Varri

Historia Vazhdon

Një burrë i quajtur Jozef i Arimateut, shkoi te Ponc Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit. Ai ishte një ndjekës i Jezusit, por kurrë nuk e kishte rrëfyer hapur besimin e tij, nga frika se çfarë njerëzit e tjerë mund të mendonin. Nikodemi, një tjetër dishepull i fshehtë, shkoi me të. Ndoshta ata dëshironin që të kishin treguar guxim dhe besnikëri më të madhe ndaj Tij, kur kishin patur rastin. Pilati ishte i kujdesshëm. Përgjigja e tij e parë, ishte të pyeste për konfirmimin nëse Jezusi kishte vdekur me të vërtetë. Centurioni e konfirmoi vdekjen pa hezituar. Vetëm atëherë Pilati e dha trupin e Jezusit. Jozefi dhe Nikodemi e mbështollën trupin e Jezusit me pëlhura prej liri. Jozefi, kishte në pronësi një varr në një kopsht afër vendit ku Jezusi ishte kryqëzuar, kështu që ata e vendosën trupin e Jezusit atje dhe pastaj rrokullisën një gur të madh në hyrjen e varrit. Të nesërmen, Pilati urdhëroi që një roje të vendosej në hyrje të varrit. Atij i kishin raportuar, atë çfarë kishte thënë Jezusi se do të ringjallej ditën e tretë, dhe ai donte të sigurohej që zona përreth varrit të ruhej mirë. “Por Pilati u tha atyre: ''Rojen e keni; shkoni dhe siguroni varrin, si të dini.” (Mateu 27:65). Ata e bënë, por mëngjesin tjetër ishte dita e tretë.

Luka 24:1-49
Mësimi

1 Ditën e parë pas së shtunës, herët në mëngjes, gratë erdhën te varri me vajrat erëmirë që kishin përgatitur. 

2 Ato e gjetën gurin të rrokullisur nga varri, 

3 u futën brenda, por nuk e gjetën trupin e Zotit Jezu. 

4 Ndërsa ishin të hutuara nga kjo gjë, papritur u shfaqën përbri tyre dy burra me rroba vezulluese. 

5 Gratë i zuri frika e ranë me fytyrë përdhe, por burrat u thanë: «Përse e kërkoni të gjallin ndër të vdekurit? Ai nuk është këtu. Është ngjallur. 

6 Kujtohuni se çfarë ju tha kur ishte në Galile, 

7 sesi Biri i njeriut duhej t'u dorëzohej mëkatarëve, të kryqëzohej e të tretën ditë të ngjallej». 

8 Ato kujtuan fjalët e tij 

9 dhe kur u kthyen nga varri, u treguan gjithçka të njëmbëdhjetëve e të gjithë të tjerëve. 

10 Ishin Maria Magdalena, Joana, Maria nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që rrinin me to. Ato ua treguan këto gjëra apostujve, 

11 por atyre iu dukën të pakuptimta këto fjalë e nuk u besuan.

12 Megjithatë Pjetri u ngrit e vrapoi te varri. U përkul e shikoi brenda. Ai pa vetëm pëlhurat e u kthye në shtëpi i mrekulluar për çfarë kishte ndodhur.

Rrugës për Emaus

13 Në të njëjtën ditë, dy prej tyre po shkonin në një fshat me emrin Emaus që është rreth njëmbëdhjetë kilometra nga Jerusalemi. 

14 Ata po flisnin me njëri-tjetrin rreth të gjitha gjërave që kishin ndodhur. 

15 Ndërsa flisnin e bisedonin, Jezui iu afrua dhe eci bashkë me ta, 

16 por diçka i pengonte ta njihnin. 

17 Ai u tha: «Për çfarë po bisedonit me njëri-tjetrin duke ecur?». Ata u ndalën të trishtuar. 

18 Atëherë njëri prej tyre, që quhej Kleopa, iu përgjigj: «A je ti i vetmi i huaj në Jerusalem që nuk e di çfarë ka ndodhur aty këto ditë?». 

19 Ai i pyeti: «Çfarë?». Ata i thanë: «Gjërat rreth Jezuit të Nazaretit që ishte profet i fuqishëm me vepra e me fjalë para Perëndisë e para gjithë njerëzve 

20 dhe sesi kryepriftërinjtë dhe krerët tanë e dorëzuan që të dënohej me vdekje dhe e kryqëzuan. 

21 Ne shpresonim se ai do ta shpengonte Izraelin, por u bënë tri ditë që kur kanë ndodhur këto gjëra. 

22 Disa gra nga grupi ynë na kanë çuditur. Ato ishin sot në mëngjes herët te varri 

23 dhe, pasi nuk e gjetën aty trupin e tij, erdhën e na thanë se u janë shfaqur engjëj që u kanë thënë se ai është gjallë. 

24 Disa nga ata që ishin me ne shkuan te varri dhe e gjetën ashtu siç u kishin thënë gratë, por atë nuk e panë».

25 Atëherë ai u tha: «O të pamend e të ngadaltë për të besuar çfarë kanë thënë të gjithë profetët! 

26 A nuk duhej që Krishti të vuante këto gjëra e pastaj të hynte në lavdinë e tij?». 

27 Pastaj ai u shtjelloi të gjitha Shkrimet që flisnin për të, duke filluar nga Moisiu deri te të gjithë profetët.

28 Kur iu afruan fshatit ku po shkonin, Jezui eci përpara, sikur donte të vazhdonte, 

29 por ata iu lutën shumë e i thanë: «Rri me ne, se po vjen mbrëmja e dita gati mbaroi». Atëherë ai shkoi e ndenji me ta. 

30 Kur ishte në tryezë me ta, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu e ua dha atyre. 

31 Atëherë atyre iu hapën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej tyre. 

32 Ata i thanë njëri-tjetrit: «A nuk na digjte zemra kur na fliste gjatë udhës e kur na çelte Shkrimet?». 

33 Në atë çast u ngritën e shkuan në Jerusalem, ku gjetën të njëmbëdhjetët e të tjerët që ishin me ta e që po rrinin së bashku. 

34 Ata thoshin: «Zoti është ngjallur me të vërtetë dhe i është shfaqur Simonit». 

35 Atëherë dy dishepujt u treguan çfarë kishte ndodhur gjatë udhës dhe sesi u ishte bërë i njohur në thyerjen e bukës.

Jezui u shfaqet dishepujve

36 Ndërsa po flisnin për këto gjëra, Jezui qëndroi mes tyre e u tha: «Paqja me ju!». 

37 Ata u trembën e i zuri frika duke menduar se po shihnin një shpirt. 

38 Por ai u tha: «Përse keni frikë e përse lindin dyshime në zemrat tuaja? 

39 Shikojini duart e mia e këmbët e mia. Jam unë. Prekmëni e shikoni. Shpirti nuk ka mish e kocka siç shihni se kam unë». 

40 Dhe, pasi tha këto, u tregoi duart e këmbët. 

41 Ndërsa ata ende nuk po besonin nga gëzimi dhe çuditeshin, Jezui u tha: «A keni ndonjë gjë për të ngrënë?». 

42 Ata i dhanë një copë peshk të pjekur. 

43 Ai e mori dhe e hëngri në praninë e tyre.

44 Atëherë u tha: «Këto fjalë jua thashë kur isha ende me ju: gjithçka që është shkruar për mua në ligjin e Moisiut, te Profetët e te Psalmet, duhet të përmbushet». 

45 Pastaj ua hapi mendjet që të kuptonin Shkrimet 

46 e u tha: «Është shkruar se Krishti duhet të vuajë e të ngjallet prej të vdekurve të tretën ditë

47 dhe të gjitha kombeve do t'u shpallet pendimi e falja e mëkateve, duke filluar nga Jerusalemi.

48 Ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave. 

49 Ja, unë po ju dërgoj premtimin e Atit tim, prandaj rrini këtu në qytet derisa të visheni me pushtet nga lart».

Gratë kishin dalë herët, sepse donin të kishin kohë për të çmuar kujtimin e Jezusit, i cili kishte vdekur dy ditë më parë, para se të fillonin të bënin gjëra të tjera. 

Maria Magdalena, Joana dhe Maria, nëna e Jakobit ishin pjesë e një grupi që udhëtoi me Jezusin dhe dymbëdhjetë dishepujt (shih Luka 24:10). Ato e kishin dëgjuar Krishtin duke folur për atë që do të ndodhte ditën e tretë, por është mjaft e qartë se në këtë ditë të parë të javës, ato nuk prisnin të ndodhte ndonjë gjë e pazakontë. 

Udhëtimi i tyre për në varr ishte i shtyrë nga dashuria, por ishte absolutisht pa besim. Çfarëdo besimi që kishin në Krishtin, ishte mbytur nga errësira e Kalvarit. Besimi ishte zhdukur; kishte mbetur vetëm dashuria. 

Shumë njerëz kanë një dashuri të thellë për Krishtin, por e kanë të vështirë të besojnë. Ato u tërhoqën fillimisht nga Krishti dhe filluan ta ndiqnin Atë, por më pas ato përjetuan një errësirë të madhe në një tragjedi personale, ose në ndonjë të keqe që kishte ndodhur, dhe diku në errësirë ato pushuan së besuari. 

Të Humbur Për Një Arsye

Kur gratë mbërritën, ato zbuluan se guri i madh para varrit ishte lëvizur nga vendi. Kur hynë brenda, panë që varri ishte bosh. Gratë nuk kishin asnjë ide se çfarë të mendonin. Varri bosh i la "të hutuara" (shih Luka 24:4).

Është e rëndësishme të vëmë re, se ato nuk arritën menjëherë në konkluzionin, që Jezusi ishte ringjallur prej së vdekurish. Vizitoret e para në varrin bosh, ishin mjaft të shushatura dhe kishin nevojë për një shpjegim. 

Nuk është se në momentin kur zbuluan që trupi nuk ishte më, Maria për shembull të thoshte: “Kam këtë ndjesi se ai duhet të jetë ringjallur së vdekuri,” dhe Joana të përgjigjej “E di, edhe unë e kam atë ndjesi”. Ky mendim madje as që i vajti ndër mend atyre. 

Atëherë, nga e mësuan ato se çfarë ndodhi? Zoti ua tregoi atyre.

Zoti Jep Shpjegimin

“Dhe ndodhi që, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, dy burra të veshur me rroba të ndritshme iu qëndruan pranë atyre. Dhe, mbasi ato, të trrembura, e mbanin fytyrën të përkulur përdhe, ata u thanë: Ç’e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? Ai nuk është këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile!” (Luka 24:4-6).

Zoti thirri dy engjëj dhe u tha: “Shkoni dhe tregojini atyre se çfarë kam bërë. Këto gra e duan djalin tim, por nuk ka asnjë mënyrë në botë që ato të kuptojnë se çfarë ka ndodhur. Shko tregojua atyre.” Besimi i Krishterë, bazohet në besimin e shpjegimit të Zotit për atë që Ai ka bërë. 

Kur Maria e virgjër u ngjiz me një fëmijë, nuk kishte asnjë mënyrë që ajo të dinte se çfarë po i ndodhte asaj. Kështu që Perëndia dërgoi engjëllin që t’i shpjegonte se çfarë do të ndodhte. E njëjta gjë ndodhi edhe me barinjtë dhe njerëzit e urtë. Si mund ta dinin ata që foshnja në një grazhd, të ishte Zoti i lindur njeri? Pa shpjegimin e Zotit nëpërmjet engjëjve dhe yllit, ata kurrë nuk do ta kishin ditur se çfarë po ndodhte. 

Ishte e njëjta gjë kur Jezusi u kryqëzua. Shumë njerëz e panë atë të vdiste, por shumë pak e kuptuan domethënien e Kryqit. Zoti na tregon se në kryq, Krishti mbajti mëkatin tonë, duroi ferrin tonë dhe dha jetën e Tij si një sakrificë. 

Edhe gratë, nuk do ta kishin kuptuar kurrë vetë se çfarë kishte ndodhur. Zoti ua tha atyre. Besimi i Krishterë nuk është të mbështetesh tek ndjenjat, impulset apo njohuritë personale. Është të besosh në shpjegimin e Zotit për ngjarjet, të cilat na janë dhënë në Shkrimet. 

“Ai është ringjallur.”

I Ringjallur Do Të Thotë Vdekja Është Mposhtur

Gjatë gjithë historisë Biblike, vdekja ka qenë si një tiran që ushtron një mbretërim terrori mbi racën njerëzore. Askush nuk mund t’i shpëtonte. Vdekja mbretëronte (shih Romakëve 5:14,17). Abrahami, Isaku, Jakobi, Moisiu dhe Davidi të gjithë besuan në premtimin e Zotit, por vdekja mori secilin prej tyre. Kur vdiqën, ata vazhduan të kishin një ekzistencë në hije, të ndarë nga kjo jetë, por nuk ishin në gjendje të bashkoheshin me praninë e Zotit.  

Vdekja i shpuri ata në një vend, ku kishte një rrugë për të hyrë por nuk kishte rrugëdalje. Kur isha rreth 5 / 6 vjeç, klasa jonë e kopshtit kishte një mi të bardhë që mund ta mbanim në shtëpi. Një fundjavë, unë isha duke luajtur me miun së bashku me disa lodra në shtëpinë tonë. 

Miu u intrigua nga autobusi im i kuq dykatësh i stilit Londinez, dhe pasi nuhati përreth, u ngjit brenda. Kjo ishte jashtëzakonisht argëtuese, derisa miu arriti pjesën e përparme të autobusit. Atëherë patëm një problem. Miu nuk mund të lëvizte as përpara dhe nuk mund të kthehej as mbrapa. Kishte ngecur totalisht.  

Mbaj mend që babai im më tha: “Ka vetëm një gjë për të bërë bir. Do na duhet të shkatërrojmë autobusin! " Ai mori një thikë dhe preu pjesën e sipërme të autobuzit. Miu ishte i lirë. 

Nuk mund të imagjinosh se çfarë lehtësimi ishte. Por autobusi im nuk ishte kurrë më i njëjti. Ishte me të vërtetë një pamje e rrallë; një autobus i kuq tipik Londinez, me gjysmën e pjesës së sipërme që mungonte. Sigurisht, kjo i bëri gjërat edhe më interesante për miun. 

Më parë, autobusi kishte një rrugë për të hyrë por nuk kishte asnjë rrugëdalje. Tani, miu mund të hynte nga dera, të ngjitej shkallëve dhe të dilte nga pjesa e sipërme! Ky ishte një ndryshim jashtëzakonisht i madh. 

Nga koha e Adamit deri në kohën e Krishtit, vdekja kishte një rrugë hyrje por jo një rrugëdalje. Por kur Jezus Krishti vdiq, ai hapi një vrimë në vetë vdekjen. Për njerëzit e Krishtit vdekja nuk është më një burg, por një kalim që të çon drejt e në praninë e Zotit. Ky është një ndryshim jashtëzakonisht i madh.

I ringjallur do të thotë që i gjithë personi do të shpengohet: Mesazhi i Pashkëve nuk është që Jezusi është gjallë, por që Jezusi u ringjall! Ja vlen të mendosh për ndryshimin. 

Biri i Perëndisë ishte gjallë në parajsë, para se Ai të merrte trajtën njerëzore. Pra, pse Ai nuk e la thjesht trupin e Tij të kryqëzuar në varr dhe të kthehej tek Ati. Dhe pastaj ishte thjesht mish dhe kocka. Pse u mundua ta bënte këtë? 

Engjëjt edhe mund të ishin shfaqur, në mëngjesin e së Dielës së Pashkëve dhe të kishin thënë: "Trupi i tij është këtu në varr, por mos u shqetësoni, sepse Shpirti i Tij është me Atin në qiell". Në fund të fundit, a nuk është pikërisht kjo ajo që themi në një varrim, kur një i Krishterë vdes? 

Mesazhi i Pashkëve është se Krishti u ringjall! Nuk ishte vetëm fryma e Jezusit që u çlirua nga vdekja—por ishte trupi i tij. Zoti bashkoi trupin dhe shpirtin së bashku. Vdekja i ndan ato. Kjo është arsyeja pse vdekja është një armik kaq i tmerrshëm. Është shkatërrimi i natyrës tonë. 

Vdekja nuk do të mposhtej nga mbijetesa e shpirtit. Fitorja mbi vdekjen do të arrihej, vetëm nëse trupi dhe shpirti të ribashkoheshin, në fuqinë e një jete të re. Ky është lajmi i mirë i ringjalljes. 

Të Bësh një Pushim Virtual 

Supozo se ke planifikuar pushimet e një jete në Hawaii, por pak para se të nisesh për udhëtim, ti bie nga shkallët dhe thyen pothuajse çdo kockë në trupin tënd. 

Nëse do e imagjinoje në stilin e filmave vizatimorë për fëmijë, ti përfundon në spital i fashuar nga koka deri tek këmbët, dhe qëndron shtrirë me një termometër në gojë. 

Një mik, i cili është një mjeshtër në kompjuter, të ofron të bësh një turne virtual. Ai rregullon laptopin e tij, dhe ti padyshim ke mundësi të shohësh pamje të mrekullueshme të Honolulu. "Është kaq e bukur, thjesht do të doja që të mund të shkoja". “Por, ti sapo e bëre," thotë miku yt. "Ti ishe atje në një turne virtual". 

Miku yt është i fiksuar pas kompjuterave, prandaj ja bën qefin dhe nuk e kundërshton dhe e lë të shkojë. Çfarëdo që të thotë ai në botën e tij të zbukuruar virtuale, ti e di që për sa kohë që trupi yt është i bllokuar në spital, ti nuk ke qenë në Hawaii. Të shkosh atje në mendjen tënde, ose përmes internetit, thjesht nuk është e njëjta gjë. 

Jeta që Zoti u premton njerëzve të Tij në parajsë, nuk është si një turne virtual. Nuk është një përvojë shpirtërore ose një lojë brenda mendjes. Perëndia e ka dërguar Krishtin, të të shpengojë ty në tërësi dhe të të marrë ty në trup dhe shpirt, në praninë e Tij. Lajmi i mirë është që Krishti është ringjallur. Ringjallja e trupit, është e ardhmja e lavdishme, që qëndron përpara çdo besimtari të Krishterë. 

I Ringjallur Do Të Thotë Që Ne Të Gjithë Do Të Ndryshojmë 

Kur trupi i Jezusit u ngrit nga të vdekurit, ai gjithashtu u ndryshua. Kjo ishte diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Jezusi e kishte kthyer Llazarin nga vdekja sërisht në jetë. Kjo ishte një mrekulli e jashtëzakonshme, por Llazari doli nga varri pikërisht ashtu siç kishte hyrë në të. Ai vazhdoi procesin e plakjes në pikën ku e kishte lënë, dhe pastaj në një moment të dytë të gjorit, iu desh të kalonte përsëri në të gjithë procesin e mjerueshëm të vdekjes. 

Por kur Krishti u ringjall, trupi i tij nuk i nënshtrohej më plakjes ose sëmundjes. Natyra e tij njerëzore, ishte shndërruar dhe përshtatur për përjetësinë. Kjo është arsyeja, pse të Krishterët mund të presin me padurim parajsën. Kënaqësitë më të mëdha të trupit dhe shpirtit në këtë jetë, janë vetëm një aluzion i vogël, i asaj që Zoti po përgatit për ata që e duan Atë. 

Pyetje Diskutimi

Përdori këto pyetje, për t'u përfshirë më tepër në Fjalën e Zotit. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori si pyetje personale reflektimi.

Një Moment Lutje

O At i Plotfuqishëm, 

Faleminderit që kur Jezusi vdiq, ai ndryshoi natyrën e vdekjes për të gjithë njerëzit e Tij. Faleminderit që Ai u ringjall dhe që, me anë të besimit në Të, edhe unë do të ngrihem. Faleminderit që kur njerëzit e tu vdesin, ajo që është përpara është shumë më e madhe se ajo që mbetet prapa.

Më ndihmo të jetoj në pritjen e gëzueshme të gjithçkaje që do të vijë, përmes Jezus Krishtit, Zotit tim, Amen. 

Luka 24:5

Gratë i zuri frika e ranë me fytyrë përdhe, por burrat u thanë: «Përse e kërkoni të gjallin ndër të vdekurit? Ai nuk është këtu. Është ngjallur.

Gjoni 20:29

Jezui i tha: «Besove, sepse më pe. Lum ata që besojnë pa parë!».

Romakëve 6:9

Ne e dimë se Krishti u ngjall prej të vdekurve dhe nuk mund të vdesë më, sepse vdekja nuk ka më pushtet mbi të.

1 Korintasve 15:20

Por tani Krishti është ngjallur prej të vdekurve dhe u bë risia e ngjalljes së të vdekurve.

Filipianëve 3:20

Ndërsa ne e kemi qytetarinë në qiej, prej nga presim shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht.

Hebrenjve 11:1

Besimi është siguria për gjërat që shpresohen dhe njohja e gjërave që nuk shihen.