Sakrifica

Historia Vazhdon

Njerëzit e Zotit u lodhën duke pritur për Moisiun dhe i mbushën mendjen vëllait të Moisiut, Aaronit, të bënte një idhull. Pastaj i lejuan vetes një festë të shfrenuar, për të festuar zotin e ri që kishin bërë. Prandaj, edhe ndërkohë që Zoti ishte duke i dhënë ligjet e Tij Moisiut në majë të malit, njerëzit poshtë malit ishin të zënë duke i thyer ato. Zoti nuk e imponon Veten e Tij, atyre që nuk e duan Atë. Ai u tha njerëzve se ata mund të shkonin në tokën e Kanaanit, ku ata mund të shijonin lirinë dhe prosperitetin, por Ai nuk do të shkonte me ta. Më pas njerëzit patën meritën, të kuptonin dhe të pranonin se prania e Zotit ishte më e rëndësishme, sesa liria dhe prosperiteti. Po si mund të rikthehej prania e Zotit tek këta njerëz, që kishin mëkatuar kaq haptazi kundër Ligjit të Tij? Gjatë shtatë muajve në vijim, populli ndoqi udhëzimet e Zotit për të ndërtuar tabernakullin. Kjo ishte një qendër lëvizëse adhurimi, e ndarë në zona të ndryshme nga një sërë perdesh, dhe përmbante pjesë të ndryshme të mobiljeve me një simbol. Në qendër ishte një zonë e quajtur “Vendi Më i Shenjtë”. Në të njëjtën ditë të çdo viti, kryeprifti duhej të shkonte atje dhe të ofronte një flijim. Atëherë, Zoti premtoi, se prania e Tij do të zbriste në atë vend të shenjtë.

Levitiku 16:1-22
Mësimi

Dita e shlyerjes

1 Pas vdekjes së dy bijve të Aronit, që u vranë kur iu afruan pranisë së Zotit, Zoti i foli Moisiut. 

2 Zoti i tha Moisiut: «Fol me vëllanë tënd, Aronin, dhe thuaji të mos hyjë në çfarëdo kohe në shenjtërore, përtej velit, para pajtimores që mbulon arkën e besëlidhjes, që të mos vdesë. Unë do të shfaqem në renë përmbi pajtimore. 

3 Kur të hyjë në shenjtërore, Aroni të marrë një mëzat për fli mëkati e një dash për fli shkrumbimi. 

4 Të veshë drejt e në mish këmishën e shenjtë dhe mbathjet prej liri, të ngjishet me brez prej liri dhe në kokë të vërë kësulë prej liri. Këto janë veshjet e shenjta që duhet t'i veshë pasi ta ketë larë trupin me ujë.

5 Prej bashkësisë së izraelitëve të marrë dy cjep për fli mëkati e një dash për fli shkrumbimi. 

6 Aroni ta kushtojë mëzatin si fli për mëkatin e vet dhe të bëjë shlyerjen për veten e për shtëpinë e tij. 

7 Të marrë dy cjeptë e t'i vendosë para Zotit te hyrja e tendës së takimit. 

8 Mandej Aroni të hedhë short mbi dy cjeptë, njërin për Zotin e tjetrin për Azazelin. 

9 Cjapin, mbi të cilin ra shorti për Zotin, ta kushtojë si fli për mëkatin, 

10 ndërsa cjapin, mbi të cilin ra shorti për Azazelin, ta vendosë të gjallë para Zotit, për të bërë mbi të shlyerjen, duke e lënë të shkojë tek Azazeli në shkretëtirë.

11 Aroni ta marrë mëzatin e flisë për mëkatin, me të cilin do të bëjë shlyerjen për veten dhe për shtëpinë e tij, dhe ta therë. 

12 Mandej të marrë temjanicën e ta mbushë me prush prej altarit që është para Zotit, të mbushë edhe grushtin me temjan erëmirë e të hyjë në shenjtërore përtej velit.

13 Temjanin erëmirë ta hedhë mbi prush para Zotit, që reja e temjanit të mbulojë pajtimoren që është mbi dëshminë. Kështu, Aroni nuk ka për të vdekur.

14 Mandej të marrë prej gjakut të mëzatit e të spërkatë me gisht pajtimoren në anën lindore. Të spërkatë prej gjakut me gisht edhe shtatë herë përballë pajtimores.

15 Pasi ta ketë therur cjapin për flinë e mëkateve të popullit, ta sjellë gjakun e tij brenda velit dhe të veprojë siç bëri me gjakun e mëzatit, duke e spërkatur mbi pajtimoren dhe përballë saj. 

16 Kështu do të kryejë shlyerjen e shenjtërores prej papastërtive të izraelitëve dhe prej paudhësive e mëkateve të tyre. Ashtu të veprojë edhe me tendën e takimit, që ndodhet ndër ta, mes papastërtive të tyre. 

17 Askush të mos jetë në tendën e takimit kur të hyjë prifti në shenjtërore e derisa të dalë prej saj, kur ai të kryejë shlyerjen për veten, për shtëpinë e tij dhe për mbarë bashkësinë e Izraelit. 

18 Kur të shkojë tek altari para Zotit për të kryer shlyerjen për të, të marrë prej gjakut të mëzatit e të cjapit dhe të lyejë brirët e altarit. 

19 Mandej ta spërkatë altarin shtatë herë me gisht për ta pastruar e për ta shenjtëruar prej papastërtive të izraelitëve.

20 Pasi të ketë kryer shlyerjen për shenjtëroren, për tendën e takimit dhe për altarin, të sjellë cjapin e gjallë. 

21 Aroni t'i vërë të dyja duart mbi kokën e cjapit të gjallë dhe të rrëfejë mbi të gjithë paudhësinë, shkeljet dhe mëkatet e izraelitëve, duke i vënë mbi kokën e cjapit. Pastaj ta çojë në shkretëtirë me një njeri të caktuar për këtë. 

22 Cjapi do t'i mbartë mbi vete të gjitha paudhësitë në një tokë të shkretë. Ai njeri do ta lërë cjapin të lirë në shkretëtirë.

Nëse do të duhet të përballesh ndonjëherë me një gjykatë gjygji, me shumë mundësi, do të duash të marrësh një avokatë që të përfaqësoj çështjen tënde. Gjykatat e gjygjit janë vende që të frikësojnë dhe veprojnë nën disa rregulla mjaft komplekse, kështu që ke nevojë për ndihmën e një avokati, që të të përfaqësoj para gjykatësit dhe të flasi në emrin tënd. Në Dhjatën e Vjetër, priftërinjtë bën diçka të ngjashme në prani të Zotit.
Ata vepronin në një qendër lëvizëse adhurimi, që quhej tabernakull. Në qendër të tabernakullit, ndodhej Vendi Më i Shenjtë, që ishte i fshehur nga pamja nga një perde e rëndë. Brenda ishte Arka e Besëlidhjes. Ishte një arkë prej druri, e bartur në shtylla, me një mbulesë sipër. Nga mbulesa ngriheshin dy figura të arta të Kerubinëve - engjëjt që përfaqësonin gjykimin e Zotit, të cilët kishin ruajtur hyrjen në Kopshtin e Edenit. 
Midis këtyre dy figurave, ishte një zonë e njohur si "mbulesa e shlyerjes" ose "vendi i mëshirës". Zoti kishte thënë, se Ai do të takohej me Kryepriftin në vendin më të shenjtë, Ditën e Shlyerjes që festohej një herë në vit (Levitiku 16:2, Eksodi 25:22). 

Një Dramë me Pesë Akte

Zoti shpesh na mëson nëpërmjet këtyre skenave, se Dita e Shlyerjes, është ndihma e Tij më e madhe e shfaqur në mënyrë vizuale. 
Ajo çfarë ndodhi ishte si një dramë me pesë akte, secila prej tyre na drejton drejt Jezus Krishtit, dha na ndihmon të kuptojmë rëndësinë e vdekjes së Tij në kryq. 

Akti i Parë: Prifti Shfaqet 

Nëse do kishe patur mundësinë të shihje kryepriftin, do e kuptoje menjëherë, që ai ishte një nga njerëzit më të rëndësishëm në vend. Madhështia e rrobës së tij, shfaqte dinjitetin e zyrës së tij. Por në Ditën e Shlyerjes, kryeprifti nuk mbante veshur rrobën e tij dhe dilte në rrugë i veshur me një rrobë të thjeshtë të bardhë. Njerëzit do të viheshin në rradhë përgjatë rrugës njëri pas tjetrit, ndërsa ai ecte drejt tabernakullit, si një boksier që është duke hyr në ring. 

Akti i Dytë: Prifti Përgatitet 

Përpara se kryeprifti të dilte përpara pranisë së Zotit dhe të ofronte një sakrificë për mëkatet e popullit, prioriteti i tij i parë, ishte të merrej me vetë mëkatet e tij. Ai merrte gjakun e një demi të therur dhe e shpinte në vendin më të shenjtë dhe e spërkaste në vendin e mëshirës. 

Akti i Tretë: Shlyerja është Kryer 

Pastaj dy cjep nxirreshin përpara. Njëri ishte i therur dhe kryeprifti e merrte gjakun e tij mbrapa perdes, dhe e spërkaste atë në vendin e mëshirës, midis dy figurave të arta të Kerubinëve, që përfaqësonin gjykimin e Zotit. Drejtësia ishte e kënaqur dhe mëshira u lëronte, në momentin që sakrifica u kryente. Ashtu si në kopsht, Zoti e devijoi mallkimin larg nga Adami tek toka, po kështu, Zoti ishte i gatshëm të lejonte që dënimi me vdekje të shkonte tek një kafshë, në vend që të shkonte tek një mëkatar. 

Akti i Katërt: Mëkati është Rrëfyer 

Ajo çfarë ndodh më pas, ishte pjesa më dramatike e të gjithë Ditës së Shlyerjes. Cjapi i gjallë merrej përpara. Zoti e kishte udhëzuar kryepriftin që “ të vendosë të dyja duart e tij mbi kokën e cjapit të gjallë dhe do të rrëfejë mbi të tërë padrejtësitë e bijve të Izraelit” (Levitiku 16:21). Shpesh jam stërmunduar të bëj një lutje të llogjikshme, ndërsa mbaj një fëmijë dy vjeçar në krahë, i cili përpëlitet dhe përpiqet dëshpërimisht t’i shpëtojë shtrëngimit tim. 
 
Por një problem i tillë nuk është asnjë gjë, në krahasim me atë që kryeprifti duhej të përballej këtu! Ai duhet të rrëfente të gjitha mëkatet e Izraelit, ndërkohë që mbante me të dyja duart një cjap të gjallë! Kryeprifti vinte në dukje mëkate specifike në lutjen e tij, dhe nëse ti do të kishe qenë në mes të turmës, do e pranoje se disa nga mëkatet që ai po rrëfente, ishin të tuat. Ndërsa kryeprifti lutej, një akt trasferimi zinte vend. 
Faji për këto mëkate ishte hequr nga njerëzit, dhe ishte vendosur mbi cjapin. Kryeprifti “do t'i vërë mbi kokën e cjapit” (16:21). Kështë që në fund të kësaj lutjeje, atje qëndronte vetëm një cjap i mbushur me faje! 

Akti i Pestë: Faji është Hequr 

Pastaj Zoti i tha kryepriftit, “pastaj do ta çojë cjapin në shkretëtirë me anë të një njeriu të zgjedhur enkas” (16:21). Imagjinoje skenën ndërsa cjapin e nxjerrin jashtë, midis çadrave dhe më pas jashtë kampit dhe deri në shkretëtirë. Ti vazhdon ta shohësh, derisa cjapi dhe njeriu bëhen thjesht një pikë në horizont, dhe pastaj nuk arrin më t’i shohësh.

Nuk arrij të imagjinoj, një prezantim vizual më të fuqishëm të ungjillit. Kjo dramë me pesë akte, ishte si një provë para shfaqjes së vërtetë që u zhvillua kur Jezus Krishti erdhi në botë. Ishte si një parapremierë, që na tregonte se çfarë të kërkonim dhe çfarë të prisnim kur Ai të vinte. 

Duke vazhduar përpara nëpër 1500 vjet histori, mund të kalosh nga prova në natën e madhe të fillimit të shfaqjes, nga prova në ngjarjen kryesore, me Jezus Krishtin në rolin e Kryepriftit. 

Akti i Parë: Krishti Shfaqet

Në Dhjatën e Re, një tjetër Kryeprift shfaqet. Ai nuk është një nga djemtë e Aaronit si të tjerët; Ky Prift është Biri i Perëndisë! Lavdia e Tij, është shumë më e madhe se rroba madhështore e veshur nga kryeprifti. Ai e ndau lavdinë e Atit, përpara se bota të krijohej. Por ashtu si Kryeprifti nuk mbante veshur rrobën e tij madhështore në Ditën e Shlyerjes, ashtu edhe Krishti la mënjanë lavdinë e Tij dhe mori formën e një shërbëtori. Ai u mbështoll me lecka dhe u shtri në një grazhd.

Akti i Dytë: Krishti Përgatitet

Jezusi bëri vullnetin e Atit dhe përmbushi të gjithë veprën, që Ati i kishte dhënë Atij për të bërë. Ai përfaqësonte atë çfarë, çdo prift tjetër dëshironte që të ishte. Ai jetoi jetën që asnjë kryeprift tjetër, nuk ishte në gjendje të jetonte. Jeta e tij e përsosur e kualifikoi Atë, që të arrinte atë që të gjithë kryepriftërinjtë e tjerë, mundën vetëm ta ilustronin në teori. 

Akti i Tretë: Krishti Bën Shlyerjen 

Pas tre vitesh të shërbesës së Tij publike, Jezusi u arrestua dhe u dënua me kryqëzim. Në kryq, ai u bë sakrifica për mëkatet tona. Gjykimi i Zotit u largua nga ne dhe shkoi mbi Të. Kur gjaku i Tij u derdh, drejtësia e Zotit u kënaq dhe mëshira e Zotit u lirua. 

Akti i Katërt: Rrëfimi i Mëkateve Tona

Këtu futesh edhe ti në skenë për të luajtur pjesën tënde në dramë. Ashtu siç kryeprifti i vendoste të dyja duart mbi kokën e cjapit të gjallë dhe rrëfente mëkatet e popullit, Zoti të fton ty “të qëndrosh pa lëvizur” përpara Jezus Krishtit, si një akt besimi dhe t’ia rrëfesh të gjitha mëkatet e tua Atij. 

Sakrifica e ofruar nga Jezusi, është e mjaftueshme për të mbuluar mëkatet e të gjithë botës. Por nuk është kështu, derisa ti të shkosh tek Ai në besim dhe të rrëfesh që sakrifica e Tij, është e vendosur edhe për mëkatet e tua në veçanti. A e ke bërë këtë? Kur e bën këtë, Zoti e konsideron fajin e mëkatit tënd si të transferuar tek Jezus Krishti. Është vendosur mbi të dhe përfshihet në mëkatin për të cilin ai vdiq. 

Akti i Pestë: Mëkatet Tona Janë të Fshira

Kur mëkatet tona u vendosën mbi Krishtin, Zoti premtoi se ai do ti shpinte ato aq larg nga ne, sa larg është lindja nga perëndimi (Psalmi 103:12).

Mundohu të imagjinosh një person, i cili ka qenë duke luftuar me një ndërgjegje të trazuar. Le ta quajmë atë Sara. Ajo ka bërë një zgjedhje të pamend dhe pyet veten, nëse Zoti do mund ta fali atë ndonjëherë. Sara është në mes të turmës, duke parë dramën e madhe të Ditës së Shlyerjes. Të nesërmen, ajo është ende duke luftuar me ndërgjegjen e saj, kur një mik i afrohet për të biseduar me të. 

-Sara, mendo pak për atë që pe dje. Çfarë ndodhi kur kryeprifti kapi atë cjapin nga koka? 

-Ai rrëfeu mëkatet tona. 

-Dhe a e rrëfeu ai edhe mëkatin tënd?

-Po, në fakt e bëri, dhe kur ai po e rrëfente atë me zë të lartë, u ndjeva kaq shumë e turpëruar. 

-Çfarë ndodhi me mëkatet që ai rrëfeu?

-Ato u vendosën mbi kokën e cjapit. 

-Dhe çfarë i ndodhi cjapit? 

-Atë e shpunë shumë larg. 

-Sa e larg e shpunë atë, Sara?

-Aq larg sa nuk mund të shihja. 

Merre këtë skenë dhe zbatoje në jetën tënde. A i imagjinon dot mëkatet e tua që të largohen kaq shumë, sa të mund të mos ti shohësh dot më? Zoti dëshiron që të dish, se përmes veprës së përfunduar të Krishtit, mëkati yt është falur dhe faji yt është fshirë.

Pyetje Diskutimi

Përdori këto pyetje, për t'u përfshirë më tepër në Fjalën e Zotit. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori si pyetje personale reflektimi.

Një Moment Lutje

O At i Hirshëm,

Faleminderit që Zoti Jezus Krisht, erdhi në botë për të qenë Kryeprifti im. Faleminderit që Ai ishte i gatshëm të linte mënjanë lavdinë e Tij dhe të lindte në një grazhd. 

Faleminderit për jetën e Tij të përsosur, që e kualifikoi Atë për të bërë shlyerjen. Faleminderit që Ai e bëri shlyerjen duke dhënë jetën e Tij dhe duke derdhur gjakun e Tij. Unë besoj në Zotin Jezus Krisht dhe, tani, kam besim tek Ai si Shpëtimtarin dhe Zotin tim. 

Unë të rrëfej mëkatet e mia Ty. ( Merr kohën që të duhet, për t’i rrëfyer mëkatet e tua Zotit.) 

Faleminderit që Krishti vdiq për këto mëkate. Faleminderit që i largove këto mëkate nga unë. 

Më ndihmo tani të shijoj paqen, duke ditur se Ti i ke larguar ato nga unë, aq larg sa është lindja nga perëndimi, përmes Jezus Krishtit, Zotit tonë. 

Amen.

Isaia 53:6

Të gjithë endeshim si dele të humbura, secili prej nesh ndiqte udhën e vet. E Zoti ngarkoi mbi të paudhësinë e ne të gjithëve.

Levitiku 16:30

Atë ditë prifti të bëjë shlyerjen për ju, për t'ju pastruar prej të gjitha mëkateve që të jeni të pastër para Zotit.

Hebrenjve 9:12

Kur Krishti hyri një herë e përgjithmonë në shenjtëroren e shenjtëroreve, nuk kushtoi gjak cjepsh e viçash, por gjakun e vet, duke na sjellë shpengimin e amshuar.

Levitiku 17:11

Jeta e çdo gjallese është në gjakun e saj. Prandaj jua kam dhënë ta vini mbi altar për të kryer shlyerjen për veten tuaj. Gjaku është jetë, prandaj shlyen.

Psalmi 103:12

Sa larg është lindja nga perëndimi, aq i largon prej nesh paudhësitë tona.

Hebrenjve 10:10

Nga ky vullnet u shenjtëruam nëpërmjet flijimit që bëri Jezu Krishti një herë e përgjithmonë.