Ftesa

Historia Vazhdon

Mbas dyzet vitesh në shkretëtirë, Zoti e drejtoi pupullin e Tij në tokën e premtuar, në Kanaan. Prania e Zotit ishte me popullin e Tij: Ai ngriti udhëheqës në kohë krize dhe i dha popullit fitoren mbi armiqtë e tij. Por njerëzit vunë re, se vendet e tjera kishin mbretër dhe ushtri të forta dhe ata donin të ishin njësoj si këto vende. Mbreti i parë, Sauli, ishte një zhgënjim, por nën udhëheqjen e pasardhësit të tij David, bekimi i Zotit ishte i dukshëm. Davidi solli Arkën e Besëlidhjes në qytetin e Jeruzalemit; ai dëshironte që adhurimi i Zotit, të ishte në qendrën e jetës së kombit. Zoti premtoi që një nga pasardhësit e Davidit, do të vendoste një mbretëri që nuk do të mbaronte kurrë dhe se Ai do të mbretëronte përgjithmonë. Ai nuk ishte djali i Davidit, Salomoni. Në vitet e fundit, Salomoni u largua nga Zoti dhe, kur vdiq, mbretëria u nda në dysh. Dhjetë fise në veri, u ndanë nga prejardhja gjenealogjike e Davidit. Ata vuajtën nën udhëheqjet e këqija, derisa mbretëria e verisë u pushtua në 722 (Para Krishtit). Dy fise vazhduan drejt jugut. Disa nga mbretërit e tyre e nderuan Perëndinë; të tjerë e drejtuan popullin drejt së keqes. Zoti u foli mbretërve dhe njerëzve, nëpërmjet profetëve që dëgjuan Fjalën e Zotit drejtpërdrejt, siç kishin bërë Abrahami dhe Moisiu më parë. Një nga këta profetë ishte Isaia. Zoti i tha që të bënte një ftesë të jashtëzakonshme popullit.

Isaia 55:1-13
Mësimi

Le të vijnë të eturit

1 O ju të gjithë që keni etje, ejani tek uji! Kushdo që s'ka para le të afrohet! Blini drithë e hani! Ejani e blini verë e qumësht pa para e pa pagesë!

2 Pse i shpenzoni paratë për çka s'është bukë? Përse mundoheni për gjëra që s'ngopin? Dëgjomëni, pra, me kujdes mua e do të hani çka është e mirë dhe shpirti juaj do të kënaqet me gjëra të shijshe.

3 Mbani vesh dhe ejani tek unë! Dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë! Do të lidh me ju një besëlidhje të amshuar, mirësinë e patundshme që i premtova Davidit.

4 Ja, atë e bëra dëshmitar për popujt, prijës e udhëheqës për kombet.

5 Kështu, do të thërrasësh një komb që s'e njihje, kombe, që s'të njihnin, do të vrapojnë te ti, për shkak të Zotit, Perëndisë tënd, të shenjtit të Izraelit, që të madhëroi.

6 Kërkojeni Zotin ndërsa mund të gjendet, thirrini atij për sa kohë është afër.

7 Le të lërë i ligu udhën e tij, i paudhi synimet e tij, le të kthehet te Zoti, që ta mëshirojë, te Perëndia ynë, që fal me gjithë zemër.

8 Se mendimet e mia nuk janë si tuajat, as udhët e mia si udhët tuaja, kumton Zoti.

9 Sa larg është qielli nga toka, aq larg janë udhët e mia nga udhët tuaja, mendimet e mia nga mendimet tuaja.

10 Sikurse shiu dhe dëbora zbresin prej qiellit e më atje nuk kthehen, por e ujitin dhe e zbrujnë tokën, e bëjnë të jetë pjellore, që t'i japë bujkut farën për të mbjellë e bukën për të ngrënë,

11 ashtu edhe fjala ime, që del prej gojës sime, s'do të kthehet pas tek unë e zbrazët, pa ia dalë mbanë gjithçkaje që unë dua e pa bërë atë për çka e dërgova.

12 Ju do të niseni me gëzim prej andej e në paqe do të përcilleni. Para jush malet e kodrat do të shpërthejnë në britma gëzimi, të gjitha pemët e fushave do të trokasin duart.

13 Në vend të ferrave do të rritet qiparisi, në vend të hithrave do të rritet mërsina. Kjo do të jetë nder për Zotin, shenjë e amshuar, që s'do të zhbihet.

Në qytetin ku unë dhe gruaja ime Karen jetonim, në veri të Londrës, ditët e markatës dhe të tregut, ishin çdo të enjte dhe të shtunë. Tregtarët mbërrinin rreth orës gjashtë të mëngjesit dhe përgatisnin vendin ku do të vendosnin produktet që do shisnin. 

Kishte tezga frutash dhe perimesh, një mbajtëse bagazhesh, stenda rrobash dhe një burrë që çuditërisht dukej se shiste pjesë të fshesës me korrent. Vendi ishte gjithmonë plot me njerëz, që kërkonin të binin në ujdi për një shitblerje. 

Zoti përdor skenën e një tregu, për të na shpjeguar ofertën e Tij të pabesueshme për ne. 

“O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat, dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht!” (Isaia 55:1). Shekuj më vonë, Jezusi i mori këto fjalë dhe i zbatoi tek Vetja. 

“Nëse dikush ka etje,” tha Ai, “le të vijë tek unë dhe të pijë” (Gjoni 7:37). 

Tregtari në rrugë është Biri i Perëndisë. Ai ofron të kënaqë etjet e thella brenda shpirtit tënd. Le të shkojmë në treg dhe të zbulojmë më shumë. 

Çmimi Është I Duhuri!

“Ejani, blini...pa para dhe pa paguar” (Isaia 55:1).

Shitja zakonisht ka të bëjë me tregtarin që argumenton me blerësin, për të arritur një ujdi në çmimin e lartë që ai dëshiron të shesë, por këtu kemi Krishtin që argumenton për të ulur çmimin! Është si një shitje në ankand ku gjithçka funksionon mbrapsht, sepse Krishti ka zgjedhur t'i shesë atij që ofron më pak. 

Eja, pra, me mua në imagjinatën tënde në këtë shitje ankandi! 

Krishti është duke qëndruar në vendin e shitjes dhe Ai thotë, “Unë jam i lumtur që mund të të jap falje dhe pajtim të plotë me Perëndinë. Oferta përfshin vlerën përfundimtare të jetës së përjetshme dhe është në dispozicion sot për atë që ofron më pak. " 

Një burrë me një kostum me viza del përpara dhe bën ofertën e parë. "Unë kam bërë një jetë të mirë dhe kam drejtuar një biznes të ndershëm", thotë ai. “Kam qenë besnik ndaj gruas time dhe kam qenë një baba i mirë për fëmijët e mi. Kam shërbyer në bordet e tre organizatave bamirësie. Do të doja të bëja ofrertën time me këto punë të mira.” 

Një murmuritje ngrihet nga pjestarët e tjerë të ankandit. Kjo është një ofertë mjaft mbresëlënëse. "Shitja i shkon burrit me kostum për tani", thotë drejtuesi i ankandit. 

Më pas një zonjë me një pallto blu ngre dorën. "Unë nuk kam bërë aq shumë sa burri me kostumin me viza", thotë ajo, "por kam marrë pjesë në kishë me besnikëri dhe mendoj se jam bërë një person shpirtëror". 

“Shitjen e merr zonja me pallton blu për momentin", thotë shitësi. "A mund të më bëjë dikush një ofertë më të ulët?" 

Një vajzë me xhinse blu ngre dorën. "Unë nuk kam marrë pjesë në kishë si zonja me pallton blu, por dua sinqerisht të bëj atë që është e drejtë dhe jam përpjekur të bëj një jetë, që është e pëlqyeshme për Perëndinë." 

"Në të vërtetë", thotë drejtuesi i ankandit, "kjo nuk është shumë, por meqë shitjen e fiton ai që ofron më pak, është e jotja për tani. A ka ndonjë ofertë tjetër? ” 

Një burrë me një triko të kuqe, i skuqur pak në fytyrë, ngrihet ngadalë. "Unë nuk kam jetuar sipas pritshmërive të mija", thotë ai. "I kam zhgënjyer njerëzit dhe kam bërë disa gjëra të tmerrshme, por të paktën jam penduar. Nuk kisha ndërmend të bëja atë që kam bërë, prandaj më lejo të ofroj faktin që jam penduar vërtet.” 

"Në të vërtetë", thotë shitësi, "kjo nuk është edhe aq shumë. Por meqë e merr ai që ofron më pak, oferta jote e dobët e ka fituar shitjen për momentin. A do të më bëjë dikush një ofertë më të ulët?” 

Kjo nuk është një betejë krenarie; është një betejë turpërimi. Shumë njerëz kanë hequr dorë nga ofertat, jo sepse kostoja është shumë e lartë, por sepse ofertat janë shumë të ulëta. 

Shumica e njerëzve, thjesht shikojnë nëse dikush guxon të ofrojë më pak sesa burri me triko të kuqe. Si mundet dikush t’i ofrojë kaq pak Zotit? 

Më në fund dikush del përpara dhe thotë: “Unë nuk kam asgjë për të ofruar. Pendimi im nuk është ai që duhet të jetë; besimi im nuk është ai që duhet të jetë; punët e mia nuk janë ato që duhet të jenë. Asgjë nuk është ashtu siç duhet të jetë! Nuk kam asgjë për të ofruar. ” Dhe shitësi i ankandit deklaron fituesin me çekiçin e Tij. "Shitja është e jotja", thotë Ai. "Është e jotja." 

Çfarë Japim Ne?

Ndoshta po mendon, në rregull, por a nuk duhet t’i japim diçka Zotit? A nuk duhet të na vij keq? A nuk duhet të besojmë? 

Po. Por ne nuk e marrim shpëtimin sepse ofrojmë këto gjëra. Shpëtimi është një dhuratë. Shumë njerëz hutohen në këtë pikë. Ata mendojnë për shpëtimin, si një marrëveshje në të cilën Zoti ofron falje dhe jetë, dhe ne në këmbim sjellim pendim dhe besim, dhe disi bashkohemi dhe bëjmë një ujdi. Por ky nuk është ungjilli. 

Burri i verbër nuk erdhi tek Krishti sepse ai e kishte shikimin; ai erdhi tek Krishti që të fitonte shikimin. Ti nuk vjen tek Krishti me një jetë të ndryshuar; ti vjen tek Krishti për një jetë të ndryshuar. Ti vjen tek Krishti për të marrë. 

Nëse Zoti do të të pyeste ditën e fundit të jetës tënde, pse duhet të të linte të hyje në parajsë, përgjigja nuk është "për shkak të punëve të mia të mira", ose për pendimin tim, apo edhe besimin tim. Shpëtimi ynë nuk mbështetet në asgjë që kemi bërë. Ai qëndron vetëm në Jezus Krishtin. 

Nëse kemi besim në pendimin dhe besimin tonë, nuk do të kemi kurrë siguri, sepse besimi dhe pendimi ynë, nuk janë kurrë ato që mund të jenë. 

Shpëtimi ynë varet tërësisht nga Krishti. Besimi është dora e hapur që merr atë që Ai ofron, dhe pendimi është përgjigjja e një zemre që ka marrë. 

Të Japësh Ofertën më të Ulët

Shumë njerëz e kanë të vështirë të lavdërojnë, sepse ata nuk e kanë marrë kurrë atë që Krishti jep. Ata ndjekin një kod moral dhe ja ofrojnë atë Zotit. Në fakt gjithçka që ata kanë bërë, është t’i ofrojnë gjëra Zotit. Duart e tyre janë plot, dhe ata nuk kanë ardhur kurrë tek Krishti për të marrë. 

Zoti e ka bërë kështu, në mënyrë që secili prej nesh, të ketë mundësinë të bëj ofertën më të ulët. Vetëm krenaria qëndron në anën tënde. Burri me kostumin me viza dhe zonja me pallton blu, mund ta kenë këtë bekim gjithashtu, por ata duhet të ndalojnë së provuari ta blejnë atë. Ata duhet të lënë mënjanë veprat e tyre dhe të vijnë te Krishti me duar bosh. 

Sigurisht që kur e bëjmë këtë, kjo na lë në një borxh të pallogaritshëm ndaj Jezusit për gjithë jetën tonë. Ne shikojmë lart në fytyrën e Krishtit dhe themi: “Unë nuk mund as ta shpreh borxhin e madh që të detyrohem, për atë që më ke dhënë. Kështu që unë do të të adhuroj, të dua dhe të të bindem për pjesën e mbetur të ditëve të mia; jo sepse kështu mund të marr, por sepse unë tashmë kam marrë ”. 

Të Bësh Blerjen 

“Ejani, blini” (55:1). Duke vërtetuar se shpëtimi është një dhuratë falas, Krishti tani na fton të shkojmë dhe të blejmë. Ai përdor fjalën "blej" sepse ekziston një transaksion i caktuar, në të cilin merr atë që Krishti ofron. 

Edhe pse nuk do paguash për të, ti duhet ta marrësh atë, dhe vetëm nëse ky transaksion nuk ndodh, ajo që Krishti të ofron mbetet, atje ku ishte, në vendin e shitjes. 

Të Shohësh Nuk Do Të Thotë Të Blesh

Disa personave u pëlqen thjesht “të shikojnë” kur dalin nëpër dyqane, dhe nuk ka absolutisht asnjë gjë të keqe me këtë. Në këtë pikë janë shpirtërisht edhe disa njerëz. Ata kanë ardhur tek ankandi i Krishtit dhe fillojnë dhe bëjnë pyetje rreth Biblës dhe shpëtimit.  

Thjesht të shohësh është shumë mirë, por të shohësh nuk është të blesh. Angazhimi më i madh i jetës tënde, është i denjë për hetimin më të thellë, prandaj shikoji me kujdes kushtet që ofron Krishti. Por mos e ngatërro të parët me të blerët. Nëse ajo çfarë Krishti ofron është për ty, ti duhet ta pranosh dhe të mbyllësh marrëveshjen. 

Të Provosh Nuk Do Të Thotë Të Blesh

Gjithashtu, edhe të provosh nuk do të thotë të blesh. Nëse do kishim blerë, çdo fustan që gruaja ime ka provuar gjatë njëzet viteve të fundit, do kishim falimentuar me të vërtetë! Por të provosh nuk do të thotë të blesh. Ti mund të qëndrosh në një dyqan nga ora 9 e mëngjesit dhe në 5 të mbasdites, nga e hëna në të premte dhe të mos blesh asnjëherë asnjë gjë. Dhe po kështu ti mund të vish në kishë, të lexosh Biblën, t’i bashkohesh një grupi studimi dhe prap asnjëherë nuk mbyll një marrëveshje me Krishtin. Ndoshta ndjen që duhet të blesh por prap asnjëherë nuk blen. 

Të Kesh Njohuritë Nuk Do Të Thotë Të Blesh 

Dhe të kesh njohuritë nuk do të thotë të blesh. Ishim duke parë për të blerë një lavatriçe para disa muajsh. Ne bëmë kërkimin tonë dhe gjetëm një asistent shitjesh të shkëlqyeshëm. Ai ishte si një enciklopedi e vërtetë për njohuritë rreth lavatriçeve. 

"Kjo këtu", tha ai me një të folur me hundë, "rrotullohet për njëzet e tre minuta në proçesin e çentrifugës; dhe kjo ka opcione shtesë si përshpejtim proçesi, kursim kohe por nuk ka matësin automatik të temperaturës. " 

Ne filluam të bisedonim me të, dhe ai na tregoi që edhe ai vetë nuk kishte një lavatriçe sepse jetonte vetëm, dhe duke qenë se kishte shumë rroba, shkonte në lavanderi një herë në muaj. Ai dinte gjithçka mbi lavatriçet por nuk kishte blerë një për veten. Dhe si përfundim as ne nuk e blemë lavatriçen. 

Ndoshta në këtë pozitë gjëndesh edhe ti shpirtërisht. Ti di shumë gjëra rreth Jezusit, por ajo çfarë Ai ofron, nuk është bërë akoma e jotja. Të kesh njohuritë nuk do të thotë të blesh. 

Ka një kohë në dispozicion që mund të bësh kërkimet e tua, por nëse do të blesh, duhet të vij një pikë që duhet të marrësh vendimin të mbyllësh marrëveshjen. Dhe kur ti blen, ajo çfarë Krishti ofron bëhet e jotja. 

Krishti do që ti të vish tek Ai—për të blerë, pa para dhe pa një çmim. A je gati të blesh?

Pyetje Diskutimi

Përdori këto pyetje, për t'u përfshirë më tepër në Fjalën e Zotit. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori si pyetje personale reflektimi.

Një Moment Lutje

Zot i Plotfuqishëm ,

Faleminderit që Jezus Krishti ka ardhur dhe ka blerë dhuratën e pajtimit me jetën e përjetshme me Ty. Faleminderit që Ai ma ofron këtë dhuratë lirshëm. Më fal për krenarinë time, që mendova se kishte diçka që mund të ofroja duke paguar, për një dhuratë të tillë. Me përulësi e pranoj se nuk kam asgjë për të të ofruar. Dora ime është e zbrazët, por është e hapur për të marrë. 

Me kënaqësi marr atë që ti më jep lirshëm, i mahnitur që ajo që ke blerë me një çmim të tillë, mund të bëhet e imja kaq thjeshtë. Fjalët nuk mund të shprehin borxhin që të detyrohem. Mbushe zemrën time me dashurinë tënde dhe më udhëhiq në shtigjet e Tua. 

Më lër të jetoj për lavdinë Tënde, nëpërmjet Jezus Krishtit, Zotit tim, Amen

Isaia 55:6

Kërkojeni Zotin ndërsa mund të gjendet, thirrini atij për sa kohë është afër.

Isaia 55:1

O ju të gjithë që keni etje, ejani tek uji! Kushdo që s'ka para le të afrohet! Blini drithë e hani! Ejani e blini verë e qumësht pa para e pa pagesë!

Mateu 11:28

Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur e të munduar, se unë do t'ju çlodh.

Isaia 55:8-9

Se mendimet e mia nuk janë si tuajat, as udhët e mia si udhët tuaja, kumton Zoti. Sa larg është qielli nga toka, aq larg janë udhët e mia nga udhët tuaja, mendimet e mia nga mendimet tuaja.

Isaia 43:19

Ja, po bëj një gjë të re, një gjë që tani po çel! A nuk e shihni? Udhën po hap përmes shkretëtirës, lumenj në vendin e shkretë.

Gjoni 4:13-14

Jezui u përgjigj: «Kushdo që pi nga ky ujë do të ketë etje përsëri, por ai që do të pijë nga uji që do t'i jap unë, nuk do të ketë kurrë më etje. Uji që unë do t'i jap do të bëhet brenda tij burim për jetën e amshuar».