Elia dhe profetët e Baalit
20 Ahabi u dërgoi fjalë të gjithë izraelitëve dhe i mblodhi të gjithë profetët në malin Karmel.
21 Atëherë Elia iu afrua mbarë popullit e tha: «Deri kur do të jeni të lëkundur sa andej-këtej? Nëse Zoti është Perëndia, atëherë shkoni pas tij. Nëse është Baali, ndiqni atë». Por populli nuk tha asnjë fjalë.
22 Elia i tha popullit: «Nga profetët e Zotit kam mbetur vetëm unë, ndërsa profetët e Baalit janë katërqind e pesëdhjetë vetë.
23 Na sillni dy mëzetër dhe profetët e Baalit të zgjedhin cilin të duan. Ta ndajnë mëzatin në copa dhe ta vënë mbi drurë, por pa i ndezur drutë. Unë do të përgatis mëzatin tjetër, do ta vë mbi drurë, pa i ndezur as unë.
24 Ju do të thërrisni emrin e perëndisë suaj dhe unë do t'i thërras emrit të Zotit. Perëndia që do të përgjigjet me zjarr, ai do të jetë Perëndia i vërtetë». I gjithë populli u përgjigj: «Mirë ke thënë». 25 Pastaj Elia u tha profetëve të Baalit: «Zgjidheni ju të parët mëzatin për ta bërë gati, sepse jeni më shumë. Më pas thirrni emrin e perëndisë suaj, pa i ndezur drutë».
26 Kështu, ata morën mëzatin që u takoi dhe e bënë gati. Pastaj thirrën emrin e Baalit nga mëngjesi deri në mesditë e thoshin: «O Baal, dëgjona!». Por nuk u dëgjua asnjë zë dhe askush nuk u përgjigj. Por ata ende kërcenin rrotull altarit që kishin ndërtuar.
27 Në mesditë Elia filloi të tallet me profetët e Baalit e t'u thoshte: «Thirrni më fort, se ai është perëndi e ka shumë mendime në kokë. Mund të ketë shkuar gjëkundi ose ndoshta e ka zënë gjumi, prandaj zgjojeni».
28 Ata thirrën edhe më fort dhe, sipas zakonit që kishin, filluan të priteshin me shpata e me shigjeta, aq sa kulluan gjak.
29 Pasi kaloi mesdita, ata filluan të profetizonin, derisa erdhi koha e kushtimit të flisë, por nuk u dëgjua asnjë zë, nuk u përgjigj askush e askush nuk u vuri vesh.
30 Atëherë Elia i tha mbarë popullit: «Afrohuni tek unë». I gjithë populli u afrua dhe Elia filloi të ndreqte altarin e Zotit që ishte rrënuar.
31 Ai mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të fiseve të bijve të Jakobit, të cilit Zoti i kishte thënë: «Ti do të quhesh Izrael».
32 Me gurët ndërtoi altarin për nder të emrit të Zotit dhe përreth altarit hapi një vijë kulluese të gjerë sa për të mbajtur rreth tridhjetë litra.
33 Pastaj rregulloi drutë, preu mëzatin në copa, i vendosi copat mbi drurë
34 e tha: «Mbushni katër shtamba me ujë e derdhini mbi flinë e shkrumbimit dhe mbi drutë». Më pas tha: «Bëjeni edhe një herë». Ata bënë siç u tha. E u tha përsëri: «Bëjeni për të tretën herë». Ata derdhën ujë për të tretën herë.
35 Uji rrodhi rreth e rrotull altarit dhe vija e kullimit u mbush plot.
36 Kur erdhi koha e kushtimit të flisë, profeti Eli iu afrua altarit e tha: «O Zot, Perëndi i Abrahamit, Isakut e Izraelit, le ta marrin vesh të gjithë sot se ti je Perëndia në Izrael, se unë jam shërbëtori yt dhe se të gjitha këto gjëra i kam bërë me urdhrin tënd.
37 Përgjigjmu, o Zot, përgjigjmu, që ky popull ta kuptojë se ti, o Zot, je Perëndia dhe se ti do t'ua kthesh sërish zemrën drejt teje».
38 Atëherë ra zjarri i Zotit dhe përpiu flinë e shkrumbimit me gjithë drutë, gurët e dheun. Madje, përlau edhe ujin në vijën e kullimit.
39 Kur e pa këtë, mbarë populli ra përmbys me fytyrë përtokë e tha: «Zoti është Perëndia! Zoti është Perëndia!».
40 Atëherë Elia u tha: «Kapini profetët e Baalit dhe të mos ju shpëtojë asnjëri». Ata i kapën dhe Elia i çoi në përroin e Kishonit, ku i vrau të gjithë.
Fundi i thatësirës
41 Pastaj Elia i tha Ahabit: «Shko të hash e të pish, sepse po dëgjohet ushtima e një shiu të madh».
42 Ahabi shkoi për të ngrënë e për të pirë, ndërsa Elia u ngjit në majë të malit Karmel, u ul përtokë me fytyrën mes gjunjëve
43 e i tha shërbëtorit të tij: «Ngjitu lart e shiko nga ana e detit». Ai u ngjit, pa e i tha: «Nuk shoh gjë». Atëherë Elia i tha: «Kthehu shtatë herë».
44 Herën e shtatë ai i tha: «Shoh një re të vogël sa pëllëmba e njeriut që po vjen nga deti». Atëherë Elia i tha: «Shko e thuaji Ahabit: “Shaloji kuajt e zbrit nga mali, që mos të të zërë shiu”». 45 Pas pak qielli u nxi nga retë e nga era dhe filloi të binte shi me rrëmbim. Ahabi hipi në karrocë dhe u nis për në Izrel.
46 Dora e Zotit ishte me Elinë. Elia ngjeshi brezin, vrapoi para karrocës së Ahabit e mbërriti në Izrel.
Ekziston shpesh një distancë shumë e shkurtër midis triumfit dhe katastrofës. Kur Salomoni zuri vendin e tij në fron, populli i Perëndisë kishte gjithçka që i duhej: një udhëheqje të mençur, unitet të fortë, dhe paqe në tokën e tyre. Prania e Perëndisë kishte zbritur mes tyre gjatë dedikimit të tempullit, por ndërsa koha kalonte, suksesi i Salomonit solli vetë-kënaqësi, dhe fara e katastrofave të ardhme u mboll në vitet e fundit të mbretërimit të tij.
Një Recetë për Katastrofë
Salomoni bëri tre gabime. Së pari, ai i harroi njerëzit që vuanin. Me vëmendjen e mbretit tashmë të fokusuar mbi Jeruzalemin, njerëzit në jug po lulëzonin, ndërsa vëllezërit e tyre në veri po përlesheshin me një program pune të detyruar që i la ata të ndiheshin të anashkaluar. Ndoshta Salomoni mendonte se njerëzit në veri ishin më pak të rëndësishëm, por udhëheqja dritëshkurtër e tij pati pasoja afat-gjata, dhe kur ai i’a kaloi fronin birit të tij Rehoboam, fara e përçarjes ishte mbjellë tashmë.
Së dyti, Salomoni i’u dorëzua vetë-kënaqësisë. Ai kishte pushtet dhe burime pothuajse të pakufizuara, që do të thotë se ai mund të bënte gjithçka që dëshironte. Në vitet e tij të rinisë, ai e shpenzoi kohën, energjinë, dhe pasurinë e tij në përmbushjen e asaj që do i sillte lavdi Perëndisë, por më vonë në jetën e tij, ai e përdori pozitën e tij për të kënaqur veten.
Solomoni kishte 700 gra dhe 300 konkubina (1 Mbretërve 11:3), dhe kjo vetëkënaqësi ishte rrënja e rënies së tij. “Kështu, kur Salomoni u plak, bashkëshortet e tij ia kthyen zemrën në drejtim të perëndive të tjera; dhe zemra e tij nuk i përkiste plotësisht Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si zemra e Davidit, atit të tij” (11:4).
Së treti, Salomoni zgjodhi të bënte atë që kishte famë, në vend të asaj që ishte e drejtë. Duke qënë se ishte martuar me kaq shumë gra të huaja, ai i’u nënshtrua presionit për tu ndërtuar altarë perëndive që ato adhuronin. “Atëherë Salomoni ndërtoi mbi malin përballë Jeruzalemit një vend të lartë për Kemoshin, të neveritshmin e Moabit, dhe për Molekun, të neveritshmin e bijve të Amonit. Kështu bëri për të gjitha bashkëshortet e huaja të tij që digjnin temjan dhe u ofronin flijime perëndive të tyre” (1 Mbretërve 11:7-8).
Ky ishte fillimi i idhujtarisë skandaloze të popullit të Perëndisë. Në krye të mbretërimit të Salomonit, Jeruzalemi ishte vendi ku Perëndia i gjallë kishte vendosur emrin e Tij, por nga fundi, Jeruzalemi ishte mbushur me faltore të perëndive të tjerë. Një vizitor që mund të shkonte në Jeruzalem, mund të nxirrte konkluzionin se Perëndia i Izraelit ishte një ndër shumë të tjerët.
Salomoni bëri gjëra të mëdha për Perëndinë në gjysmën e parë të jetës së tij, por ai bëri të kundërtën e shumicës së veprave të mira, duke ndjekur vetë-kënaqësinë gjatë viteve të fundit të jetës së tij. Ai mori në dorëzim nga ati i tij, Davidi, një mbretëri të bashkuar dhe në paqe, ndërsa ai vetë i kaloi të birit një mbretëri e cila shumë shpejt do përçahej dhe do ishte në luftë.
Kur Rehoboami u bë mbret, ai u përball me pakënaqësi nga ana e popullit të tij në veri. Ata panë një udhëheqës tek Jeroboami, u mblodhën rreth tij, dhe e kurorëzuan mbret. Kështu ndodhi që dhjetë fiset në veri u shkëputën nga linja e Davidit, të cilën Perëndia kishte premtuar ta bekonte.
Historia në Veri
Jeroboami ishte një udhëheqës mendjemprehtë i dhjetë fiseve veriore, dhe ai e njihte mirë fuqinë e besimit fetar. Ai parashikoi se nëse besimtarët nga veriu do të vazhdonin të shkonin në Jeruzalem për të adhuruar në tempull, ata do të kujtoheshin për unitetin me vëllezërit e tyre në jug.
Kështu Jeroboami vendosi të ngrinte qendrën e tij të adhurimit. Ai bëri dy viça prej ari dhe u tha njerëzve: “Është shumë për ju të shkoni deri në Jeruzalem! O Izrael, ja ku janë perënditë e tua që të kanë nxjerrë nga vendi i Egjiptit!” (1 Mbretërve 12:28). Këto ishin të njëjtat fjalë që Aroni kishte përdorur kur ai bëri viçin e artë në shkretëtirë (shih Eksodi 32:8).
Më e keqja erdhi më pas. Jeroboami i’a kaloi mbretërinë birit të tij Nadab, i cili eci në gjurmët e të atit deri sa u vra nga Baasha. Pasardhësi i tij ishte Elahu, i cili ishte pijanec e vrasës. Pastaj ishte Zimri, i cili ishte fajtor për tradhëti dhe mbretërimi i të cilit zgjati vetëm 7 ditë, e më pas Omri, që “u suall më keq se të gjithë pasaardhësit e tij” (1 Mbretërve 16:25). Në fund, ishte Ashabi, i cili ia kaloi edhe Omrit dhe “bëri atë që ishte e keqe në sytë e Zotit më tepër se ata që e kishin paraprirë” (16:30). Ashabi u martua me Jezebelën, e cila e përdori pushtetin e pallatit mbretëror për të filluar një fushatë persekutimi, gjatë së cilës profetët e Perëndisë u ndoqën dhe u vranë.
Në vetëm 50 vjet pas vdekjes së Salomonit, Izraeli kishte ndryshuar deri në atë pikë sa nuk njihej më. Në fillim të mbretërimit të Salomonit, mbreti tha, “Ka vetëm një Perëndi.” Në kohën e Jeroboamit, qëndrimi zyrtar ishte “ka shumë perëndi,” dhe kur erdhi koha e Ashabit, ishte e papranueshme të thoje se ka vetëm një Perëndi, dhe ata që e bënin këtë, persekutoheshin në mënyrë të dhunshme. Kështu që Perëndia dërgoi profetin Elia për të restauruar adhurimin e vërtetë ndërmjet popullit të Tij.
Adhurimi Autentik është një Përgjigje ndaj të Vërtetës së Zbuluar
Mali Karmel ishte skena e një ballafaqimi të madh. Ashabi dërgoi 450 profetë të Baalit dhe 400 profetë të Asherahut, së bashku me njerëz nga i gjithë vendi (1 Mbretërve 18:19). Kur të gjithë u mblodhën, Elia e sfidoi popullin me një pyetje: “Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimeve? Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij; por në qoftë se përkundrazi është Baali, atëherë ndiqni atë” (18:21). Elia nuk iu drejtua traditës; ai bëri thirrje për të vërtetën. Arsyeja e vetme për të adhuruar Perëndinë është se Ai është Zoti.
Askush nuk ka të drejtë të të thotë se ti duhet të jesh i Krishterë sepse prindërit e tu ishin të Krishterë, apo sepse Krishterimi është feja dominuese në kulturën tënde. Krishterimi qëndron ose bie në bazë të deklaratës se është i vërtetë. “Nëse Zoti është Perëndia, shko pas Tij.”
Pyetja e Elias ishte një supozim për kategorinë e të vërtetës dhe të gabuarës, por populli e kishte të vështirë të mendonte e gjykonte në këtë mënyrë. Ata ishin rritur me idenë se Perëndia që ti adhuron është një zgjedhje personale, se besimi është çështje private, dhe se çdo individ duhet të gjejë një mënyrë adhurimi që i përshtatet atij ose asaj. Por përpara se të adhurosh, ti duhet të dish se kush është Perëndia. Adhurimi autentik është një përgjigje ndaj të vërtetës së zbuluar. Adhurimi publik duhet të ndërtohet rreth së vërtetës. Ne duhet të këndojmë për të vërtetën, të lexojmë të vërtetën, të lutemi rreth të vërtetës, dhe të predikojmë të vërtetën.
Adhurimi Autentik Përqëndrohet tek Perëndia i Gjallë
Elia dëshironte që populli të dinte se ka vetëm një Perëndi të gjallë, ndaj ai i ftoi profetët e Baalit të përgatisnin një flijim, dhe ti luteshin Baalit t’u përgjigjej duke dërguar zjarr tek ta. Profetët e Baalit e pranuan sfidën dhe i thirrën perëndisë së tyre. “O Baal, na dëgjo!” (18:26). Ata kërcyen rreth altarit dhe kishin një sjellje të shfrenuar. Ajo që filloi si diçka e ndritshme dhe plot ngjyra, shpejt u kthye në diçka të errët, dhe një element më i lig u shtua. Profetët e Baalit filluan të “presin veten” (1 Mbretërve 18:28), duke i’u nënshtruar një agonie të vetë-shkaktuar, përpara se të ishin gati të pranonin humbjen.
Por pas gjithë këtij aktiviteti intensiv “nuk u dëgjua asnjë zë, asnjeri nuk u përgjigj dhe askush nuk ua vuri veshin” (18:29). Adhurimi i Baalit nuk ishte asgjë tjetër veçse një shprehje e kotë e vetes. Profetët po flisnin me veten, sepse askush nuk po i dëgjonte.
Adhurimi i Baalit ka përparuar, sepse diku përgjatë historisë njerëzit trilluan legjenda mbi një perëndi të quajtur Baal dhe i shkruan ato. Njerëzit gjithashtu krijuan imazhe të Baalit dhe i gdhendën ato në dru. Por nuk ekzistonte asgjë në adhurimin e Baalit përtej asaj që mendja njerëzore trilloi apo dora njerëzore krijoi. E gjitha ishte thjesht një krijim kulturor, dhe për këtë arsye, nuk kishte fuqi.
Shumë njerëz sot kanë arritur në përfundimin se edhe Krishterimi ka evoluar në të njëjtën mënyrë si adhurimi i Baalit. Ata mendojnë se Bibla është një libër i mbushur me legjenda dhe mite të lashta, dhe meqënëse, siç besojnë ata, është një krijim i kulturës njerëzore, ata ngulin këmbë se ajo nuk ka autoritet. Nëse do të kishin të drejtë në supozimin e tyre, do të kishin të drejtë edhe në konkluzionin e tyre.
Një besim fetar i krijuar nga një kulturë e caktuar nuk duhet t’u imponohet të tjerëve. Një besim fetar që ishte thjesht zgjedhja e një brezi nuk duhet t’i bëhet i detyrueshëm brezit tjetër. Nëse të gjitha besimet fetare janë krijime njerëzore, atëherë asnjëra prej tyre nuk mund ta deklarojë veten si të vërtetë.
Adhurimi Autentik Përqëndrohet mbi një Sakrificë të Pranueshme
Por Elia e dinte që Perëndia i gjallë nuk ishte krijim i kulturës. Ai dëshironte që njohuria për Perëndinë e gjallë të restaurohej tek populli, ndaj ai ndërtoi një altar dhe e mbyti sakrificën me ujë.
Pastaj Elia u lut: “O Zot, Perëndia i Abrahamit, i Isakut, dhe i Izraelit, vepro në mënyrë të tillë që të dihet që ti je Perëndi në Izrael, e që unë jam shërbëtori yt që i bëra tërë këto gjëra me urdhrin tënd. Përgjigjmu, o Zot, përgjigjmu, që ky popull të pranojë që ti, o Zot, je Perëndia, dhe ke bërë të kthehen te ti zemrat e tyre” (1 Mbretërve 18:36-37).
“Atëherë ra zjarri i Zotit dhe konsumoi olokaustin, drutë, gurët dhe pluhurin, si dhe thau ujin që ishte në gropë” (18:38). Imagjino intensitetin e një zjarri, i cili jo vetëm që djeg drurin, por edhe gurët dhe pluhurin! Kur njerëzit e panë zjarrin, ata ranë përmbys dhe thanë, “Zoti është Perëndia” (18:39).
Përpiqu të imagjinosh veten në mes të turmës. Ti ke besuar si shumica e brezit tënd se çdo besim fetar është njësoj në thelb si një tjetër. Por ndërsa ti sheh Elian të lutet, qielli mbushet me zjarr. Papritmas, është bërë e qartë për ty se Elia po flet të vërtetën. Zoti është Perëndia, dhe tani zjarri i gjykimit të Tij do të zbresë.
Mendo për këtë të vërtetë të mrekullueshme: zjarri i Perëndisë ra mbi sakrificën, jo mbi popullin. Kjo na bën të shikojmë tek kryqi i Jezus Krishtit, mbi të cilin u derdh gjykimi i Perëndisë–jo mbi ushtarët që e kryqëzuan Jezusin, as mbi turmat që e tallën atë, por mbi vetë Jezusin, i cili u bë sakrificë për ne. Gjykimi i Perëndisë ndërroi drejtim duke u larguar nga ne tek Ai, dhe në këtë mënyrë, Perëndia hapi rrugën për njerëzit që të pajtoheshin me Të.
Një Shteg i Hapur
Adhurimi autentik është gjithmonë një përgjigje për të vërtetën e zbuluar. I drejtohet Perëndisë së gjallë, fokusohet te Zoti Jezus Krisht dhe frymëzohet nga Fryma e Shenjtë. Adhurimi i vërtetë do të burojë aty ku e vërteta e Perëndisë shpallet, ku Jezus Krishti lavdërohet, dhe ku populli i Perëndisë i nënshtrohet punës së Frymës së Shenjtë në jetën e tyre.
Nëse do të rritesh në adhurim, hape Biblën dhe lejoje mëndjen tënde të ujitet në atë që Perëndia thotë për Veten. Fryma e Shenjtë do ta përdorë të vërtetën për të stimuluar adhurim në zemrën tënde.
