Ligji

Historia Vazhdon

Zoti vazhdoi t’i jepte dhurata të mira prindërve tanë të parë, por jashtë Edenit, dhe lufta e tyre me të keqen u intensifikua edhe më shumë. Kur Eva mbajti djalin e saj të parë në krahë, Kainin, ajo duhet të ketë shpresuar që ai mund të ishte shpëtimtari, që Zoti kishte premtuar. Por ai vrau vëllain e tij dhe u bë vrasësi i parë në botë. Ndërsa brezat u shtuan, edhe e keqja u shumua në masë dhe njerëzit dinin shumë pak për Zotin e gjallë. Por Zoti, nuk do ta braktiste racën njerëzore. Ai i’u shfaq një burri që quhej Abraham, dhe i premtoi se do ta bekonte atë dhe nëpërmjet tij, edhe njerëzit nga çdo komb përmbi tokë (Zanafilla 12:1-3). Që nga ajo pikë, Bibla ndjek historinë e pasardhësve të Abrahamit. Në kulmin e një zije për ushqim në Kanaan, nipi i Abrahamit, Jakobi, u shpërngul bashkë me familjen e tij në Egjipt. Mërgimi shpëtoi jetët e tyre, dhe gjatë katërqind viteve në vazhdim, njerëzit që Zoti premtoi t’i bekonte, nga një familje e madhe u rritën në një komb prej pothuajse dy milion njerëzish. Ndërsa rriteshin në numër, Hebrenjtë u shtypën dhe u bënë skllevër. Zoti ngriti Moisiun dhe, megjithë rezistencën e vendosur të Faraonit për t’i penguar, i çliroi ata nga Egjipti. Zoti i shpuri ata, në shkretëtirën e Sinait dhe bëri një besëlidhje me ta. Ata do ishin populli i Tij dhe Perëndia do të ishte Zoti i tyre. Atëherë Zoti u dha atyre Ligjin.

Dalja 20:1-21
Mësimi

Dhjetë urdhërimet

1 Perëndia tha këto fjalë: 

2 «Unë, Zoti, jam Perëndia yt, ai që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë.

3 Mos ki Perëndi tjetër, përveç meje.

4 Mos bëj idhull për veten tënde e asgjë të ngjashme me gjërat që janë lart në qiell, poshtë në tokë apo në ujërat e nëndheshme.

5 Mos i adhuro, as mos u shërbe, sepse unë Zoti, Perëndia yt, jam Perëndi xheloz që ndëshkon paudhësinë e etërve deri në brezninë e tretë e të katërt të bijve të atyre që më urrejnë. 

6 Por, jam i mëshirshëm me mijëra që më duan e që zbatojnë ligjin tim.

7 Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd, sepse ai nuk do të lërë pa ndëshkuar këdo që e merr nëpër gojë kot emrin e tij.

8 Kujtoje ditën e shtunë dhe shenjtëroje. 

9 Gjashtë ditë do të punosh e do të bësh gjithë punët e tua, 10por dita e shtatë është e shtuna e Zotit, Perëndisë tënd. Mos bëj gjë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote e as i huaji që rri me ty. 

11 Sepse në gjashtë ditë Zoti bëri qiellin, tokën, detin dhe gjithçka është në to. Ditën e shtatë ai pushoi, prandaj edhe Zoti e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e shtunë.

12 Ndero atin tënd e nënën tënde, që të kesh jetë të gjatë në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt.

13 Mos vrit.

14 Mos bëj tradhti bashkëshortore.

15 Mos vidh.

16 Mos bëj dëshmi të rreme kundër të afërtit tënd.

17 Mos lakmo shtëpinë e tjetrit. Mos lakmo gruan e tij, as shërbëtorin e shërbëtoren e tij, as kaun e gomarin e tij, asgjë që është e tija».

18 Tërë populli i dëgjoi e i pa gjëmimet, vetëtimat, jehonën e bririt dhe malin në tym, u drodh nga frika dhe qëndroi larg. 

19 Atëherë i thanë Moisiut: «Fol ti me ne e ne do të dëgjojmë. Të mos na flasë Perëndia, përndryshe do të vdesim!». 

20 Moisiu u tha: «Mos kini frikë! Perëndia erdhi për t'ju sprovuar, që ta druani gjithnjë e të mos mëkatoni». 

21 Populli qëndroi larg, ndërsa Moisiu iu afrua resë së errët, ku ishte Perëndia.

Moisiu ishte duke u dridhur, ndërsa qëndronte në fund të malit i rrethuar nga dy milion njerëz të terrorizuar. Ndërsa shikonin lart, ata mund të shihnin “Malin e Sinait që ishte tërë tym, sepse Zoti kishte zbritur mbi të në zjarr” (Eksodi 19:18). I tëri mali u drodh, ndërsa Zoti që kishte ecur bashkë me Adamin në kopsht, zbriti poshtë. Njerëzit ishin kaq të llahtarisur, sa ata i kërkuan Moisiut të shkonte në majën e malit, kështu që Zoti të mund të fliste me të. Ata nuk mund të duronin faktin, që Zoti t’u fliste drejtpërsëdrejti. Atëherë Moisiu u ngjit në mal, dhe Zoti i dha atij Dhjetë Urdhërimet (Eksodi 20:3-17). Dhjetë Urdhërimet, nuk janë një sërë rregullash të paarsyeshme. Në fakt, ato janë një pasqyrim i drejtpërdrejtë, i karakterit të Zotit. 

Kur Zoti tha, “Mos ki perëndi të tjerë para meje,” ishte sepse Ai është i vetmi Zot (Eksodi 20:3). Nuk ka të tjerë si Ai. 

Kur Ai na urdhëron që ne të pushojmë në të njëjtën ditë çdo javë, është sepse, edhe ai pushoi në ditën e shtatë të Krijimit. 

Pse nuk duhet të kryesh tradhëti bashkëshortore? Sepse Zoti është besnik. 

Pse nuk duhet të vjedhësh? Sepse Zoti është i besueshëm. 

Pse nuk duhet të gënjesh? Sepse Zoti është e vërteta. 

Pse nuk duhet të lakmosh? Sepse Zoti është në paqe dhe i kënaqur në Vetvete. 

Ligji pasqyron lavdinë e Zotit, dhe nëse jetët tona pasqyrojnë atë që Zoti është, kështu do të jenë edhe ato. 

Betejat më të Mëdha të Zemrës Tënde 

Dhjetë Urdhërimet gjithashtu, nxjerrin në pah mundimet më të mëdha të përvojës njerëzore. 

Në urdhërimin e parë, Zoti tha, “Mos ki perëndi të tjerë para meje”. Nuk e kemi të lehtë ta lëmë Zotin, të jetë i pari në jetët tona. Ashtu si Adami dhe Eva në kopsht, ne duam ta zëmë vendin e Zotit vetë. 

Në urdhërimin e dytë, Zoti tha, “Mos bëj skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje”. Ne stërmundohemi të lavdërojmë Zotin ashtu siç Ai është, dhe preferojmë të mendojmë për Zotin, ashtu siç ne do të donim që Ai të ishte. 

Kur Zoti tha “Mos e përdor emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot”, mendoje këtë sikur Ai të ishte duke thënë, Ti do të tundohesh të përdorësh emrin tim për të mbështetur paragjykimet e tua, dhe për të shprehur zhgënjimet e tua. Dhe pastaj Ai tha, “Mbaje mend ditën e shabatit për ta shenjtëruar,” Ai po na tregonte, se do ta kishim të vështirë t’i jepnim Atij kohën tonë.  

Gjashtë urdhërimet e fundit, flasin për vështirësinë që kemi për të dashur fqinjin tonë si vetveten. Kur Zoti tha “Ndero atin tënd dhe nënën tënde”, Ai vuri në dukje vështirësinë tonë, për t’iu nënshtruar autoritetit. 

Ne gjithashtu bëjmë luftë, me problemet e zemërimit që zgjat pafund. Zoti flet për to në gjashtë urdhërimet: “Mos vrit.” Krishti na tregon, se çështja këtu shkon përtej dhunës fizike, deri tek inati që ndodhet brenda nesh që mund të ndiejmë ndaj të tjerëve (shih Mateu 5:21–22).

Në urdhërimin e shtatë, Zoti po na tregon se do të ketë një betejë për pastërtinë seksuale duke thënë, “Mos shkel besnikërinë bashkëshortore.” Përsëri, Krishti e bëri të qartë, se ky urdhërim flet për vështirësinë e të mbajturit një mendje dhe mendime të pastra. 

Më pas, përballemi me betejën për integritet dhe ndershmëri personale: “Mos vidh” dhe “Mos bëj dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd”. Do të ketë rrethana, në të cilat do të jesh i prirur të ekzagjerosh për një histori, të paraqesësh keq mënyrën se si janë gjërat, ose thjesht të thuash drejtpërdrejt një gënjeshtër të pacipë. 

Së fundi, ne mundohemi rreth gjithë kësaj çështjes së kënaqësisë. Kjo është dhe arsyeja pse Zoti i shkroi dhjetë urdhërimet: “Mos dëshiro.” Kur përqëndrohesh në atë se çfarë njerëzit e tjerë kanë, kjo do të krijojë brenda teje një ndjesi që “duhet ta kesh” edhe ti. 

Këto janë betejat e jetëve tona, apo jo? Këto janë stërmundimet e mëdha, që ne të gjithë përballemi, në një formë apo në një tjetër. Ligji është si një dritë që ndriçon në shpirtrat tanë, dhe kur shohim atë që Zoti është duke na thënë, ne duhet ta pranojmë, se Ai është duke folur në mënyrë të drejtpërdrejtë me betejat e zemrës tonë. 

Një Radiografi e Shpirtit

Isha tek dentisti kohët e fundit. E kisha shtyrë vizitën për një kohë të gjatë, më së shumti, sepse nuk ndjeja ndonjë dhimbje. Eksperienca nuk ishte inkurajuese. Dentisti im më bëri disa radiografi dhe i ngriti ato në dritë për t’i parë. 

“Obobo, ç’gjëndje e mjerueshme! Ka shumë prishje nën këto mbushje," tha ai. 

“Por unë nuk ndjej asnjë dhimbje,” insistova unë. Por atij nuk i bëri përshtypje kjo. “Do kesh nevojë për një punë goxha të madhe” tha ai. “Dhe sa më shpejt, aq më mirë.”

Shumë njerëz ecin në jetë, pa ndjerë ndonjë dhimbje për gjëndjen e tyre shpirtërore. Ata bëjnë supozimin e rremë, se gjërat janë mirë me ta dhe se duke jetuar një jetë të respektueshme në përgjithësi, ata janë në një gjendje të mirë shpirtërore. Por ligji i Zotit, është si një radiografi për shpirtin. Ai na tregon, se jemi njerëz që e kemi të vështirë t’a lëmë Zotin të jetë Zoti, dhe që është e natyrshme për ne, të duam veten më shumë se të tjerët. 

Arsyeja e parë pse ke nevojë për Jezus Krishtin, nuk është që ti të kesh një jetë më të pasur, më të plotë dhe më të kënaqshme. Është sepse ti je një mëkatar, nga natyra dhe nga praktika. Radiografia e Ligjit të Zotit e nxjerr në pah këtë gjë. 

Ligji është diçka e mirë, po ashtu siç është e mirë një radiografi, edhe nëse ato na sjellin lajme të këqija. Mua nuk më pëlqyen lajmet e këqija tek dentisti, por isha mirënjohës të dija rreth problemit, përpara se gjëndja të përkeqësohej. Nëse nuk je në dijeni që ka një problem, nuk do të përpiqesh të ndjekësh zgjidhjen. Ligji është si një mësues, që na shpie tek Krishti (shih Galatasve 3:24). Kur fiton kuptimin e asaj që Ligji ka për të mësuar, ti do të vish tek Jezus Krishti. 

Vendosja e Binarëve për Trenin 

Historia e Dhjatës së Vjetër, e ilustron qartë se njerëzit e Zotit, nuk ishin në gjëndje të zbatonin ligjin e Tij. Ligji na thotë se çfarë duhet të bëjmë, por nuk na jep ne fuqinë për ta bërë. 

Më vonë në historinë e Biblës, Zoti premton një besëlidhje të re, në të cilën Ai jo vetëm na thotë se çfarë duhet të bëjmë, por edhe na fuqizon për të lëvizur në atë drejtim. “Do të vë brënda jush Frymën tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni dekretet e mia” (Ezekieli 36:27).

Ligji i Zotit, është si binarët e një treni. Binarët bëjnë të mundur drejtimin, por treni nuk do të shkojë gjëkundi nëse nuk ka fuqi në motorë. Është puna e veçantë e Frymës së Shenjtë, t’u japë njerëzve të Zotit, fuqinë për të lëvizur në drejtimin që është përcaktuar në Ligjin e Zotit.

Kthimi i Urdhërimeve në Premtime 

Ekziston një histori e bukur për një burrë, që kaloi kohë në burg për shkak se ishte hajdut. Vjedhja ishte kthyer në një mënyrë jetese për të, derisa krahu i gjatë i ligjit e zuri në befasi. Gjatë kohës që ishte në burg, ai dëgjoi lajmin e mirë të Jezus Krishtit dhe u kthye mrekullisht në besim. Kur erdhi koha që ai të lirohej, burri e dinte që i duhej të përballej me një mundim tjetër. Shumica e rrethit të tij shoqëror ishin hajdutë, dhe nuk do të ishte e lehtë për të, që të thyente mënyrën e stilit të vjetër të jetesës. 

Të djelën e parë të lirisë së tij të re, ai u fut në një ndërtesë kishe. Dhjetë Urdhërimet, ishin të shkruara në një pllakë në pjesën e përparme dhe sytë e tij u tërhoqën menjëherë, nga fjalët e urdhërimit që dukej se e dënonin atë. "Mos vidh". 

Kjo është gjëja e fundit për të cilën kam nevojë, mendoi me veten. I di dobësitë e mia. I di dështimet e mia, dhe i di betejat me të cilat do përballem. 

Ndërsa shërbesa vazhdonte, ai nuk mund t’i shkiste sytë nga pllaka me urdhërimet. Duke i rilexuar fjalët, ato dukeshin sikur po merrnin një kuptim tjetër. Fillimisht, ai i kishte lexuar këto fjalë me tonin e një urdhërimi: "Mos vidh!" Por tani, dukej sikur Zoti ishte duke i folur këto fjalë atij, në formën e një premtimi. "Mos vidh."

Ai ishte një krijesë e re në Krishtin, dhe Zoti ishte duke i premtuar se Fryma e Shenjtë do të bënte të mundur, që ai ta mposhtte zakonin e keq të vjedhjes. 

Premtimi i Zotit, është se kur ti beson në Zotin Jezus Krisht, Fryma e Shenjtë do të vijë dhe do të banojë në jetën tënde. Fuqia e Tij, do të bëjë ndryshimin midis një beteje, në të cilën je i paracaktuar të humbasësh, dhe një beteje, në të cilën do të ketë fitore përfundimtare. Ligji na tregon, se si Zoti dëshiron që ne të jetojmë. Krishti, e bën këtë jetë të mundur. 

Pyetje Diskutimi

Përdori këto pyetje, për t'u përfshirë më tepër në Fjalën e Zotit. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori si pyetje personale reflektimi.

Një Moment Lutje

Cili nga Dhjetë Urdhërimet, i flet aspektit me të cilin je duke luftuar në këto momente në jetën tënde? Merr kohën tënde të zbulosh këtë urdhërim, dhe pastaj kërkoi Zotit, ta shndërroj këtë në një zonë fitoreje me anë të fuqisë së Frymës së Tij të Shenjtë. Ndërsa lutesh, mbaj në mendje premtimin që gjendet tek Romakët 6:14 “Sepse mëkati nuk do të zotërojë më mbi ju.”

O At i Shenjtë, 

Faleminderit për Ligjin që na ke dhënë, i cili më zbulon se sa i madh është mëkati im dhe më tregon nevojën që kam për një Shpëtimtar. Ka akoma raste në të cilat unë vazhdoj të kem mundime me (Emri i mëkatit), dhe duke bërë kështu unë thyej urdhërimin Tënd.

E pranoj faktin, që kam nevojë për Jezus Krishtin, dhe të falenderoj Ty, që Ai erdhi për t’më çliruar nga fuqia e mëkatit në jetën time. Më jep fitore në (emri i aspektit të mëkatit) me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. 

Në emrin e Krishtit unë lutem.

Amen.

Dalja 20:1-2

Perëndia tha këto fjalë: «Unë, Zoti , jam Perëndia yt, ai që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë.

Dalja 20:3

Mos ki Perëndi tjetër, përveç meje.

Dalja 20:7

Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit , Perëndisë tënd, sepse ai nuk do të lërë pa ndëshkuar këdo që e merr nëpër gojë kot emrin e tij.

Dalja 20:12

Ndero atin tënd e nënën tënde, që të kesh jetë të gjatë në tokën që po të jep Zoti , Perëndia yt.

Dalja 20:13-16

Mos vrit. Mos bëj tradhti bashkëshortore. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme kundër të afërtit tënd.

Dalja 20:17

Mos lakmo shtëpinë e tjetrit. Mos lakmo gruan e tij, as shërbëtorin e shërbëtoren e tij, as kaun e gomarin e tij, asgjë që është e tija».