Fryma e Shenjtë

Historia Vazhdon

Pas Ringjalljes, Jezusi “iu paraqit i gjallë me shumë prova bindëse” ( Veprat e Apostujve 1:3). Duke bërë një përmbledhje të rrëfimeve tek Ungjijtë dhe 1 Korintasve 15, ka të paktën nëntë raste të ndryshme ku Krishti iu shfaq dishepujve, kur ishin në grup ose në mënyrë individuale njërit ose dy prej tyre. Në një rast, Krishti iu shfaq një grupi me më shumë se pesëqind njerëz, shumica e të cilëve ishin akoma gjallë në kohën kur Pali shkroi për të dhe ishin në gjendje të jepnin dëshmi, për të vërtetën e rrëfimit të Tij (shih 1 Korintasve 15:6). Në fund të dyzet ditëve, Jezusi shkoi në malin e Ullinjve me dishepujt e Tij. Ai i porositi ata të shkonin dhe të bënin dishepuj të të gjitha kombeve dhe u premtoi atyre praninë e Tij të vazhdueshme. Por udhëzimi që morën menjëherë ishte të prisnin në Jeruzalem. Jezusi u kishte mësuar atyre rreth Frymës të Shenjtë. Tani Ai i premtoi se Fryma do të vinte. Pastaj Jezusi u ngjit në qiell. Dishepujt e panë të shkonte. Ai u zhduk në mes të reve, që në Dhjatën e Vjetër përfaqësonin praninë e Zotit. Ai po kthehej tek Ati i Tij. Dishepujt u kthyen në Jeruzalem dhe pritën—deri në Ditën e Rrëshajëve.

Veprat 2:1-46
Mësimi

Ardhja e Shpirtit të shenjtë

1 Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin mbledhur të gjithë në të njëjtin vend. 

2 Papritur u dëgjua një ushtimë nga qielli, si të frynte erë e fortë dhe mbushi tërë shtëpinë ku po rrinin. 

3 Atëherë ata panë disa gjuhë si prej zjarri, të ndara nga njëra-tjetra, e mbi secilin prej tyre zbriste nga një gjuhë zjarri. 

4 Atëherë të gjithë u mbushën me Shpirtin e shenjtë e filluan të flisnin gjuhë të tjera, sipas dhuntisë që u jepte Shpirti për të folur.

5 Në Jerusalem banonin disa judenj, njerëz të përkushtuar ndaj Perëndisë, që vinin nga të gjitha kombet e botës. 

6 Kur dëgjuan ushtimën u mblodhën turmë e mbetën të habitur, sepse i dëgjonin apostujt duke folur në gjuhën e gjithsecilit. 

7 Të mahnitur e të habitur thoshin: «A nuk janë galileas të gjithë këta që po flasin? 

8 Si, pra, po i dëgjojmë të flasin në gjuhën amtare të secilit prej nesh? 

9 Ne të gjithë, partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit, të Azisë, 

10 të Frigjisë, të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë që i përkasin Kirenës, të ardhurit nga Roma, 

11 judenj e të kthyer në besimin e judenjve, kretas e arabë, po i dëgjojmë tek flasin në gjuhët tona amtare për veprat e mëdha të Perëndisë».

12 Të gjithë ishin të mahnitur e të çuditur e i thoshin njëri-tjetrit: «Ç'do të thotë kjo gjë?». 

13 Por të tjerë talleshin e thoshin: «Këta janë të dehur me musht».

Fjala e Pjetrit

14 Por Pjetri u ngrit bashkë me të njëmbëdhjetët dhe me zë të lartë u tha: «Burra judenj e të gjithë ju banorët e Jerusalemit, merreni vesh këtë gjë e dëgjojini me kujdes fjalët e mia. 

15 Këta nuk janë të dehur, siç pandehni ju, se është vetëm ora nëntë e mëngjesit, 

16 por kjo është ajo gjë për të cilën ka folur profeti Joel:

17 Në ditët e fundit, thotë Perëndia,

do të ndodhë kështu:

unë do të dikoj Shpirtin tim

te të gjithë njerëzit.

Bijtë tuaj e bijat tuaja

do të profetizojnë,

të rinjtë tuaj

do të shohin vegime

e pleqve tuaj

do t'u flas përmes ëndrrave.

18 Edhe mbi shërbëtorët

e shërbëtoret e mia

do të dikoj Shpirtin tim në ato ditë

e ata do të profetizojnë.

19 Do të shfaq gjëra të jashtëzakonshme

lart në qiell

e shenja

poshtë në tokë,

gjak, zjarr e shtëllunga tymi.

20 Dielli do të kthehet në errësirë

e hëna në gjak

para se të vijë dita madhështore

dhe e lavdishme e Zotit.

21 Atëherë, kushdo që të thërrasë

emrin e Zotit

do të shpëtohet.

22 Burra izraelitë, dëgjojini këto fjalë: Jezui i Nazaretit ishte njeriu për të cilin Perëndia dha dëshmi para jush me anë veprash të fuqishme, mrekullish e shenjash që bëri mes jush nëpërmjet tij, siç e keni parë edhe vetë. 

23 Këtë njeri që ju është dorëzuar juve, sipas vullnetit të Perëndisë dhe shestimit që ai kishte vendosur më parë, ju vetë e vratë duke e kryqëzuar me duart e të mbrapshtëve. 

24 Por Perëndia e ngjalli atë, duke e çliruar nga dhimbjet e vdekjes, se nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante nën pushtetin e saj. 

25 Davidi thotë për të:

Zotin e kisha gjithmonë

para syve.

Ai është në të djathtën time,

që të mos lëkundem.

26 Prandaj u gëzua zemra ime,

gjuha ime u ngazëllua

e trupi im

do të prehet në shpresë,

27 se ti nuk do ta braktisësh në skëterrë

shpirtin tim,

as nuk do të lejosh të Shenjtin tënd

të shohë kalbjen.

28 Ti më ke treguar udhët e jetës

e do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde.

29 Vëllezër, më duhet t'ju flas haptas për patriarkun David, i cili vdiq, u varros dhe varri i tij gjendet këtu deri më sot. 

30 Meqë ai ishte profet, e dinte se Perëndia i ishte betuar se do të vendoste mbi fronin e tij një pasardhës të vetin.

31 Duke e parashikuar këtë gjë, ai tha për ngjalljen e Krishtit: 

ai nuk u braktis në skëterrë

dhe trupi i tij nuk e pa kalbjen.

32 Këtë Jezu, Perëndia e ngjalli dhe për këtë gjë ne të gjithë jemi dëshmitarë. 

33 Ai është lartësuar në të djathtën e Perëndisë, ka marrë nga Ati Shpirtin e shenjtë, që Perëndia na kishte premtuar dhe na e ka dhuruar ne, siç po e shihni e po e dëgjoni.

34 Megjithëse Davidi nuk është ngjitur në qiell, ai thotë:

I tha Zoti Zotit tim:

ulu në të djathtën time

35 derisa të t'i vë armiqtë e tu

si shtrojë të këmbëve të tua.

36 Le ta dijë, pra, me siguri e tërë shtëpia e Izraelit, se atë Jezu që ju e kryqëzuat, Perëndia e bëri Zot e Krisht».

37 Atyre që i dëgjuan këto, iu trondit zemra e u thanë Pjetrit e apostujve të tjerë: «Ç'duhet të bëjmë, o vëllezër?». 

38 Pjetri u tha: «Pendohuni e pagëzohuni secili në emrin e Jezu Krishtit, që t'ju falen mëkatet. Kështu do të merrni dhuratën e Shpirtit të shenjtë. 

39 Se premtimi është për ju, për bijtë tuaj e për të gjithë ata që janë larg, për këdo që Zoti, Perëndia ynë, e thërret te vetja».

40 Pjetri dëshmoi edhe me shumë fjalë të tjera dhe i porositi: «Shpëtoni veten nga kjo brezni e mbrapshtë». 

41 Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan dhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta. 

42 Ata i ishin përkushtuar mësimit të apostujve, bashkësisë me njëri-tjetrin, thyerjes së bukës e lutjeve.

Jeta e kishës

43 Të gjithë i zuri frika, sepse apostujt bënin shumë mrekulli e shenja. 

44 Të gjithë besimtarët ishin të bashkuar dhe kishin gjithçka të përbashkët. 

45 Ata shisnin pasuritë dhe pronat e ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës që kishte secili. 

46 Çdo ditë, pasi rrinin bashkë në tempull, thyenin bukën në shtëpi dhe hanin ushqim me zemër të gëzuar e të çiltër. 

Kryetari raportoi, se lista e kishës tani kishte njëqind e njëzet anëtarë. Ata nuk kishin qenë në gjendje, të kishin një ndërtesë të tyre dhe kështu ata ende takoheshin në një dhomë të katit të dytë, që e merrnin me qira në qytet. 

Kishte një shpirt të mirë në mbledhjen e lutjes dhe shumë diskutime rreth asaj se si ata duhet të plotësonin një pozicion udhëheqës, që ishte bërë i lirë. Por përveç kësaj, nuk ndodhte shumë. Detyra për të arritur komunitetin përreth dukej se ishte larg tyre. Kishte shumë pak para, shumë pak njerëz dhe jashtë vendit të tyre të takimit, një kulturë që ishte shumë mendje ngushtë për mesazhin e tyre. Kështu ishte kisha në fillim të librit të Veprave. 

Por Krishti kishte folur për një ngjarje, që do të ndryshonte çdo gjë. Mbas jo shumë ditësh, ata do të ishin “të pagëzuar në Frymën e Shenjtë” (shih Veprat e Apostujve 1:5). Pastaj, ai tha “Por do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarë në Jerusalem dhe në gjithë Judenë dhe Samarinë dhe deri në skajin e dheut ” (Veprat 1:8).

Ata nuk do duhej të prisnin gjatë. Vetëm dhjetë ditë pasi Jezusi u ngjit në qiell dhe pesëdhjetë ditë mbas ringjalljes, ishte një festë e quajtur Rrëshajat. 

Ishte një festë e madhe dhe Jeruzalemi mbushej me vizitorë që vinin nga shumë vende të botës. Në ditën e Rrëshajëve, Fryma e Shenjtë zbriti mbi besimtarët e parë të Krishterë. Pas kësaj ngjarje, kisha ishte krejtësisht ndryshe. 

Një Zhurmë Si Era 

“Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin mbledhur të gjithë në të njëjtin vend. Papritur u dëgjua një ushtimë nga qielli, si të frynte erë e fortë dhe mbushi tërë shtëpinë ku po rrinin.” (Vepra t2:1-2)

Në antikitet, shumë gjuhë përdorin të njëjtën fjalë për "erë", "frymë" ose "Shpirt". Zhurma e erës është e ngjashme me tingullin e frymëmarrjes, vetëm se është shumë më e fortë dhe zgjat më shumë. 

Para se Jezusi të ngjitej në qiell, Ai u dha frymë dishepujve dhe tha: “Merrni Frymën e Shenjtë” (Gjoni 20:22). Jezusi po shpjegonte se çfarë do të ndodhte në ditën e Rrëshajëve. 

Kështu që, kur dishepujt dëgjuan një zhurmë si ushëtima e erës së furishme vetëm disa ditë më vonë, ata menjëherë e lidhën këtë, me tingullin e frymës së Jezusit mbi ta dhe kuptuan se kjo ishte përmbushja e asaj që Jezusi kishte premtuar. 

Në fillim të historisë së Biblës, Zoti i fryu frymë jete Adamit. Një trup i pajetë qëndronte i shtrirë në tokë, derisa Zoti i dha puthjen e jetës. Pastaj Adami u bë një qënie e gjallë. Kisha është trupi i Krishtit. Ishte si një trup pa jetë, derisa Jezusi fryu jetën e Frymës së Tij në të. Zoti fryu frymë jete tek këta njerëz dhe ata nuk ishin më kurrë të njëjtë. 

Topa të Mëdhenj Zjarri

“Dhe atyre iu dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre.” (Veprat e Apostujve 2:3)

Mundohu të imagjinosh veten, në mes të këtyre njëqind e njëzet vetave kur kjo ndodhi! Ajo çfarë ata panë, duhet të ketë qenë absolutisht e llahtarshme. 

Një top zjarri i ndarë në disa flakë të ndara individuale, ose "gjuhë zjarri", që qëndruan mbi çdo person në dhomë. Gjëja e mahnitshme është, se asnjëri prej tyre nuk u dogj. 

Në Dhjatën e Vjetër, Zoti iu shfaq Moisiut në flakët e zjarrit që qëndronte mbi një shkurre që nuk u dogj. Tani, në ditën e Rrëshajëve, Zoti dha të njëjtën shenjë të pranisë së Tij të menjëhershme me dishepujt e parë. Duhet të ketë qenë mbresëlënëse. 

Kur Zoti iu shfaq Moisiut në zjarr, Ai i dha detyrën që të nxirrte Hebrenjtë jashtë nga skllavëria e tyre në Egjipt. Tani Zoti po vinte në formë zjarri, për t’i dhënë një detyrë të re kishës së Tij. 

Mundohu të imagjinosh veten në atë dhomë, kur zjarri i Zotit zbriti poshtë. Mbi cilin do kishe menduar që do të qëndronte? Mbi Pjetrin, Jakobin apo Gjonin, apo ndoshta tek të tre? Apo ndoshta tek të njëmbëdhjetë dishepujt. 

Por ndërsa zjarri zbret poshtë, ai ndahet në shumë flakë, dhe flakët po qëndrojnë mbi shumë njerëz në dhomë. Ti shikon lart me frikë ndërsa kupton se një nga flakët po vjen edhe drejt teje. Shikon rreth e rrotull tek të tjerët në dhomë. Dhe çdo flakë qëndron mbi secilin prej tyre. 

Në Dhjatën e Vjetër, Zoti u dha praninë dhe fuqinë e Tij disa prej njerëzve të Tij. Tani, Ai po u jepte Frymën e Tij të Shenjtë të gjithëve. Zoti ishte duke i dhënë detyrën çdo besimtari, për të çuar përpara qëllimin e Tij në botë. 

“Atëherë të gjithë u mbushën me Shpirtin e shenjtë e filluan të flisnin gjuhë të tjera, sipas dhuntisë që u jepte Shpirti për të folur.” (Veprat 2:4)

Papritmas dhe vetvetiu, të gjithë të njëqind e njëzet besimtarët, zbuluan se ishin në gjendje të flisnin në një gjuhë të huaj që nuk e kishin mësuar kurrë. 

Kjo ishte e kundërta e asaj që kishte ndodhur shumë kohë më parë, në kullën e Babelit. Në fillim të historisë së Biblës, ndërsa rebelimi i njeriut kundër Zotit kishte marrë të tatëpjetën, njerëzit ndërtuan një qytet me një kullë që do të shpallte madhështinë e tyre dhe të siguronte sigurinë e tyre. 

Zoti zbriti dhe e theu vrullin e mbretërisë pa zot të njeriut, duke futur ngatërresën e gjuhëve të shumta, për herë të parë në racën njerëzore. 

Duhet të ketë qenë shumë e çuditshme. Një ditë, një mik që e njeh prej vitesh të përshëndet, por çdo gjë që ai flet të duken si dërdëllitje të kota. 

Të tjerë gjithashtu po nxjerrin tinguj të pakuptueshëm. Nuk është e vështirë të imagjinohet se çfarë ka ndodhur. Njerëzit që flisnin të njëjtën gjuhë, u bashkuan me njëri tjetrin dhe më pas grupet e ndryshme të gjuhëve u ndanë nga njëri-tjetri, duke u përhapur në të gjithë botën. 

Në Babel, gjuhët ishin një shenjë e gjykimit të Zotit për rebelimin e njeriut. Gjuhët sollën ngatërresë. Njerëzit nuk mund të komunikonin më, dhe kështu që ata u përçanë. Dita e Rrëshajëve ishte komplet e kundërta. Njerëz nga çdo komb nën qiell, ishin mbledhur në Jeruzalem (Veprat 2:5). 

Kur Fryma e Zotit erdhi, apostujt e gjetën veten duke folur në mënyrë spontane, në një gjuhë të huaj që nuk e kishin mësuar kurrë më parë. Kështu që njerëzit nga e gjithë bota, të mund të dëgjonin dhe kuptonin lajmin e mirë të Jezus Krishtit në gjuhën e tyre. 

Në Babel, gjuhët ishin një gjykim nga Zoti që i çoi njerëzit në pështjellim dhe në shpërndarjen e tyre. Ndërsa në Rrëshajat, gjuhët ishin një bekim nga Zoti që i drejtoi njerëzit në kuptimin e plotë dhe të mblidheshin së bashku. 

Për Çdo Fis dhe Komb 

Njerëzit në të gjithë Jeruzalemin, e dëgjuan zhurmën e erës dhe nuk kaloi shumë dhe u mblodh një turmë (2:6). Kur turma mbërriti, gjetën njëqind e njëzet besimtarët që shpallnin gjërat e mëdha që Zoti kishte bërë, në gjuhë të ndryshme. Zoti kishte vendosur që njerëzit nga çdo komb dhe grup gjuhësh, do të dëgjonin lajmin e mirë të Jezus Krishtit. Gjuha nuk do të ishte pengesë për ungjillin. 

Zoti i fryu frymën e jetës së Tij kishës. Prania e tij erdhi dhe qëndroi mbi ta, ndërsa ai i dha detyrën që ata të përparonin në qëllimin e Tij në botë. Ditën e Rrëshajave, lindi një kishë e orientuar drejt misionit. 

Në atë ditë, njerëz nga shumë kultura zbuluan besimin në Krishtin, dhe më pas u kthyen në shtëpitë e tyre, për të përhapur ungjillin mes njerëzve të tyre, në mënyrë që njerëzit e të gjitha gjuhëve dhe kulturave, të zbulonin bekimin e ungjillit. 

Era, Zjarri dhe Gjuhët Sot 

Ndërsa kemi studiuar Biblën, kemi parë disa raste, kur prania e Zotit u bë e njohur në një mënyrë të dukshme. Ne i quajmë këto raste teofani dhe ato kanë gjithmonë një rëndësi të madhe. Në një rast teofanie, Zoti bën për disa njerëz në mënyrë të dukshme, atë që bën për të gjithë njerëzit e tij në mënyrë të padukshme. 

Sipas mendimit tim, kështu duhet t'i kuptojmë ngjarjet e jashtëzakonshme të ditës së Rrëshajëve. Perëndia po na mëson përmes erës, zjarrit dhe gjuhëve, atë që ai gjithmonë dëshiron të bëjë në mes të njerëzve të Tij. 

Zoti dëshiron t'i japë frymë të re jete njerëzve të Tij. Ai nuk dëshiron që kisha e Tij të jetë një organizatë që shikon vetëm interesat e veta, që funksionon thjesht në një nivel njerëzor, por të jetë një trup i gjallë i mbushur me jetën e Zotit. 

Zoti dëshiron të vajosë jo vetëm disa udhëheqës, por secilin nga njerëzit e Tij për shërbesë. Prania dhe fuqia e Zotit të Plotfuqishëm, qëndron mbi çdo besimtar në Zotin Jezus Krisht. Dhe qëllimi i madh i Zotit është që bekimi i Tij, të rrjedhë përmes popullit të Tij në të gjitha kombet e tokës. 

Çdo i krishterë dhe çdo kishë, ka një pjesë për të luajtur në këtë qëllim. Për disa njerëz, kjo do të thotë, të shkojnë në një kulturë tjetër dhe të mësojnë një gjuhë tjetër, në mënyrë që lajmi i mirë i Jezusit të njihet. Për të tjerë, thirrja e Zotit do të jetë të gjejnë zërin, në gjuhën që Zoti tashmë i ka dhënë. 

Zoti vendos në mënyrë të mrekullueshme grupe njerëzish, rreth çdo besimtari, që të mund të komunikojmë lajmin e mirë të Jezusit në gjuhën e tyre. Ndoshta ti mund të flasësh, në gjuhën e adoleshentëve të shkollës së mesme, ose të fëmijëve më të vegjël. 

Zoti ka krijuar lidhjet në jetën tënde, në një mënyrë që ti të mund të komunikosh, me një grup të caktuar njerëzish. Gjeji se kush janë ata, shoqërohu me ta dhe tregoju atyre për Jezusin.

Pyetje Diskutimi

Përdori këto pyetje, për t'u përfshirë më tepër në Fjalën e Zotit. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori si pyetje personale reflektimi.

Një Moment Lutje

O At Qiellor,

Faleminderit që e ke dhënë dhuratën e Frymës Tënde të Shenjtë, të gjithë fëmijëve të tu. Fryje frymën e jetës tënde në mua dhe më mbush me Frymën e Shenjtë. 

Më përgatit për gjithçka ti më ke thirrur të bëj. Hapi sytë e mi, të shikoj njerëzit që ke vendosur rreth meje dhe më jep guximin dhe kurajon, të flas për ty në një mënyrë që ata të kuptojnë. Më përdor për të përparuar qëllimin Tënd dhe për të sjellë bekimin tënd tek të tjerët. 

Lutem për kishën tënde. Le ta dallojmë jetën e Frymës tënde midis nesh dhe të luajmë rolin tonë së bashku, në sjelljen e lajmit të mirë të Jezusit në botë.

Në emrin e Jezusit unë lutem, Amen. 

Gjoni 14:16

Unë do t'i kërkoj Atit t'ju japë një Ngushëllues tjetër, që të jetë përherë me ju.

Gjoni 20:22

Pasi tha këto, hukati mbi ta e u tha: «Merrni Shpirtin e shenjtë!

1 Korintasve 12:7

Secilit i shfaqet Shpirti për të mirën e të gjithëve.

Veprat 1:8

Por kur të zbresë mbi ju Shpirti i shenjtë do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajet e dheut».

Romakëve 8:14

Ata që udhëhiqen prej Shpirtit të Perëndisë janë bij të Perëndisë.

Titit 3:6

Këtë Shpirt të Shenjtë ai e dikoi mbi ne pa u kursyer, përmes Jezu Krishtit, shpëtimtarit tonë.