Nëse dëshiron një histori të shkurtër dhe të fuqishme që mëson ungjillin e hirit,
asnjë nuk ia kalon dot historisë së vjedhësit të kryqëzuar krah Jezuit (Luka
23:39–43; Mateu 27:38–44).
Në të vërtetë, ishin dy vjedhës që u kryqëzuan krah Jezuit. Njëri i besoi Atij dhe
mori shpëtimin, tjetri jo. Në këtë artikull, do të ecim në katër pjesë të historisë së
vjedhësit të parë, të penduarit (i quajtur edhe: vjedhësi pendestar).
1) Të dy vjedhësit u tallën me Jezuin
Kryqëzimi, si torturë, ia shteron jetën dhe energjinë të kryqëzuarit. Në rrëfimin e
tij, Mateu na tregon se që të dy vjedhësit e përdorën frymën e pakët që u kishte
mbetur për ta tallur Jezuin (Mateu 27:44). Duke vepruar kështu, ata mbajtën të
njëjtin qëndrim si udhëheqësit fetarë dhe spektatorët e tjerë që dëshmuan
vdekjen e Tij (shih Mateu 27:39–43).
Jezui nuk u befasua me talljet apo kur u kryqëzua mes dy vjedhësve (shih Isaia
53:12). Ai citoi dhe përmbushi Psalmin 22 kur u lut “Perëndia im, Perëndia im,
përse më ke braktisur?” (Psalmi 22:1). I njëjti psalm thotë edhe: “Më shohin e tallen
me mua, shtrembërojnë buzët e kokat tundin. T’i drejtohet Zotit”, thonë, “le ta çlirojë, ta shpëtojë, meqë e
dashka” (Psalmi 22:7–8).
2) Vjedhësi i penduar e njohu mëkatin e vet
Ndërsa njëri vjedhës e shan Jezuin, duke i thënë: “A nuk je ti Krishti? Shpëto
veten dhe ne!”, vjedhësi i penduar e qorton shokun: “A nuk i frikësohesh
Perëndisë, meqë je nën të njëjtin dënim dënimi? Dhe ne me të vërtetë, me të
drejtë, sepse po marrim shpërblimin e duhur për veprat tona; por ky njeri nuk ka
bërë asgjë të keqe” (Luka 23:39-41).
Çfarë transformimi mahnitës. I penduari nuk e tall më Jezuin, por i del në
mbrojtje. Çfarë ndryshoi? Nuk e dimë se kur filloi t’i druhej Perëndisë vjedhësi i
penduar, por për këtë mund të gjejmë shenja kur shqyrtojmë Shkrimin dhe të
mendojmë se ç’mund të ketë përjetuar vjedhësi i kryqëzuar krah Jezuit.
Në ungjill, Gjoni na tregon se Jezui vdiq para se të vdisnin vjedhësit (Gjoni
19:32–34). Kjo do të thotë se vjedhësi i penduar e pati mundësinë të vëzhgonte
gjithçka që ndodhi kur Jezui ishte në kryq, përfshi edhe thirrjen e Tij: “Atë, fali, se
nuk dinë çfarë bëjnë” (Luka 23:34). Nuk e dimë se çfarë mendoi vjedhësi kur dëgjoi
këto fjalë, por nuk është e vështirë të imagjinohet se diçka e tillë do t’i ketë
shkuar në mend: “Nëse ky qenka gati të falë atë që i nguli gozhdët në duar dhe
këmbë, ndoshta do të jetë gati të më falë edhe mua”.
3) Vjedhësi i penduar besoi në Zotin Jezu Krisht
Pas një transformimi të brendshëm, vjedhësi tha: “Jezu, kujtohu për mua kur të shkosh
në mbretërinë tënde” (Luka 23:42). Vjedhësi besoi se Jezui ishte një mbret me një
mbretëri të vërtetë. Mbretërit e zakonshëm nuk vdesin në kryqe dhe sigurisht që
nuk kanë mbretëri pas vdekjes. Pra, vjedhësi besoi se ky mbret ishte më shumë
se një mbret tokësor, Ai ishte një Mbret Shpëtimtar i aftë ta çonte në mbretërinë
e Tij qiellore.
4) Jezui shpëton vjedhësin e penduar
Jezui iu përgjigj vjedhësit të penduar me fjalët më shpresëdhënëse të
mundshme: “Me të vërtetë po të them, sot ti do të jesh me mua në parajsë” (Luka 23:43).
Një vjedhësi, që u zgjua në mëngjes për në rrugën e vet drejt ferrit, i ndryshoi fati
i përjetshëm me një lutje të thjeshtë drejtuar Shpëtimtarit. “Jezu, kujtohu për
mua”.
Cili është kuptimi i kësaj historie për ne sot?
Kjo histori na kujton, para së gjithash, se shpëtimi është një dhuratë nga
Perëndia. Vjedhësi i penduar nuk kishte kohë për vepra të mira. Ai nuk i
dëmshpërblente dot ata që u kishte vjedhur, as kishte më mundësi të ndihmonte
të varfërit apo të pagëzohej. Ai as nuk kishte ndonjë besim të stërholluar. As nuk
do të kishte qenë në gjendje të kalonte ndonjë test të njohurive nga Shkrimi i
shenjtë. E vetmja çka mund të bënte ishte të shikonte drejt Shpëtimtarit me
besim e të kërkonte mëshirë. Dhe pikërisht, kaq qe gjithçka i duhej.
Përvoja e vjedhësit të penduar është një ilustrim i përsosur i së vërtetës biblike
se shpëtimi është një dhuratë e hirit të Perëndisë që e marrim përmes besimit
dhe jo me anë të veprave (shih Efesianëve 2:8–9; Titit 3:5).
Së dyti, historia e vjedhësit të penduar na tregon se asnjë mëkat nuk është aq i
rëndë sa për të mos u falur. Vjedhësi i penduar e kishte marrë tashmë dënimin
me vdekje për keqbërjen e tij. Gjithçka që dimë për mëkatin e tij është se Shkrimi
e quan vjedhës dhe kriminel.
Ky mëkat, sipas botës, meritonte vdekjen. Megjithatë, sipas Jezuit, ishte i falshëm.
Vdekja e Jezuit mjafton për të paguar borxhin e të gjitha mëkateve tona (Romakëve 6:23). Ajo çka duhet të bëjë
mëkatari është të pranojë e të rrëfejë mëkatin e vet dhe t’i kërkojë Jezuit ta falë.
Në përfundim, kjo histori do të thotë se ka shpresë edhe për ty. Vjedhësi i
penduar besoi në Jezu Krishtin në minutat e tij të fundit. Kjo është provë që
Perëndia do të tregojë hir dhe do t’ua falë mëkatet të gjithë atyre që besojnë në
Të, madje edhe në grahmat e tyre të vdekjes.
Kjo është një e vërtetë e lavdishme! Por duke e ditur mund të mendosh: “Do të
jetoj si të më pëlqejë tani për tani dhe do t’i besoj Jezuit kur të jem më i vjetër”
ose “Do t’i besoj Jezuit në shtratin tim të vdekjes”. Dy pyetje e nxjerrin të pamatur
këtë lloj të menduari:
1) Nga e di se do të kesh mundësi më vonë? Brenda një sekonde mund të të
mbetet zemra dhe shkon në ferr.
2) Nëse nuk dëshiron tani, nga e di se do të duash t’i besosh Jezuit në të
ardhmen?
E vërteta është se të gjithë ne jemi si vjedhësi. Kemi mëkatuar kundër një
Perëndie të shenjtë dhe meritojmë zemërimin e Tij. Një ditë çdo qenie njerëzore
duhet të paraqitet për t’u gjykuar (Hebrenjve 9:27). Megjithatë, siç e pamë në
historinë e vjedhësit, ka shpresë për këdo që përulet me besim dhe pendim para
Perëndisë. Nëse e bën këtë, Jezui do të të thotë me gëzim: “Në të vërtetë po të
them: do të jesh me mua në parajsë”.