Qyteti
Zbulesa 21:1-27
Mësimi
Qielli i ri dhe toka e re
1 Pastaj pashë një qiell të ri e një tokë të re. Qielli i parë dhe toka e parë ishin zhdukur dhe as deti nuk ishte më.
2 Pashë edhe qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli prej Perëndisë, si një nuse e zbukuruar për dhëndrin e saj.
3 Atëherë dëgjova një zë të lartë nga froni që tha: «Ja banesa e Perëndisë me njerëzit! Ai do të banojë me ta dhe ata do të jenë populli i tij. Vetë Perëndia do të jetë me ta dhe ai do të jetë Perëndia i tyre.
4 Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vajtim, as dhimbje, sepse bota e mëparshme mori fund».
5 Ai që rrinte ulur në fron tha: «Ja, unë i bëj të reja të gjitha gjërat!». Pastaj më tha: «Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta!».
6 Dhe shtoi: «U kryen! Unë jam Alfa e Omega, fillimi e mbarimi. Atij që ka etje, do t'i jap të pijë falas nga burimi i ujit të jetës.
7 Ai që fiton, do t'i trashëgojë këto. Unë do të jem Perëndia i tij dhe ai do të jetë biri im.
8 Ndërsa frikacakët, të pafetë, ndyrësirat, vrasësit, kurvarët, magjistarët, idhujtarët dhe të gjithë gënjeshtarët do ta kenë vendin në liqenin që digjet me zjarr e me squfur». Kjo është vdekja e dytë.
Jerusalemi i ri
9 Pastaj erdhi një nga shtatë engjëjt, që kishin shtatë kupat e mbushura me shtatë plagët e fundit, e më tha: «Eja të të tregoj nusen, gruan e Qengjit!». 10 Atëherë u rrëmbeva nga Shpirti dhe engjëlli më çoi në majën e një mali të madh e të lartë. Atje më tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin, që zbriste nga qielli prej Perëndisë.
11 Qyteti kishte lavdinë e Perëndisë dhe shkëlqente si gur i çmuar, si gur diaspri kristalor.
12 Ai kishte një mur të madh e të lartë me dymbëdhjetë porta dhe mbi to qëndronin dymbëdhjetë engjëj. Mbi porta ishin shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit.
13 Tri porta ishin nga lindja, tri nga veriu, tri nga jugu e tri nga perëndimi. 14 Muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele, mbi të cilat ishin shkruar dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.
15 Ai që fliste me mua kishte një shkop të artë matës për të matur qytetin, portat dhe murin e tij.
16 Qyteti shtrihej në formë katrore dhe e kishte gjatësinë sa gjerësia. Engjëlli e mati qytetin me matës dhe ishte dy mijë e katërqind kilometra i gjatë. Gjatësia, gjerësia dhe lartësia ishin të barabarta.
17 Mati edhe murin që ishte gjashtëdhjetë e gjashtë metra. Engjëlli përdori të njëjtën masë që përdor njeriu.
18 Veshja e murit ishte prej diaspri, ndërsa qyteti vetë ishte prej ari të kulluar, të pastër si qelqi.
19 Themelet e murit të qytetit ishin zbukuruar me të gjithë gurët e çmuar. Themeli i parë ishte prej diaspri, i dyti prej safiri, i treti prej kalcedoni, i katërti prej smeraldi,
20 i pesti prej sardoniku, i gjashti prej sardi, i shtati prej krisoliti, i teti prej berili, i nënti prej topazi, i dhjeti prej krisopazi, i njëmbëdhjeti prej hiacinti dhe i dymbëdhjeti prej ametisti.
21 Dymbëdhjetë portat kishin dymbëdhjetë margaritarë. Secila portë ishte bërë nga i njëjti margaritar, ndërsa sheshi i qytetit ishte prej ari të kulluar si qelq i tejdukshëm.
22 Tempull nuk pashë në qytet, sepse tempulli i tij është Zoti Perëndi i gjithëpushtetshëm dhe Qengji.
23 Qyteti nuk ka nevojë as për diell e as për hënë që të ndriçohet, sepse atë e ndriçon lavdia e Perëndisë dhe pishtari i tij është Qengji.
24 Kombet do të ecin me dritën e tij dhe mbretërit e tokës do të sjellin aty lavdinë e tyre.
25 Ditën portat nuk do të mbyllen kurrë dhe atje nuk do të ketë natë.
26 Atje do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve.
27 Në të nuk do të hyjë asgjë e papastër dhe askush që bën gjëra të pështira a të gënjeshtërta, por vetëm ata që janë shkruar në librin e jetës, libër që i përket Qengjit.
Mendo për mënyrën se si një gjerdan me perla, qëndron i varur në qafën e një gruaje. Bie poshtë dhe pastaj ngrihet sërisht lart, në këtë mënyrë që perla e parë dhe e fundit të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës, duke u ndarë vetëm nga kapsja. Kur kapsja hapet dhe gjerdani vendoset i shtrirë, perla e parë dhe e fundit duken shumë larg, por kur bashkohen me kapësen, ato qëndrojnë ngjitur me njëra-tjetrën.
Historia e Biblës fillon në një kopsht, përfundon në një qytet dhe përgjatë gjithë rrugës, na drejton tek Jezu Krishti. Kopshti dhe qyteti mund të duken shumë larg. Por, si perlat në gjerdan, Zoti i ka afruar ato jashtëzakonisht afër.
Bibla fillon me krijimin e qiejve dhe tokës nga Zoti. Dhe përfundon me krijimin e një parajsë të re dhe një toke të re nga Zoti. Gjithçka që humbi Adami, do të rikthehet dhe shumë më tepër se kaq.
Një Parajsë e Re dhe Një Tokë e Re
“Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më.” (Zbulesa 21:1)
Ne mund ta kuptojmë lehtë pse Zoti do të bëj një tokë të re, por pse Zoti do të bëj edhe një parajsë të re? Përpara se të kishte rebelim në tokë, kishte rebelim në parajsë. Satani donte të ngjitej në fronin e Perëndisë dhe prandaj ai u dëbua. Mundësia e së keqes, ekzistonte si në tokë ashtu edhe në parajsë.
Por tani, Gjoni e sheh që armiku do të shkatërrohet përgjithmonë dhe se Zoti do të formojë një parajsë të re, të lirë jo vetëm nga prania e së keqes, por edhe nga mundësia e ekzistencës së saj.
Pastaj Gjoni thotë se pa një “tokë të re”. "E re", do të thotë se do të jetë ndryshe në mënyrë të mrekullueshme. "Tokë", do të thotë se ajo do të jetë çuditërisht e njohur. Fati i besimtarit të Krishterë, nuk është një ekzistencë ëndërr në një botë imagjinare. Zoti do të riformojë, rikrijojë, plotësojë dhe rinovojë këtë planet (Romakëve 8:21).
Gëzimet e parajsës dhe tokës së re, janë përtej çdo gjëje që ne mund të imagjinojmë, por Zoti përdor dy imazhe, për të na dhënë disa hollësira për atë se çfarë e pret popullin e Tij. Ato janë qyteti dhe kopshti.
Jeruzalem, Jeruzalem
“Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jeruzalemin e ri, që zbriste nga Perëndia, prej qiellit.” (Zbulesa 21:2)
Në këtë pikë të historisë, historia njerëzore siç e njohim ka mbërritur në një fund. Londra, Çikago, Jeruzalemi, Kajro, Pekini, Moska, Bagdadi, Bangkoku, Johanesburgu dhe Kalkuta, janë zhdukur të gjitha! Toka është zhveshur nën nxehtësinë e gjykimit të zjarrtë të Zotit (shih 2 Pjetri 3:10, Hebrenjve 1:10-12).
Tani Gjoni pa një qytet të ri që zbriste nga qielli. Ai menjëherë njohu formën e tij. Jeruzalemi! Ishte padyshim i njohur për të. Jeruzalemi është plot domethënie në historinë e Biblës. Ky ishte vendi ku Zoti zbriti për t'u takuar me njerëzit e Tij, kur reja e pranisë së Tij mbushi tempullin.
Duke Bërë Matjen
Qyteti i ri ishte absolutisht i gjerë. Ai shtrihej si një shesh dhe maste dymbëdhjetë mijë stade (shih Zbulesa 21:16). Kjo është një mijë e katërqind milje, sa është distanca nga New York deri në Houston. Zona e mbuluar nga qyteti do të ishte, sa tre të katërtat e madhësisë së Amerikës ose pesë herë më e madhe se Britania e Madhe. Është absolutisht e mahnitshme.
Gjoni tashmë e kishte parë, që njerëzit e Zotit, janë më shumë se çdokush mund të numërojë. Tani Zoti po komunikonte, se Ai ka një qytet të gjerë për këtë popull të madh. Ai ka një vend për secilin nga njerëzit e Tij. Matjet e qytetit janë dhënë në tre dimensione. “Gjatësia dhe gjërësia dhe lartësia e tij janë të barabartë” (21:16). Me fjalë të tjera, është një kub i përsosur.
Gjoni menjëherë do ta kuptonte domethënien e kësaj. Vendi më i shenjtë në tempull, ku Zoti u takua me njerëzit e tij ishte gjithashtu një kub i përsosur, njëzet kubitë i gjatë, njëzet kubitë i gjerë dhe njëzet kubitë i lartë (shih 1 Mbretërve 6:20).
Qyteti i vjetër kishte një vend të shenjtë, ku prania e Zotit zbriti për pak. Qyteti i ri është një vend i shenjtë, ku prania e Zotit do të qëndrojë përgjithmonë. Në Jeruzalemin e vjetër, vetëm një dhomë ishte e mbushur me lavdinë e Tij. Në Jeruzalemin e Ri, i gjithë qyteti do të jetë i mbushur me lavdinë e Tij dhe një turmë e madhe burrash dhe grash, më shumë se çdokush mund të numërojë, do jenë në gjendje të jetojnë në dritën e pranisë së Zotit.
Parajsa e Rivendosur
“Dhe më tregoi lumin e pastër të ujit të jetës...Në mes të rrugës së qytetit, këtej e andej lumit, pema e jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe jep çdo muaj një frut;” (Zbulesa 22:1-2).
Deri në këtë pikë të vizionit, Gjoni e kishte parë Jeruzalemin e Ri vetëm nga jashtë. Por tani, ai është i ftuar të hyjë brenda. Ndërsa hyn, pamja ndryshon dhe pa dyshim për mahnitjen e tij absolute, Gjoni sheh një kopsht! Historia e Biblës filloi në një kopsht dhe tani, në fund të historisë së Biblës, kjo parajsë është rivendosur.
Por vije re, që nuk ka asnjë pemë të njohjes së së mirës dhe së keqes, në qytetin e ri të kopshtit të Zotit. E keqja nuk mund të ekzistojë më atje. Ky kopsht është i lirë jo vetëm nga prania e saj, por edhe nga mundësia e ekzistencës së saj.
Në kopshtin e ri, njerëzit e Zotit kanë të drejtë të marrin nga pema e jetës, e cila jep dymbëdhjetë të korra të ndryshme frutash, të gatshme për t’u mbledhur çdo muaj. Shumëllojshmëria e frutave flet për pasuritë e jetës, që rimbushen vazhdimisht në praninë e Zotit.
Kënaqësitë e qytetit të ri të Kopshtit të Zotit, do të tejkalojnë gjithçka që Adami njihte në Kopshtin e Edenit. Ti do të shijosh fruta që Adami kurrë nuk i shijoi dhe do të shijosh kënaqësitë, që Adami kurrë nuk mundi të njihte.
Duke Shërbyer dhe Duke Mbretëruar
Shërbëtorët e tij do t'i shërbejnë Atij. Ata do të mbretërojnë përgjithmonë (shih Zbulesa 21:3,5). Në kopshtin e parë, Adami i shërbeu Zotit duke sunduar ose duke mbretëruar mbi mbretërinë e kafshëve.
Ai qëndroi në pushtet mbi ta. Por kur erdhi gjarpri, ai nuk e mbajti sundimin e tij. Por tani njerëzit e Zotit, janë rivendosur në një pozitë për të shërbyer dhe mbretëruar. Fatmirësisht, kjo nuk do të thotë që të gjithë do të kemi punë në drejtimin qeverisës!
Kur Zoti flet për ne që do jemi duke mbretëruar, Ai po na tregon se jeta do jetë e rregullt dhe do të vihet nën kontrollin tënd. Ti nuk do t'i nënshtrohesh më tiranisë së kohës, grumbujve të dokumenteve dhe gjithçkaje që shkon me të.
Nuk do të zvarritesh më nga baticat e paparashikueshme të emocioneve, mashtrimet e mendjes apo impulset e vullnetit. Nuk do të durosh më marrëdhënie që nuk funksionojnë dhe nuk do të jesh më subjekt i rrezikut ose i vdekjes.
Jeta jote do të jetë e rregullt, puna jote e përmbushur dhe marrëdhëniet e tua të plota. Vetë jeta do të vihet nën kontrollin tënd dhe ti do të jesh i lirë të përmbushësh të gjitha qëllimet e Zotit.
Duke Shijuar Praninë e Zotit
Froni i Perëndisë dhe i Qengjit, do të jetë në qytet dhe shërbëtorët e tij do t'i shërbejnë. Ata do ta shohin fytyrën e tij. ( shih Zbulesa 22:3)
Prania e Zotit në këtë qytet, është bekimi i tij më i madh. Në Kopshtin e Edenit, Zoti zbriti si vizitor dhe e bëri të njohur Veten e Tij. Ai nuk iu imponua burrit dhe gruas, por u dha atyre mundësinë, për të zgjedhur një marrëdhënie besimi dhe bindjeje me Të.
Por tani, Zoti ka mbledhur një komunitet të gjerë njerëzish që kanë dashur ta duan Perëndinë lirshëm. Pra, Zoti nuk është më një vizitor. Froni i tij zbret në qytet në mënyrë që njerëzit e Zotit, të jetojnë në praninë e Tij dhe ta shijojnë Atë përgjithmonë. “Dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta” (21:3).
Ftesa e Madhe
Fryma dhe nusja thonë, “Eja!” (shih Zbulesa 22:17). Gjoni pa dymbëdhjetë porta në qytetin kopsht të Zotit. Kishte tre në secilën anë, që tregonin se njerëzit do të vinin në të nga veriu, jugu, lindja dhe perëndimi (21:12-13).
Gjoni pa një engjëll tek secila portë (21:12). Në fillim të historisë së Biblës, Kerubinët dhe një shpatë e zjarrtë, ruajtën hyrjen në pemën e jetës.
Por tani nuk ka asnjë shpatë flakëruese. Jezus Krishti ka ardhur dhe shpata e gjykimit të Zotit është thyer mbi Të. Tani engjëjt qëndrojnë pranë portave jo për të ndaluar hyrjen, por për të siguruar një mirëseardhje për të gjithë ata që do të vijnë.
Zoti Jezus Krishti, ka hapur rrugën për jetën e përjetshme për ty. Ai të ofron të gjitha këto, por ti duhet të vish! Hyr, me pendim dhe besim, në atë që Jezusi ka hapur për ty. Eja dhe merr jetën që Ai të ofron. Eja tek Ai, sepse njerëzit e Tij do të hyjnë në këtë qytet të mrekullueshëm.
Fryma dhe Nusja të ftojnë të vish. Nusja është kisha. Nëse nuk e ke zbuluar ende besimin në Jezus Krishtin, ka shumë gjasa që ekziston diku një i krishterë, që është lutur dhe dëshiron që ti ta bësh këtë. Është privilegji im, të të flas në emër të nuses dhe të të ftoj të vish.
Fryma e Shenjtë gjithashtu thotë, "eja". Zoti dëshiron që ti të jesh pjesë e kësaj, dhe Ai po të fton ty. Mos qëndro në një distancë nga dhurata e paçmuar që Zoti po të ofron. Eja!
Fotografitë dhe Kujtimet
Jam mirënjohës që gruas sime Karen, i pëlqen të krijoj albume fotografie. Ato janë një regjistrim i mrekullueshëm i jetës sonë. Ne e përjetojmë jetën, në vende të ndryshme në momente të ndryshme të kohës. Kur shikoj albumin e fotografisë, më kujtohet, “po, kam qenë atje, në atë kohë”.
Ndërsa lexon fundin e këtij libri, ti je në një vend të veçantë në një moment të caktuar kohe. Ti di se je këtu, tani. Nëse ke ardhur tek Krishti, do të vijë momenti kur ti do ta dish se do të jesh atje. Dhe kur të jesh atje, do të jesh atje përgjithmonë.
Pyetje Diskutimi
Përdori këto pyetje, për t'u përfshirë më tepër në Fjalën e Zotit. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori si pyetje personale reflektimi.
Një Moment Lutje
Perëndi i Hirshëm,
Unë vij për të marrë me anë të besimit, atë që më ofron me anë të Jezus Krishtit. Të kërkoj që të më bësh një qytetar të mbretërisë Tënde dhe që një ditë Krishti do të më drejtojë, drejt vendit që Ai po përgatit për të gjithë njerëzit e Tij.
Faleminderit që ky është premtimi i Tij për të gjithë ata që besojnë, dhe për këtë arsye është premtimi i Tij edhe për mua. Më ndihmo, të jetoj për lavdinë Tënde, derisa ajo ditë të vijë.
Në emrin e Jezusit, Amen.

Isaia 65:17
Se, ja, unë po krijoj një qiell të ri e një tokë të re! Gjërat e shkuara më nuk do të kujtohen, në zemrën tënde vend më s'do të kenë.

Gjoni 14:2
Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa, përndryshe nuk do t'ju thosha se po shkoj t'ju bëj gati vendin.

Hebrenjve 11:10
Sepse ai priste qytetin me themele të forta, arkitekt dhe ndërtues i të cilit do të ishte Perëndia.

2 Pjetrit 3:13
Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj dhe tokë të re, ku banon drejtësia.

Filipianëve 3:20
Ndërsa ne e kemi qytetarinë në qiej, prej nga presim shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht.

Psalmi 46:5
Rrëketë e lumit qytetin e Perëndisë gëzojnë, vendin e shenjtë ku i Tejlarti banon.