këtij burri mund ta shikojë drejt e në sy dhe t’i thotë me një bindje kundërshtuese, “Unë jam ajo që jam. Nuk jam ajo që ti do që të jem.” Në të njëjtën mënyrë, është thellësisht fyese ndaj Perëndisë që ne ta hapim Biblën, t’i shohim gjërat rreth Tij që nuk na pëlqejnë, dhe t’i japim Atij një imazh që na pëlqen më shumë. Perëndia nuk është ai që ti dëshiron që të jetë. Ai është Ai që është!
Qëllimi i Plagëve
Është shumë mirë që Perëndia i Biblës të thotë: “UNË JAM”, por si e dimë që Ai është, dhe që perënditë e tjera nuk janë? Kjo është arsyeja e plagëve (shih Eksodi 7-12). Faraoni nuk pranoi t’i bindej urdhrit të Perëndisë për ta lënë popullin e Tij që të shkonte. Ai nuk e njihte autoritetin e Perëndisë në jetën e tij. Ndoshta ai ka menduar se ai kishte perënditë e tij, dhe se nuk kishte arsye që ai t’i bindej Perëndisë që kishte folur me Moisiun.
Për sa kohë që Faraoni vazhdoi të besonte se ai mund të adhuronte perënditë e tij, ai kurrë nuk do t’i nënshtrohej autoritetit të një Perëndie të vërtetë. Kështu që Perëndia i gjallë dha prova se kush Ai është duke shkatërruar fuqitë prapa perëndive të Egjiptit. Perëndia tha, “do t’u jap hakun gjithë perëndive të Egjiptit. Unë jam Zoti” (Eksodi 12:12). Ne vumë re perënditë e shumta egjiptiane për të cilat Moisiu kishte mësuar, përfshirë Osiris, (perëndinë e Nilit), Hektin (perëndeshën e lindjes); dhe Ra, (perëndinë e diellit). Njohuria e përgjithshme ishte që secili prej këtyre perëndive kishte sjellë bekime të veçanta në Egjipt.
Kishte diçka shumë më të madhe që ishte e përfshirë tek plagët që ndodhën sesa thjesht një konflikt midis Moisiut dhe Faraonit. Perëndia po i thoshte Faraonit: “Ti adhuron Osiris, duke menduar se është Nili që të mban, por unë do ta kthej Nilin në një moçal të pajetë. Ti adhuron Hektin, perëndeshën e lindjes, e cila përshkruhet si një bretkosë, por unë do të bëj që të lindin kaq shumë bretkosa, sa që do të dëshirosh që të mos e kishe njohur kurrë atë. Ti adhuron Ra’në, duke thënë se dielli do të shkëlqejë mbi ty, por unë do ta kthej diellin në errësirë. Ajo që ke vënë në vendin tim, do të bëhet si një plagë e thellë për ty.”
Pyetja e madhe në fillim të librit të Eksodit ishte nëse Perëndia do të shpëtonte popullin e Tij të vuajtur, dhe nëse do të kishte mundësi, a do të kujdesej Ai për ta aq sa të vepronte? Ende bëjmë të njëjtat pyetje kur shohim sot në botë vuajtjet përreth nesh. Perëndia u është përgjigjur këtyre pyetjeve: “Sigurisht që e kam parë pikëllimin e popullit tim që ndodhet në Egjipt dhe e kam dëgjuar britmën e tij për shkak të shtypësve të tij, sepse i njoh vuajtjet e tij. Kështu zbrita për ta çliruar…” (Eksodi 3:7-8).
Duke Sfiduar Perëndinë e Gjallë
Populli i Perëndisë mund të shpëtohej nga shtypja vetëm nëse Faraoni do të pendohej për të keqen që kishte bërë, ose nëse e keqja do të shkatërrohej. Perëndia e urdhëroi Faraonin që t’i linte njerëzit të shkonin, por ai nuk pranoi. Kështu që Perëndia dërgoi plagën e parë, por Faraoni nuk u lëkund nga qëndrimi i tij. Më shumë ndëshkime ndodhën, dhe sa herë që Faraoni rezistonte, kostoja e kundërshtimit të tij bëhej edhe më e lartë.
Shoqëria jonë jo besimtare gjithashtu ndihet e lirë të kundërshtojë Perëndinë, sepse nuk beson se Ai do të sjellë gjykim. Por plagët tregojnë se Perendia do ta shkatërrojë të keqen, dhe kur e kupton këtë, do të fillosh të shohësh pse na duhet një shpëtimtar.
Një Sakrificë Gjaku në Egjipt
Kur plaga e fundit mbërriti në Egjipt, Perëndia siguroi një mënyrë që populli i Tij të ruhej i sigurt. Çdo familje duhej të zgjidhte një qengj. Ata duhej ta mbanin atë për katër ditë, dhe pastaj ta vrisnin. Me gjakun e qengjit duhej të lyenin traun e dyerve të çdo shtëpie. Perëndia tha: “Kur unë të shoh gjakun do të kaloj tutje” (Eksodi 12:13). Moisiu kishte dëgjuar zërin e Perëndisë. Ai e dinte që Perëndia kishte siguruar një mënyrë me anë të së cilës familjet mund të ruheshin të sigurta gjatë kësaj nate terrori. Mënyra e shpëtimit ishte me anë të gjakut të një kafshe të sakrifikuar.
Imagjino Moisiun duke shkuar në çdo shtëpi dhe duke pyetur, “A je i mbuluar me gjakun e qengjit? A është mbi derën tënde? Dita e Gjykimit po vjen, dhe Zoti ka thënë: “Kur unë të shoh gjakun do të kaloj tutje.” Merre seriozisht Perëndinë dhe fjalën e Tij, dhe respekto urdhrin e Tij. Tani, lyej traun e derës tënde me gjakun e qengjit. Pse nuk e ke bërë akoma?”
Kushtoji vëmendje faktit që Perëndia kurrë nuk tha: “Nëse më përkushton një numër të caktuar lutjesh, unë do të kaloj tutje.” Ai nuk tha: “Nëse je i sinqertë, unë do të kaloj tutje.” Ai tha vetëm: “Kur unë të shoh gjakun do të kaloj tutje.” Kur plaga e fundit erdhi, nuk e vë në dyshim se disa nga njerëzit do kenë parë lart tek dyert e tyre, dhe kanë pyetur veten nëse gjaku do të bënte ndonjë dallim. Gjithçka që ata kishin ishte të mbaheshin tek Fjala e Perëndisë. Dy milion njerëz besuan dhe u bindën, dhe secili prej tyre qëndroi i sigurt gjatë gjykimit të Perëndisë.
Qengji i Perëndisë
Tema e gjakut rrjedh gjatë gjithë historisë së Biblës. Kur Adami dhe Eva mëkatuan në kopsht, “Zoti Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika prej lëkure dhe i veshi” (Zanafilla 3:21). Kjo do të thotë se Zoti vrau një kafshë ditën kur u krye mëkati i parë. Perëndia i tha Adamit se mosbindja do t’i drejtonte në vdekje, dhe atë ditë ndodhi një vdekje në kopsht. Jeta e Adamit u kursye. Në vend të tij vdiq një kafshë. Ne gjejmë të njëjtin model në historinë e Abrahamit dhe Isakut. Perëndia siguroi një kafshë që u vra në vend të Isakut. Tani, një qengj do të vritej për çdo familje në Egjipt.
Perëndia po i mësonte të njëjtin mesazh një brezi të ri. Ai po thoshte: “Do të shpëtoheni nga gjykimi me vdekjen e një tjetri. Do të përfshijë derdhjen e gjakut. Ishte kështu si për Adamin dhe për Abrahamin, dhe kështu do të jetë edhe për ju.” “Pa u derdhur gjak nuk ka ndjesë mëkatesh” (shih Hebrenjve 9:22)
Sakrificat e kafshëve vazhduan me shekuj në historinë e Dhjatës së Vjetër, derisa një ditë Gjoni pa Jezusin dhe tha: “Ja, Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës!” (Gjoni 1:29). Jezusi është Qengji i siguruar nga Perëndia, në mënyrë që ne të jemi të sigurt përmes gjykimit përfundimtar, kur Perëndia do të shkatërrojë çdo të keqe.
Një mijë e pesëqind vjet pas eksodit nga Egjipti, Jezusi festoi Pashkën me dishepujt e Tij. Gjatë darkës, Ai mori kupën dhe tha: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim që derdhet për ju” (Luka 22:20). Ai po u thoshte dishepujve të Tij se ashtu si gjaku i qengjit e shpëtoi popullin e tij në Egjipt, po në të njëjtën mënyrë, gjaku i Tij, do t’i çlironte ata nga gjykimi në ditën e fundit.
Në fund të historisë së Biblës ne shohim një turmë të madhe njerëzish që qëndrojnë në prani të Perëndisë, të mbushur me gëzim. Kush janë këta njerëz? Ata janë ata që “kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit” (Zbulesa 7:14).
Një Shteg i Hapur
Sakrifica e përsëritur e kafshëve është një nga temat më të vështira për të kuptuar në historinë e Dhjatës së Vjetër, por është gjithashtu një nga temat më të rëndësishme. Nëpërmjet këtyre flijimeve të kafshëve, Perëndia po përgatiste popullin e Tij për të kuptuar nevojën dhe domethënien e sakrificës së Jezu Krishtit.
“Pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne” (1 Korintasve 5:7). Ai mbajti gjykimin e Perëndisë, në mënyrë që të mos bjerë mbi ty. Por ashtu si në Pashkë, gjaku jo vetëm që duhet të derdhet, ai gjithashtu duhet të vendoset diku. Ashtu siç duhej të kishte një vepër besimi dhe bindjeje, në të cilin populli i Perëndisë vendosi gjakun në dyert e shtëpive të tyre, në të njëjtën mënyrë duhet të ketë një vepër besimi, në të cilin gjaku i Krishtit vendoset në jetën tënde. Atëherë mund të mbështetesh tek premtimi i Perëndisë, dhe Perëndia do të të sjellë me siguri në anën tjetër në Ditën e Gjykimit.
