E kam përdorur shpeshherë historinë e vjedhësit në kryq për t’i ndihmuar
njerëzit të shohin se kush është Jezui dhe çfarë mund të bëjë ai për ta. Dita e
fundit e jetës së tij ishte e jashtëzakonshme. Filloi në mjerimin e një qelie
burgu; përfundoi me gëzimin e parajsës qiellore. Dikush ka thënë se vjedhësi
hëngri mëngjes me djallin dhe darkë me Shpëtimtarin. Ky është një
transformim i mahnitshëm dhe tregon se çfarë mund të bëjë Jezu Krishti për
një person në një ditë të vetme!
Historia e vjedhësit është e pazakontë, por na mëson diçka që çdo njeri duhet
ta dijë.
Hyrja në Parajsë nuk varet nga ti
Hyrja në parajsën qiellore nuk varet nga performanca jote në jetën e krishterë.
Mendo çfarë ndodhi me vjedhësin: ai i besoi Krishtit dhe shkoi në parajsë po
atë ditë. Kjo do të thotë se ai nuk jetoi si i krishterë. Pra, nuk pati beteja me
tundimin, asnjë shqetësim me lutjen. Nuk pati mundësinë të pagëzohej, të
merrte kungimin, të bashkohej me një kishë apo të shërbente në ndonjë
shërbesë.
Hyrja në parajsën qiellore nuk varet nga performanca jote në jetën e krishterë.
Shumë njerëz besojnë se hyrja e tyre në parajsë varet nga të jetuarit e një jete
të mirë e të perëndishme. Ata mund ta besojnë se është Jezui ai që na fal, por
thellë brenda vetes mendojnë se përparimi i tyre në jetën e krishterë është
çelësi që do të hapë derën e qiellit. Nga e nxjerrin ata këtë?
Si hyri në parajsë vjedhësi?
Vjedhësi shkoi në parajsë pa e jetuar kurrë jetën e krishterë! Nuk e pati këtë
mundësi. Me duart e gozhduara në kryq, ai nuk qe në gjendje të bënte vepra
të mira. Me këmbët e gozhduara në një tra druri, ai nuk ia dilte dot të ecte në
shtigjet e drejtësisë. Dhe me vdekjen vetëm disa orë larg, ai nuk pati kohë të
kthente një faqe të re e të jetonte një jetë më të mirë.
Ajo që bëri vjedhësi atë ditë ishte lojë e thjeshtë. U kthye nga Jezui dhe i tha:
“Kujtohu për mua kur të shkosh në mbretërinë tënde”. Pastaj priti për
përgjigjen e Jezuit. Pas një jete të tërë të çuar dëm, nuk do të ishte e
habitshme nëse Jezui do t’i kishte thënë: “A nuk është pak vonë që të
mendosh për mbretërinë time tani?”.
Pas urrejtjes që vjedhësi kishte nxjerrë nga goja për Jezuin vetëm disa minuta
më parë, nuk kishte pse të ankohej nëse Jezui do t’i kishte thënë: “Mbretëria e
qiejve nuk është për njerëz si ty”. Por, kjo nuk është mënyra e Jezuit. Ai nuk e
vuri në provë vjedhësin, as nuk e dërgoi në një udhëtim të gjatë shpirtëror. As
nuk tha: “Shohim e bëjmë”.
Përkundrazi, Jezui e pranoi me gëzim lutjen e vjedhësit. Jo vetëm lutjen, por
edhe personin e pranoi lirisht e me gëzim, pa hezitim e pa kusht. “Amen”, tha
ai. Dhe pastaj, pas një pauze të shkurtër: “Me të vërtetë po të them, sot ti do
të jesh me mua në parajsë”.
Nëse Jezui shpëtoi vjedhësin, i cili qartësisht nuk kishte jetuar një jetë të
moralshme, atëherë shpresa është te Jezui sado larg Perëndisë që të gjendet
dikush. Në Jezu Krishtin ka shpresë për këdo. Këtë mësojmë nga vjedhësi.