Gëzimi

Disa vite pas përpjekjes së dështuar të Josias për të thirrur popullin të kthehej tek Bibla, Perëndia lejoi që armiqtë ta katandisnin qytetin e Tij në një pirg rrënojash. Ushtria Babilonase rrethoi Jeruzalemin. Pati një humbje të tmerrshme jetësh, dhe ata që mbijetuan, ose u arratisën për të shpëtuar jetën e tyre, ose u burgosën dhe u shpunë në kampet e strehimit në Babiloni. Por Perëndia nuk e kishte braktisur popullin e Tij, dhe pas shtatëdhjetë vjetësh, një komunitet i vogël u kthye për të rindërtuar qytetin.
Nehemia 8:1-18
Mësimi

Leximi i ligjit

1 Atëherë mbarë populli u mblodh si një trup i vetëm në sheshin përballë Portës së Ujit e i thanë shkruesit Ezra të sillte librin e ligjit të Moisiut, që Perëndia i kishte urdhëruar Izraelit. 

2 Në ditën e parë të muajit të shtatë, prifti Ezra e solli ligjin para kuvendit të burrave, grave dhe të gjithë atyre që mund të kuptonin e të dëgjonin. 

3 E lexoi me zë në sheshin para Portës së Ujit, deri në mesditë, para burrave, grave e atyre që ishin në gjendje ta kuptonin. I gjithë populli i vuri vesh librit të ligjit. 

4 Shkruesi Ezra qëndroi në një shkallare druri, që e kishin përgatitur për këtë gjë, ndërsa bri tij rrinin Matitjahu, Shemai, Ananjahu, Urjahu, Hilkiahu e Masejahu, në krahun e djathtë, e në të majtë Pedajahu, Mishaeli, Malkjahu, Hashumi, Hashbadanahu, Zakaria e Meshulami. 

5 Ezra e hapi librin para syve të mbarë popullit, se ishte më lart se tërë populli. Kur e hapi, mbarë populli u ngrit më këmbë. 

6 Atëherë Ezra e bekoi Zotin, Perëndinë e madh, ndërsa gjithë populli, me duart lart, u përgjigj: «Amen! Amen!». Pastaj ranë përmbys me fytyrë përdhe para Zotit. 

7 Jeshuai, Baniu, Sherebiahu, Jamini, Akubi, Shabetai, Hodiahu, Masejahu, Kelitai, Azarjahu, Jozabadi, Hanani, Pelajahu e levitët, e ndihmuan popullin ta kuptonte ligjin, ndërsa populli rrinte në vendin e vet. 

8 Ata e lexonin librin e ligjit të Perëndisë dhe e sqaronin. I nxirrnin kuptimin, që ta kuptonin leximin.

9 Nehemia, që ishte qeveritar, Ezra, që ishte prift e shkrues, si dhe levitët, të cilët e mësonin popullin, i thanë mbarë popullit: «Kjo ditë i kushtohet Zotit, Perëndisë suaj. Mos vajtoni e mos qani». Sepse mbarë populli qante duke dëgjuar fjalët e ligjit. 

10 Atëherë Nehemia u tha: «Shkoni, hani ushqime të majme, pini pije të ëmbla e çojuni një pjesë atyre që nuk kanë përgatitur asgjë, se kjo ditë është e shenjtë për Zotin tonë. Mos u mërzitni, sepse gëzimi i Zotit është streha juaj». 

11 Kështu, levitët e qetësuan mbarë popullin, duke i thënë: «Heshtni, se kjo ditë është e shenjtë. Mos u trishtoni». 

12 Tërë populli shkoi për të ngrënë e për të pirë, për t'u dhënë një pjesë të tjerëve e për të gëzuar shumë, sepse i kishin kuptuar fjalët që u ishin thënë.

Festa e Kasolleve

13 Të nesërmen kryefamiljarët e mbarë popullit u mblodhën me priftërinjtë e levitët te shkruesi Ezra për të përimtuar fjalët e ligjit. 

14 Në ligjin që Zoti kishte urdhëruar me anë të Moisiut, zbuluan se populli i Izraelit duhej të jetonte në kasolle gjatë festimeve të muajit të shtatë 

15 e se festimet duheshin shpallur me zë në të gjitha qytetet dhe në Jerusalem, duke thënë: «Dilni nëpër male e sillni gema ullinjsh të butë e të egër, gema boronicash, gema palmash e gema pemësh gjethore, sikurse është shkruar». 

16 Atëherë populli doli e i solli. Ndërtuan për vete kasolle, secili mbi pullazin e shtëpisë së vet, nëpër treme, në tremen e tempullit të Perëndisë e në sheshin e Portës së Ujit, si edhe në sheshin e Portës së Efraimit. 

17 Mbarë bashkësia e të kthyerve nga skllavëria bënë kasolle e banuan në to. Qysh prej kohës së Jeshuait, birit të Nunit, deri më atë ditë, Izraeli nuk kishte bërë diçka të tillë, prandaj u bë gëzim i madh. 

18 Ai e lexoi librin e ligjit të Perëndisë, çdo ditë, nga dita e parë deri tek e fundit. Festa zgjati shtatë ditë dhe ditën e tetë u bë një mbledhje e madhe, sipas rregullores.

Qyteti mbi të cilin Perëndia kishte vendosur emrin e Tij,u shndërrua në rrënojë, dhe heshtja mbretëroi aty ku dikur komuniteti i besimtarëve kishte ngritur zërin në adhurim. Tempulli që dikur ishte mbushur me renë e pranisë së Perëndisë, tashmë ishte shkatërruar plotësisht.

Por perandoria Babilonase i lëshoi vendin perandorisë në rritje të Medo-Persisë, dhe një mbret i ri, Kiri, dha dekretin që çdo Hebre në mërgim, i cili kishte dëshirë të kthehej në Jeruzalem dhe të rindërtonte tempullin, do ishte i lirë ta bënte këtë. Rreth pesëdhjetë mijë njerëz iu përgjigjën sfidës (Ezdra 2:64-67). 

Rindërtimi i Qytetit të Perëndisë 

Ishte një grup i vogël për një vepër kaq të madhe, por ata ishin të fuqizuar nga një vizion për të rindërtuar tempullin dhe për të krijuar një komunitet të ri në qytetin e Perëndisë. Udhëheqësi i tyre ishte një ndërtues me emrin Zerobabel, dhe sfida e tij e parë ishte mbikëqyrja e ndërtimit të shtëpive. 

Kur paraardhësit e tyre kishin hyrë fillimisht në tokën e premtuar, Perëndia u kishte dhënë atyre shtëpi që ata nuk i kishin ndërtuar dhe vreshta që nuk i kishin mbjellë. Por kur ata që ishin në mërgim u rikthyen, atyre i’u desh t’ia nisnin çdo gjë nga e para. Pasi ndërtuan shtëpitë e tyre, populli i Perëndisë filloi detyrën e rindërtimit të tempullit (Ezdra 3). 

Më pas, Perëndia ngriti mes tyre një mësues të Fjalës me emrin Ezdra. “Ky Ezdra vinte nga Babilonia. Ishte një shkrues kompetent në ligjin e Moisiut të dhënë nga ZOTI, Perëndia i Izraelit. Mbreti i dha të gjitha ato që ai kërkoi, sepse dora e ZOTIT, Perëndisë të tij, ishte mbi të” (Ezdra 7:6). Kur Ezdra arriti në Jeruzalem, ai u gjunjëzua i tronditur dhe i tmerruar, dhe mbeti ashtu në heshtje deri në fund të ditës (Esdra 9:2-4). Atij nuk mund t’i besohej se populli i Perëndisë, në qytetin e Perëndisë, dinte aq pak në lidhje me Fjalën e Perëndisë.

Pak kohë më vonë, Perëndia solli mes tyre një projektues dhe organizator të talentuar me emrin Nehemia. Kur ai erdhi në Jeruzalem, ai pa që qyteti nuk kishte masa mbrojtëse, dhe Perëndia i vuri në zemër që të ndihmonte me rindërtimin e mureve rrethuese të qytetit.

Historia e rindërtimit të Jeruzalemit është një shembull i mrekullueshëm i mënyrës se si Perëndia përdor dhe bashkon njerëz me dhunti të ndryshme për të kompletuar punën e Tij. Perëndia përdori një ndërtues, një mësues të Biblës dhe një projektues, dhe së bashku, populli i Perëndisë arriti rezultate të mëdha.

Nxirre Biblën!

Ezdra u përball me sfidën për t’i mësuar Biblën një komuniteti njerëzish, të cilët mendonin se e njihnin Perëndinë, por që dinin shumë pak nga Fjala e Tij. Si mundej që këta njerëz, të cilët kishin shpenzuar jetën e tyre në një kulturë pagane, të ktheheshin në një komunitet që e donte dhe i bindej Perëndisë? Strategjia e Ezdras ishte të mblidhte të gjithë komunitetin, rreth 50,000 njerëz, në sheshin publik. Ndërsa ata u mblodhën, ata “i thanë pastaj shkruesit Ezdra të sillte librin e ligjit të Moisiut, që Perëndia i kishte dhënë Izraelit” (Nehemia 8:1).

Si mund të bënin pesëdhjetë mijë njerëz një kërkesë? Ata kënduan! Kjo turmë u mblodh me një uri të madhe për Fjalën e Perëndisë, dhe ishin të paduruar që ngjarja të fillonte, prandaj ata filluan të bërtisnin: “Ne duam Biblën; nxirre Biblën!” Duhet të ketë qënë një gëzim i madh për Ezdran, të nxirrte Shkrimet dhe t’i mësonte kësaj turme të madhe Fjalën e Perëndisë.

Prifti Ezdra solli Ligjin para gjithë asamblesë, e cila përbëhej nga burra e gra, dhe para “të gjithë atyre që ishin të aftë të kuptonin” (8:2). Kjo do të thotë që aty kishte edhe fëmijë. Është një gjë me impakt të fuqishëm të marrësh fëmijët në një ambjent ku ata mund të shikojnë të rriturit të adhurojnë dhe të marrin seriozisht Fjalën e Perëndisë.

Pritje të Mëdha 

Turma vëzhgonte në pritje, dhe kur Ezdra hapi Shkrimet, njerëzit u ngritën në këmbë (8:5). Atëherë, “Ezdra bekoi Zotin, Perëndinë i madh, dhe tërë populli u përgjigj: “Amen, amen”, duke ngritur duart; pastaj u përkulën dhe ranë përmbys me fytyrë për tokë përpara Zotit” (Nehemia 8:6).

Kishin kaluar 1000 vjet që kur Perëndia i kishte dhënë fjalën e Tij Moisiut, por kur Shkrimet u hapën dhe u shpjeguan, njerëzit e kuptuan se Perëndia po u fliste atyre. Kur dëgjuan fjalët e këtij libri, ata e dinin se nuk po dëgjonin fjalët e një njeriu; por ata po dëgjonin fjalët e vetë Perëndisë. Kushtoi vëmendje faktit që Ezdra nuk bëri një udhëtim në Malin e Sinait për të dëgjuar një fjalë të re nga Perëndia. Ai hapi Librin e Ligjit, që ishte shkruar 1000 vjet më parë, duke besuar se kur Fjala e Perëndisë hapet, zëri i Perëndisë dëgjohet. 

Duke e Qartësuar Kuptimin 

Predikimi i Ezdras filloi nga teksti i Biblës. Ai shpjegoi mesazhin që i ishte dhënë atij. Perëndia kishte premtuar ta bekonte Fjalën e Vet (Isaia 55:11). Kështu që detyra e predikuesit është vetëm të mbushë fjalët e tij me Fjalën e Perëndisë, në mënyrë që populli i Perëndisë të bekohet.

Ezdra u mbështet nga Levitët në detyrën e tij: “Ata lexonin në librin e ligjit të Perëndisë në mënyrë të qartë, duke shpjeguar domethënien e tij me qëllim që të kuptohej ajo që po lexonin” (Nehemia 8:8). Mesa dukej, Levitët ishin shpërndarë nëpër turmë. Ezdra lexonte një fragment të ligjit dhe shpjegonte kuptimin e tij. Më pas Levitët mblidheshin rreth popullit në grupe më të vogla dhe i pyesnin nëse ata e kishin kuptuar atë që sapo ishte lexuar. Kur të gjithë ishin gati, Ezdra vazhdonte leximin (8:7-8). 

Kishte një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet predikimit të Ezdras dhe grupeve të vogla, ku njerëzit kishin mundësi të bënin pyetje dhe të mësonin si ta vinin në zbatim Fjalën e Perëndisë. Leximi, shpjegimi, dhe vënia në zbatim e Biblës, ishte strategjia themelore e Ezdras për të rritur njohuritë e popullit të Perëndisë.

Lumturia e Perëndisë 

Ndërsa Ezdra lexonte ligjin e Perëndisë, populli vajtonte sepse ata e kuptuan se sa larg kishin shkuar nga ajo që Perëndia kishte përcaktuar për ta. Kështu që Ezdra, Nehemia dhe Levitët u thanë njerëzve, “Kjo ditë i shenjtërohet ZOTIT, Perëndisë tuaj; mos mbani zi dhe mos qani!”. Tërë populli në fakt, duke dëgjuar fjalët e ligjit, qante” (Nehemia 8:9).

Kur të hapësh Fjalën e Perëndisë, do të zbulosh mëkate në jetën tënde që nuk u ke kushtuar vëmendje më parë. Dhe ajo që trishton zemrën e Perëndisë, do të trishtojë edhe zemrën tënde. Fjala e Perëndisë është më e mprehtë se një shpatë me dy tehe. Ajo shpon, pret dhe lëndon (shih Hebrenjve 4:12). 

Fjala e Perëndisë do të të bindë ty për mëkatin, por nuk është kurrë qëllimi i Perëndisë të të lërë në këtë pikë. Bindja ndaj mëkatit është gjithmonë një mjet për të arritur diku, në këtë rast, të arrijmë në një vlerësim më të thellë të hirit të Perëndisë. Për këtë arsye Nehemia tha, “Kjo ditë i është shenjtëruar Zotit tonë. Mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj” (Nehemia 8:10). Fuqia jonë qëndron tek gëzimi i Perëndisë, jo në tonën. Zoti është jashtëzakonisht i lumtur në Vetvete. Ai është “I lumi e i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve” (1 Timoteu 6:15).

Nuk mund të kishte gëzim në bashkësi me një perëndi të palumtur. Nëse mendon se Perëndia mban një mërzitje të përhershme ndaj teje, ti nuk do të ishe i tërhequr të shoqëroheshe me Të. Kush dëshiron të ecë me një person të mjerë? Nëse mendon se Perëndia mërzitet vazhdimisht me ty, ti do të fshihesh sa herë që Ai afrohet. Por kur mëson se Perëndia është i bekuar, se Ai është jashtëzakonisht i lumtur në Vetvete, ti do të tërhiqesh të ecësh bashkë me Të. Ndërsa e bën këtë, gëzimi që është në Zotin do të jetë gjithnjë e më shumë tek ti. 

Gëzimi i Bindjes 

Në ditën e dytë, kryefamiljarët e çdo familje u mblodhën. Bibla u lexua përsëri dhe ata “Gjetën të shkruar në ligj që Perëndia kishte urdhëruar me anë të Moisiut që bijtë e Izraelit duhet të banonin në kasolle gjatë festës së muajit të shtatë” (Nehemia 8:14).

Ky festival përfshinte çdo familje, dhe secila prej tyre duhet të bënte një banesë të përkohshme prej degësh dhe të flinin në to për shtatë ditë. Kuptimi i këtij festivali ishte t’u kujtonte njerëzve se si Perëndia ishte kujdesur për etërit e tyre në shkretëtirë. I kujtonte gjithashtu se gjithçka në këtë botë është e përkohshme, dhe ashtu si Abrahami, ata po hidhnin shikimin drejt së ardhmes për një qytet qiellor. 

Më pëlqen shumë përgjigja e tyre spontane. Ata dëgjuan Fjalën e Perëndisë dhe u bindën. “Atëherë populli…ndërtoi kasollet, kush mbi çatinë e shtëpisë së tij, kush në oborrin e tij, të tjerë në oborret e shtëpisë së Perëndisë” (8:16). Bindja e këtyre njerëzve ndaj Fjalës së Perëndisë ishte ngjitëse! I gjithë komuniteti ngriti kasolle dhe jetoi në to, “Dhe qe një gëzim shumë i madh” (8:17). Një gëzim i tillë i madh do të jetë i yti kur ti i bindesh plotësisht Perëndisë. 

Fjala e Perëndisë gjithmonë do na përulë në mëkatet tona, do na ngrejë të shohim hirin dhe mëshirën e Perëndisë, dhe do na nxisë të bëjmë një jetë në bindje, gjatë së cilës do përjetojmë gëzim të madh. Rreth 500 vite pas kohës së Nehemias, Jezusi erdhi në Jeruzalem për të festuar festën e Tabernakujve (Gjoni 7:2), “Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u ngrit në këmbë dhe thirri duke thënë: ”Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë’” (Gjoni 7:37). 

Nëse ke etje do të thotë se nuk e ke gjetur ende paqen, kënaqësinë, dhe gëzimin që po kërkon. Ftesa e Jezusit është për ty. Ai flet për veten si për një burim, dhe thotë, “Eja tek unë dhe pi.” Besimi është si të pish nga një burim që nuk shteron kurrë. Është kuptimi se si ti e pranon Krishtin dhe gjithçka që Ai ofron.

Një Shteg i Hapur

Shkrimet kanë fuqinë të ndryshojnë jetën e një njeriu dhe t’i japin një formë të re një komuniteti të tërë. Kur Fjala e Perëndisë mësohet, zëri i Perëndisë dëgjohet. Leximi dhe zbatimi i Biblës do të zbulojë mëkatet tona dhe do të shfaqë hirin e Perëndisë. Kur kjo të drejton në pendesë dhe në bindje, ti do të përjetosh gëzim të madh.

Pyetje Diskutimi

Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.

Gjoni 7:37

Ditën e fundit e më të madhen e festës, Jezui u ngrit në këmbë e thirri: «Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë!