Ardhja e Shpirtit të shenjtë
1 Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin mbledhur të gjithë në të njëjtin vend.
2 Papritur u dëgjua një ushtimë nga qielli, si të frynte erë e fortë dhe mbushi tërë shtëpinë ku po rrinin.
3 Atëherë ata panë disa gjuhë si prej zjarri, të ndara nga njëra-tjetra, e mbi secilin prej tyre zbriste nga një gjuhë zjarri.
4 Atëherë të gjithë u mbushën me Shpirtin e shenjtë e filluan të flisnin gjuhë të tjera, sipas dhuntisë që u jepte Shpirti për të folur.
5 Në Jerusalem banonin disa judenj, njerëz të përkushtuar ndaj Perëndisë, që vinin nga të gjitha kombet e botës.
6 Kur dëgjuan ushtimën u mblodhën turmë e mbetën të habitur, sepse i dëgjonin apostujt duke folur në gjuhën e gjithsecilit.
7 Të mahnitur e të habitur thoshin: «A nuk janë galileas të gjithë këta që po flasin?
8 Si, pra, po i dëgjojmë të flasin në gjuhën amtare të secilit prej nesh?
9 Ne të gjithë, partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit, të Azisë,
10 të Frigjisë, të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë që i përkasin Kirenës, të ardhurit nga Roma,
11 judenj e të kthyer në besimin e judenjve, kretas e arabë, po i dëgjojmë tek flasin në gjuhët tona amtare për veprat e mëdha të Perëndisë».
12 Të gjithë ishin të mahnitur e të çuditur e i thoshin njëri-tjetrit: «Ç'do të thotë kjo gjë?».
13 Por të tjerë talleshin e thoshin: «Këta janë të dehur me musht».
Fjala e Pjetrit
14 Por Pjetri u ngrit bashkë me të njëmbëdhjetët dhe me zë të lartë u tha: «Burra judenj e të gjithë ju banorët e Jerusalemit, merreni vesh këtë gjë e dëgjojini me kujdes fjalët e mia.
15 Këta nuk janë të dehur, siç pandehni ju, se është vetëm ora nëntë e mëngjesit,
16 por kjo është ajo gjë për të cilën ka folur profeti Joel:
17 Në ditët e fundit, thotë Perëndia,
do të ndodhë kështu:
unë do të dikoj Shpirtin tim
te të gjithë njerëzit.
Bijtë tuaj e bijat tuaja
do të profetizojnë,
të rinjtë tuaj
do të shohin vegime
e pleqve tuaj
do t'u flas përmes ëndrrave.
18 Edhe mbi shërbëtorët
e shërbëtoret e mia
do të dikoj Shpirtin tim në ato ditë
e ata do të profetizojnë.
19 Do të shfaq gjëra të jashtëzakonshme
lart në qiell
e shenja
poshtë në tokë,
gjak, zjarr e shtëllunga tymi.
20 Dielli do të kthehet në errësirë
e hëna në gjak
para se të vijë dita madhështore
dhe e lavdishme e Zotit.
21 Atëherë, kushdo që të thërrasë
emrin e Zotit
do të shpëtohet.
22 Burra izraelitë, dëgjojini këto fjalë: Jezui i Nazaretit ishte njeriu për të cilin Perëndia dha dëshmi para jush me anë veprash të fuqishme, mrekullish e shenjash që bëri mes jush nëpërmjet tij, siç e keni parë edhe vetë.
23 Këtë njeri që ju është dorëzuar juve, sipas vullnetit të Perëndisë dhe shestimit që ai kishte vendosur më parë, ju vetë e vratë duke e kryqëzuar me duart e të mbrapshtëve.
24 Por Perëndia e ngjalli atë, duke e çliruar nga dhimbjet e vdekjes, se nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante nën pushtetin e saj.
25 Davidi thotë për të:
Zotin e kisha gjithmonë
para syve.
Ai është në të djathtën time,
që të mos lëkundem.
26 Prandaj u gëzua zemra ime,
gjuha ime u ngazëllua
e trupi im
do të prehet në shpresë,
27 se ti nuk do ta braktisësh në skëterrë
shpirtin tim,
as nuk do të lejosh të Shenjtin tënd
të shohë kalbjen.
28 Ti më ke treguar udhët e jetës
e do të më mbushësh me gëzim
në praninë tënde.
29 Vëllezër, më duhet t'ju flas haptas për patriarkun David, i cili vdiq, u varros dhe varri i tij gjendet këtu deri më sot.
30 Meqë ai ishte profet, e dinte se Perëndia i ishte betuar se do të vendoste mbi fronin e tij një pasardhës të vetin.
31 Duke e parashikuar këtë gjë, ai tha për ngjalljen e Krishtit:
ai nuk u braktis në skëterrë
dhe trupi i tij nuk e pa kalbjen.
32 Këtë Jezu, Perëndia e ngjalli dhe për këtë gjë ne të gjithë jemi dëshmitarë.
33 Ai është lartësuar në të djathtën e Perëndisë, ka marrë nga Ati Shpirtin e shenjtë, që Perëndia na kishte premtuar dhe na e ka dhuruar ne, siç po e shihni e po e dëgjoni.
34 Megjithëse Davidi nuk është ngjitur në qiell, ai thotë:
I tha Zoti Zotit tim:
ulu në të djathtën time
35 derisa të t'i vë armiqtë e tu
si shtrojë të këmbëve të tua.
36 Le ta dijë, pra, me siguri e tërë shtëpia e Izraelit, se atë Jezu që ju e kryqëzuat, Perëndia e bëri Zot e Krisht».
37 Atyre që i dëgjuan këto, iu trondit zemra e u thanë Pjetrit e apostujve të tjerë: «Ç'duhet të bëjmë, o vëllezër?».
38 Pjetri u tha: «Pendohuni e pagëzohuni secili në emrin e Jezu Krishtit, që t'ju falen mëkatet. Kështu do të merrni dhuratën e Shpirtit të shenjtë.
39 Se premtimi është për ju, për bijtë tuaj e për të gjithë ata që janë larg, për këdo që Zoti, Perëndia ynë, e thërret te vetja».
40 Pjetri dëshmoi edhe me shumë fjalë të tjera dhe i porositi: «Shpëtoni veten nga kjo brezni e mbrapshtë».
41 Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan dhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta.
Kryetari raportoi se numri i besimtarëve në kishë tani ishte 120 anëtarë. Ata nuk kishin qenë në gjendje të siguronin një ndërtesë të tyren, kështu që ende takoheshin në një dhomë të katit të dytë që e merrnin me qira në qytet. Kishte pasur një frymë të mirë në takimin e lutjes, dhe shumë diskutime rreth asaj se si ata duhet të plotësonin një pozicion udhëheqës që ishte bërë i lirë. Por përveç kësaj, nuk kishte ndodhur ndonjë gjë tjetër e rëndësishme.
Detyra për të arritur komunitetin e tyre dukej shumë e madhe për ta. Kishte shumë pak para, shumë pak njerëz, dhe jashtë vendit të tyre të takimit një kulturë që ishte shumë mendje ngushtë për mesazhin e tyre. Kështu ishte kisha në fillimet e saj në librin e Veprave të Apostujve. Por në ditën e Rrëshajëve, Fryma e Shenjtë zbriti mbi besimtarët e parë të Krishterë. Dhe pas kësaj ngjarje, kisha ishte krejtësisht ndryshe.
Një Zhurmë si e Erës
“Befas nga qielli u bë një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm, dhe e mbushi gjithë shtëpinë ku ata po rrinin” (Veprat 2:2). Mendo për një vrapues Olimpik. Sasi të mëdha ajri futen në gjoksin e tij, ndërsa frymëmarrja i mbush mushkëritë dhe i jep energji trupit të tij. Kjo është ajo që ndodhi dhe në Ditën e Rrëshajëve.
Në antikitet, shumë gjuhë përdorin të njëjtën fjalë për “erë”, “frymë”, ose “shpirt”. Zhurma e erës është e ngjashme me tingullin e frymëmarrjes, vetëm se është shumë më e fortë dhe zgjat më shumë. Kur gjen diçka të pazakontë në Bibël, do të të ndihmojë të bësh këto pyetje, “Ku e kemi hasur diçka të tillë më përpara?” Dhe nëse bëjmë pyetjen, “Ku e kemi hasur më parë tingullin e erës apo të frymëmarrjes?” ka dy përgjigje të qarta për këtë. Në fillim të historisë së Biblës, ne lexojmë se si Perëndia fryu frymë jete në Adamin. Perëndia formoi një trup pa jetë nga pluhuri i dheut. Pastaj Perëndia fryu brënda trupit të tij pa jetë. Ai i dha Adamit puthjen e jetës, dhe njeriu i parë u bë një qënie e gjallë.
Në mënyrë të ngjashme, përpara se Jezusi të ngrihej në qiell, Ai fryu mbi dishepujt e Tij, dhe tha, “Merrni Frymën e Shenjtë!” (Gjoni 20:22). Duke bërë këtë, Jezusi po paraprinte atë që do ndodhte në Ditën e Rrëshajave. Kështu që, kur dishepujt dëgjuan një zhurmë si një erë që frynte vetëm disa ditë më pas, ata menjëherë e lidhën këtë me atë që Jezusi bëri, dhe ata e kuptuan se kjo ishte përmbushja e asaj që Jezusi kishte premtuar.
Topa të Mëdhenj Zjarri
Pasi dëgjuan zhurmën si të erës së fortë, “atyre iu dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre” (Veprat 2:3). Një top i madh ose kolonë zjarri u shfaq mbi besimtarët e mbledhur. Ndërsa zjarri erdhi afër tyre, u nda në flakë individuale ose “gjuhë zjarri,” dhe kështu flaka ra mbi çdo person që ishte në atë dhomë. Gjëja e mrekullueshme ishte se asnjëri prej tyre nuk u dogj.
Përsëri, mënyra më e mirë për ta kuptuar këtë, është të pyesim se ku e kemi hasur diçka të tillë më parë në Bibël. Në Dhjatën e Vjetër, Perëndia i’u paraqit Mosiut në një flakë zjarri që qëndronte mbi një shkurre që nuk po digjej, dhe i dha atij detyrën për të udhëhequr popullin e Perëndisë jashtë nga skllavëria e Egjiptit. Tani Perëndia po vinte nëpërmjet zjarrit për t’i dhënë një detyrë të re kishës së Tij.
Përpiqu të imagjinosh veten në mes të atyre 120 besimtarëve kur flaka ra. Ti ngre kokën lart dhe shikon zjarrin sipër teje që zbret ngadalë në mes të dhomës. Ti e kupton se çfarë po ndodh: prania e Perëndisë po vjen në mes të njerëzve të Tij. Ti mbushesh me një ndjenjë mrekullie. Perëndia që i’u paraqit Moisiut po e bën praninë e Tij të njohur përsëri, dhe ti je pjesë e kësaj.
Ty të kujtohet se kur zjarri i’u shfaq Moisiut, ai mori urdhërin të realizonte qëllimin e Perëndisë. Ndaj ti mendon, Mbi cilin person do qëndrojë flaka tani? A do jetë Pjetri, Jakobi, Gjoni, apo ndoshta të tre? Apo të 12 apostujt?
Por ndërsa ti sheh lart, ti vë re se një nga flakët po vjen drejt teje. Ti sheh përreth dhomës, dhe një flakë qëndron mbi çdo person! Perëndia është duke i dhënë detyrën çdo besimtari të pranishëm të përmbushë qëllimin e Tij në botë. Në Dhjatën e Vjetër, profetët, priftërinjtë, dhe mbretërit vajoseshin nga Perëndia për shërbesë. Por në Dhjatën e Re, zjarri i Perëndisë bie jo vetëm mbi Pjetrin, Jakobin, dhe Gjonin, por edhe mbi besimtarët e panjohur që kurrë nuk kishin menduar të kenë ndonjë pozitë udhëheqësi. Fryma e Perëndisë qëndron mbi të gjithë ata që e duan dhe e ndjekin Jezusin, dhe çdo njëri prej tyre, ka një rol për të luajtur në përparimin e qëllimit të Perëndisë për botën.
Ata Folën në Gjuhë të Tjera
Papritur dhe në mënyrë spontane, secili prej besimtarëve zbuloi se ishte në gjëndje të fliste në një gjuhë të huaj që nuk e kishte mësuar kurrë më parë: “Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte atyre të shpreheshin” (Veprat 2:4).
Kjo ishte e kundërta e asaj që ndodhi shumë kohë më parë në kullën e Babelit (Zanafilla 11:1-9). Më herët në historinë e Biblës, teksa rebelimi i njeriut kundër Perëndisë po avanconte, njerëzit ndërtuan një qytet me një kullë që do shpallte madhështinë e tyre dhe do u jepte atyre siguri. Perëndia zbriti poshtë dhe theu vrullin e mbretërisë pa zot të njeriut, duke futur konfuzionin e shumë gjuhëve në racën njerëzore. Imagjino që ndërsa mbërrin në vendin e ndërtimit një mëngjes, një koleg të flet por ti nuk mund ta kuptosh atë. Gjatë pushimit të drekës, ti vë re se të gjithë punëtorët janë të hutuar, sepse ata nuk marrin vesh njeri-tjetrin.
Në fund, ti ndihesh i çliruar kur gjen dikë që flet gjuhën tënde. “Oh, jam kaq i gëzuar që gjeta dikë tjetër që arrij ta kuptoj,” i thua ti. “Gjithë të tjerët bëjnë vetëm zhurma të pakuptueshme.” Nëpër kantjer, grupe të vogla njerëzish po mblidhen, të bashkuar nga identiteti i një gjuhe të përbashkët. Ata po arrijnë të gjithë në të njëjtin konkluzion: ka ardhur koha të largohemi nga kjo çmenduri dhe të bëjmë një jetë të re, me njerëz që flasin gjuhën tonë. Kështu që, ata shpërndahen drejt veriut, jugut, lindjes dhe perëndimit—duke mbartur farën e konflikteve të ardhshme me vete.
Në Babel, gjuhët ishin shenjë e gjykimit të Perëndisë mbi rebelimin e njeriut. Gjuhët sollën konfuzion. Njerëzit nuk mund të komunikonin dot më me njëri-tjetrin, ndaj edhe u ndanë. Por Ditën e Rrëshajave, ishte krejt e kundërta. Njerëz nga çdo komb ishin mbledhur në Jeruzalem (Veprat 2:5). Dhe kur Fryma e Perëndisë erdhi, besimtarët e gjetën veten papritur të flisnin gjuhë që ata nuk i kishin mësuar kurrë, në mënyrë që njerëz nga e gjithë bota, të mund të dëgjonin dhe kuptonin lajmin e mirë të Jezus Krishtit.
Në Babel, gjuhët ishin gjykim nga Perëndia që solli konfuzion dhe shpërndarje të njerëzve. Në ditën e Rrëshajave, gjuhët ishin një bekim nga Perëndia, që çoi në kuptim dhe në bashkimin e njerëzve. Në Babel, Perëndia përdori mallkimin e gjyhëve për të ngadalësuar avancimin e kullës së njeriut. Ditën e Rrëshajave, Perëndia përdori bekimin e gjuhëve për të shpejtuar avancimin e mbretërisë së Krishtit.
Qëllimi i Perëndisë ishte të komunikonte lajmin e mirë të Jezusit, popujve nga të gjitha grupet e gjuhëve në botë. Gjuha nuk do ishte një pengesë për ungjillin. Një kishë që kishte si vizion misionet lindi në Ditën e Rrëshajave. Perëndia fryu jetën e Tij në njerëzit e Tij. Prania e Tij erdhi dhe qëndroi mbi ta, ndërsa Ai i pajisi ata me gjithçka që kishin nevojë për të avancuar qëllimin e Tij në botë.
Turma u mahnit teksa dëgjonin njerëz të deklaronin punët e fuqishme të Perëndisë në gjuhët e tyre (2:11). Ata nuk po e kuptonin dot se çfarë po ndodhte, ndaj Pjetri i thirri turmës të mbanin qetësi dhe ta dëgjonin. Ai u tha atyre se Jezusi, të cilin ata e kishin kryqëzuar, u ringjall nga vdekja, u ngrit lart në të djathtë të Atit, dhe tani u kishte dërguar Frymën e Shenjtë njerëzve të Tij. Ky ishte shpjegimi për atë që turma po shihte e dëgjonte.
Njerëzit ishte e qartë që e besuan atë që Pjetri u tha në lidhje me Jezusin, ndaj ai u tregoi për hapin tjetër që ata duhet të merrnin: ”Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve; dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë. Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë” (2:38-39).
3000 njerëz i’u përgjigjën ftesës së Pjetrit, dhe në ditët që vijuan, ata u kthyen në shtëpitë e tyre dhe e shpunë lajmin e mirë të Jezusit tek popujt e tjerë, gjuhën e të cilëve ata e njihnin.
Qëllimi i Perëndisë Sot
Në momente kyçe të historisë së Biblës, Perëndia e bëri praninë e Tij të njohur në një mënyrë të dukshme. Ne i quajmë këto raste teofani, dhe ato kanë një rëndësi të madhe, sepse Perëndia bën për disa njerëz në mënyrë të dukshme, atë që Ai bën për të gjithë njerëzit e Tij në mënyrë të padukshme.
Në Ditën e Rrëshajave, Perëndia po na mësonte nëpërmjet pamjes së zjarrit, zhurmës së erës, dhe gjuhëve atë që Ai gjithmonë kishte dashur të bënte midis njerëzve të Tij. Perëndia na jep pushtetin dhe praninë e Tij, dhe na dërgon të çojmë ungjillin tek të gjithë popujt. Perëndia ua jep Frymën e Tij jo vetëm drejtuesve, por të gjithë njerëzve të Tij. Prania dhe pushteti i Perëndisë së Gjithëfuqishëm qëndron mbi çdo besimtar në Zotin Jezus Krisht.
Një Shteg i Hapur
Çdo i Krishterë dhe çdo kishë ka një rol për të luajtur në qëllimin e madh të Perëndisë, për të bekuar të gjithë njerëzit nga çdo komb i tokës. Për disa njerëz, kjo do të thotë të shkojnë në një kulturë të panjohur dhe të mësojnë një gjuhë të huaj, në mënyrë që lajmi i mirë i Jezusit të bëhet i njohur në mes tyre. Për të tjerë, thirrja e Perëndisë do të jetë të gjejmë zërin tonë në gjuhën që Perëndia na ka dhënë.
Perëndia në mënyrë të mrekullueshme vendos grupe njerëzish përreth çdo besimtari, në mënyrë që ne të komunikojmë lajmin e mirë të Jezusit në gjuhën e tyre. Ndoshta ti mund të flasësh gjuhën e gjimnazistëve apo të fëmijëve. Perëndia të ka thurur në mënyrë të tillë, që e bën të mundur për ty të komunikosh me një grup të caktuar njerëzish. Përpiqu të gjesh kush janë ata, bashkohu me ta, dhe tregoju për Jezusin.
