Josia bëhet mbret i Judës
1 Josia ishte tetë vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për tridhjetë e një vjet në Jerusalem. E ëma quhej Jedida dhe ishte bija e Adajahut nga Bockati.
2 Josia bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit dhe ndoqi në çdo hap udhën e Davidit, paraardhësit të tij, pa iu shmangur as djathtas, as majtas.
Rigjetja e librit të ligjit
3 Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të tij, mbreti Josi dërgoi Shafanin, birin e Acaljahut, të birin e Meshulamit, shkruesit, në tempullin e Zotit e i tha:
4 «Shko te kryeprifti Hilkiah dhe thuaji të bëjë gati paratë e hedhura në tempullin e Zotit, që portarët kanë mbledhur nga populli.
5 Paratë t'ua japin përgjegjësve të punëtorëve që janë caktuar për tempullin e Zotit e ata t'ua japin punëtorëve që po kryejnë meremetimet e dëmtimeve të tempullit të Zotit,
6 marangozëve, ndërtuesve dhe muratorëve, që të blejnë dru dhe gurë të latuar për meremetimet e tempullit.
7 Por askush të mos u kërkojë llogari për paratë e dhëna, sepse ata punojnë me ndershmëri».
8 Kryeprifti Hilkiah i tha Shafanit, shkruesit: «Kam gjetur në tempullin e Zotit librin e ligjit». Hilkiahu ia dha librin Shafanit dhe ai e lexoi.
9 Shafani, shkruesi, u kthye te mbreti dhe e njoftoi për punët: «Shërbëtorët e tu i mblodhën paratë që u gjetën në tempull dhe ua dhanë përgjegjësve të punimeve në tempullin e Zotit».
10 E mandej i tha mbretit: «Prifti Hilkiah më dha një libër». Shafani filloi ta lexojë librin para mbretit.
11 Kur dëgjoi fjalët e shkruara në librin e ligjit, mbreti shqeu rrobat.
12 Atëherë ai u dha këtë urdhër priftit Hilkiah, Ahikamit, të birit të Shafanit, Akborit, të birit të Mikahut, Shafanit, shkruesit, dhe Asajahut, nëpunësit të mbretit:
13 «Shkoni e këshillohuni me Zotin për mua, për popullin dhe për mbarë Judën në lidhje me fjalët e këtij libri që gjetëm. Zemërimi i Zotit kundër nesh duhet të jetë shumë i madh, sepse të parët tanë nuk i kanë dëgjuar fjalët e këtij libri dhe nuk e kanë zbatuar gjithçka është shkruar për ne».
14 Atëherë prifti Hilkiah, Ahikami, Akbori, Shafani dhe Asajahu shkuan për të folur me profeteshën Hulda, gruan e Shalumit, birit të Tikvahut, të birit të Harhasit, ruajtësit të rrobave. Hulda banonte në Jerusalem, në lagjen e re.
15 Ajo u tha: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: njeriut që ju dërgoi tek unë thuajini
16 se kështu thotë Zoti: “Ja, unë do të sjell një fatkeqësi të madhe mbi këtë vend e mbi banorët e tij, ashtu siç thonë fjalët e librit, që lexoi mbreti i Judës,
17 sepse ata më kanë braktisur dhe u kanë kushtuar temjan perëndive të tjerë, duke ndezur zemërimin tim me gjithë veprat që kanë bërë. Zemërimi im kundër këtij vendi është ndezur e nuk do të shuhet”.
18 Ndërsa mbretit të Judës, që ju dërgoi të këshilloheni me Zotin, do t'i thoni: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Sa për fjalët që dëgjove,
19 meqenëse zemra jote u zbut dhe ti e përule veten para Zotit sapo dëgjove ato që thashë kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, se do të bëhet vend i shkretë e i mallkuar, meqenëse shqeve rrobat dhe qave para meje, të dëgjova edhe unë”, thotë Zoti.
20 “Prandaj, do të të preh me paraardhësit e tu, do të varrosesh bashkë me ta në paqe, që sytë e tu të mos e shohin gjithë atë fatkeqësi që do të sjell kundër këtij vendi”». Të dërguarit u kthyen e njoftuan mbretin për këto fjalë.
Si do të ndiheshe nëse do të dëgjoje në lajme një mëngjes se 42 nga 50 shtetet e SHBA’së, janë larguar nga bashkësia dhe secila ka ngritur qeveritë dhe ushtritë e tyre të pavaruara? Më pas, disa vite më vonë, të gjitha këto shtete të pavarura të ishin pushtuar nga armiqtë e tyre dhe të ishin rrënuar?
Si qytetar i një prej 8 shteteve të mbetura të SHBA’së, nuk do të ishe më pjesë e një prej shteteve më të fuqishme të botës. Në vend të kësaj, ti do të ishe banor i një vendi të vogël dhe të pafuqishëm. Ajo që dikur dukej e fortë dhe e sigurt, tani do të dukej e dobët dhe e cënueshme.
Kështu ishte për popullin e Perëndisë në dy fiset që shpikën mbretërinë jugore. Në kohën e Davidit, Izraeli ishte një fuqi dominuese me të 12 fiset e bashkuara. Por pasi 10 nga 12 fiset deklaruan pavarësinë e tyre, gjërat ndryshuan krejt për jugun. Kombi u zvogëlua në aspektin ushtarak dhe ekonomik, dhe brenda 200 viteve, mbretëria veriore u pushtua nga armiqtë dhe 10 fiset u shpërndanë.
Premtimi i Perëndisë për të bekuar pasardhësit e Abrahamit dhe më pas për të sjellë bekim kombeve të botës nëpërmjet tyre, duhet të jetë dukur tashmë si i parealizueshëm. Por premtimi i Perëndisë për të bekuar popullin e Tij nuk është anuluar kurrë.
Një Kthesë Për Më Keq
Për shumë vjet, populli i Judës pati fatin të udhëhiqej nga mbretër më të mirë se vëllezërit dhe motrat e tyre në veri. Por gjërat morën një drejtim më të keq, kur Manasi u ul në fron. Ai mbretëroi për 55 vjet (2 Mbretërve 21:1), dhe i solli më tepër telashe popullit të Perëndisë se çdo njeri tjetër. “Manasi i shtyu të vepronin më keq se kombet që Zoti kishte shkatërruar para bijve të Izraelit” (21:9).
Perëndia i kishte përzënë Kananitët nga vendi për shkak të mëkateve të tyre të shumta, por tani vetë populli i Perëndisë po bënte gjëra që ishin shumë herë më keq! Manasi nxiti adhurimin e Molekut, që përfshinte një ritual në të cilin fëmijët sakrifikoheshin në zjarr (21:6). Nëse Perëndia i gjykoi Kananitët për mëkatin e tyre, si do të mund ta përmbante Ai gjykimin për popullin e Tij (21:11)? Populli i Perëndisë ishte thirrur për të qënë dritë në një vend të errët, por realiteti ishte se ata po jetonin në të njëjtën errësirë si njerëzit e tjerë rreth tyre.
Në fund të mbretërimit të Manasit, djali i tij Amon u ul në fron, por ai zgjati vetëm dy vjet para se të vritej, duke lënë mbret birin e tij 8-vjeçar, Josian.
Ndikimi i një Udhëheqësi të Perëndishëm
Në kontrast me të atin dhe gjyshin e tij, Josia “bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit dhe vazhdoi tërësisht rrugën e Davidit, atit të tij, duke mos devijuar as më të djathtë as më të majtë” (2 Mbretërve 22:2). Josia filloi të kërkonte Perëndinë në vitin e tetë të mbretërimit të tij (2 Kronikave 34:3), që duhet të ketë qenë në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Kur ishte adoleshent, ai zhvilloi një zemër për Perëndinë që i dha formë gjithë jetës së tij. Nuk është kurrë shumë herët të kërkosh Zotin.
Josia donte t’i kthente njerëzit e Zotit në rrugën e duhur, por ai nuk kishte njohuri rreth Biblës ku të mbështetej, dhe asnjë shembull të perëndishëm për të ndjekur. Ai u rrit në një kulturë shpirtërisht të hutuar dhe biblikisht injorante, dhe megjithatë thellë në zemrën e tij ekzistonte një dëshirë e fortë për të njohur Perëndinë.
Këtu qëndron pyetja e qartë: Nëse je duke kërkuar Perëndinë, si do ta gjesh Atë? Ndoshta mund të thuash: “Unë dua të jem ndryshe. Nuk dua të vazhdoj të bëj të njëjtat gjëra që kanë bërë të gjithë paraardhësit e tjerë në familjen time. Unë dua të ndryshoj dhe e di që kam nevojë për ndihmën e Perëndisë, por si mund ta gjej Atë?”
Rizbulimi i Biblës
Josia e dinte që Perëndia duhej të adhurohej në tempull, kështu që vendosi të riparonte shtëpinë e Perëndisë (2 Mbretërve 22:3-5). Ndërsa puna ishte në vazhdim, kryeprifti Hilkiah gjeti një libër të vjetër që do ndryshonte drejtimin e gjithë kombit. Ai tha, “Gjeta në shtëpinë e Zotit librin e ligjit” (22:8). Ky libër ka shumë gjasa të ishte një kopje e Ligjit të Përtërirë, dhe është për tu çuditur se si mund të kishte humbur, sidomos në vetë tempullin e Perëndisë!
Fjala e Perëndisë dënonte gjithçka që Manasi kishte bërë, dhe nuk është e vështirë të imagjinosh pse priftërinjtë i kishin injoruar Shkrimet e Shenjta. Nëse ata do kishin predikuar nga Bibla në kohën e Manasit, ata do të kishin rënë ndesh me kulturën e kohës. Kështu që ata kishin zgjedhur ta varrosnin Biblën, dhe 50 vjet më vonë, një brez i ri u rrit që nuk e njihte Perëndinë apo ligjin e Tij.
Gjëja më e mahnitshme është se priftërinjtë vazhduan punën e tyre në tempull pa përdorur fare Shkrimet! Ndoshta kjo ka qenë edhe përvoja jote. Mund të kesh qenë duke kërkuar Zotin dhe ke shkuar edhe në kishë, por Bibla hapej rrallë. Edhe nëse lexohej nuk kishte asnjëherë shpjegim, dhe ti ke mbetur me një uri të madhe në shpirtin tënd.
Rizbulimi i të Drejtës dhe i të Gabuarës
Libri i Ligjit të Përtërirë i’u lexua Josias, dhe “Kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, ai grisi rrobat e tij” (2 Mbretërve 22:11). Mos u habit nëse efekti i parë i Fjalës së Zotit në jetën tënde është të të bëjë të ndihesh sikur do të grisësh rrobat e tua. Kur të shohësh jetën për të cilën Perëndia të thërret, do të shohësh se sa larg je nga ajo, dhe se sa larg je nga Ai. Ti do të fillosh të thuah: “Pse nuk e dija këtë? Asgjë në jetën time nuk përputhet me atë që Perëndia kërkon nga unë! ”
Josia mblodhi pleqtë dhe popullin, dhe u lexoi të gjithë librin e Ligjit të Përtërirë me zë të lartë. Duke qëndruar pranë kollonave të tempullit, ai bëri një betim publik për t’iu bindur Zotit. Dhe të gjithë njerëzit u bashkuan me të, duke bërë të njëjtin zotim (23:2-3). Fjala e Perëndisë ndezi një zjarr në jetën e Josias, dhe ai vendosi që do të vinte në praktikë atë që Zoti kishte thënë. Ky vizion e rrëmbeu mendjen dhe shpirtin e tij: me hirin e Perëndisë unë do të jetoj një jetë që e nderon Atë.
Josia udhëtoi nëpër të gjithë vendin, dhe kudo që ai gjente altarë apo shenja të tjera idhujtarie, ai i shkatërroi ato totalisht. Kjo ishte masakra më e madhe kundër praktikave të idhujtarisë në historinë e Izraelit. Asgjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Altarët e idhujve që Salomoni kishte ndërtuar për gratë e tij të huaja kishin qëndruar për 300 vjet, ashtu siç ndodhi edhe për viçin e artë të ngritur nga Jeroboami (23:13, 15). Asnjë mbret tjetër nuk pati guximin t’i prekte ato, por Josia i shkatërroi ato plotësisht.
Perëndia e përmbajti gjykimin mbi kombin gjatë gjithë jetës së Josias: “sepse zemra jote u mallëngjye dhe ti u përule përpara Zotit…sytë e tu nuk kanë për të parë tërë të keqen që unë do t’i sjell këtij vendi” (2 Mbretërve 22:19-20). Josia nuk reshti së kërkuari drejtësinë: “Para tij nuk pati asnjë mbret që, si ai, t’i ishte kthyer Zotit me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcën, sipas tërë ligjit të Moisiut; as pas tij nuk ka dalë ndonjë si ai” (2 Mbretërve 23:25). Nuk mund të kërkosh një epitaf më të bukur se ky!
Drejtësia Fillon në Zemër
Por pati limite tek arritjet e Josias. Pjesa më e madhe e ndryshimit erdhi si pasojë e aktivitetit të vetë Josias. Nuk ishte një lëvizje e thjeshtë shoqërore, por një ndërhyrje nga shteti! Pati një element të fortë detyrimi në gjithë këtë. Ndaj nuk është për t’u çuditur se për aq kohë që Josia jetoi, “Gjatë gjithë jetës së tij ata nuk hoqën dorë së ndjekuri ZOTIN, Perëdinë e etërve të tyre” (2 Kronikave 34:33). Por, sapo Josia vdiq, e pashmangshmja ndodhi. Gjërat u kthyen prapë siç kishin qënë para tij.
Profeti Jeremia na jep një pasqyrim interesant për kufizimet e reformës së Josias: “Juda nuk u kthye tek unë me gjithë zemrën e saj, por me shtirje, thotë Zoti” (Jeremia 3:10). A je dhe ti kështu? Duke u shtirë të jesh një version me prindërit dhe dikush tjetër me miqtë? Një gjë në punë, një tjetër në shtëpi, dhe një tjetër akoma në kishë? Nëse gjithçka që bën është të përshtatesh me pritjet e të tjerëve, kur të jesh me një turmë tjetër do të jesh sërisht një person tjetër. Si përfundim, nuk do të dish se kush je.
Një sjellje e mirë shpesh nuk është asgjë më tepër sesa thjesht pasqyrimi i ambjentit që na rrethon. Drejtësia e vërtetë mund të vijë vetëm nga një zemër e cila është ndryshuar nga Perëndia, dhe për këtë arsye Perëndia premtoi një besëlidhje të re: “Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre” (Jeremia 31:33).
Perëndia po premtonte të bënte atë që asnjë prind, kishë, apo shtet nuk mund të bëjë–të vendosë Ligjin e Tij në mendjet dhe zemrat tona, në mënyrë që ne të duam të bëjmë atë që Ai ka urdhëruar. Shekuj më vonë, Jezusi mori një kupë të mbushur me verë dhe tha, “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që derdhet për ju” (Luka 22:20). Ai po fliste për besëlidhjen që Perëndia kishte premtuar nëpërmjet Jeremias, sipas të cilës Perëndia do na ndryshojë nga brenda.
Kur ti vjen tek Jezusi me besim dhe pendesë, Ai do të vendosë një dëshirë për drejtësi në ty. Ky është premtimi i besëlidhjes së re. Perëndia na jep shumë më tepër se Ligjin e Tij, Ai na jep Veten e Tij! Fryma e Perëndisë krijon dëshira dhe aftësi të reja brenda teje. Për këtë arsye do të duash Perëndinë, dhe do kesh dëshirë për drejtësi. Do të kesh dëshirë të lutesh, dhe kur mëkaton, nuk do kalojë shumë kohë përpara se të ndjesh nevojën për t’u kthyer tek Krishti dhe të marrësh faljen.
Kjo uri dhe etje për drejtësi, është një nga bekimet e jetës së Krishterë. Ata që kanë uri për ato që Perëndia ka ndaluar, në fund do të përjetojnë vetëm boshllëk dhe zhgënjim, por ata që dëshirojnë drejtësi, do të ndihen të përmbushur (shih Mateu 5:6). Mos u kënaq vetëm me një bindje të jashtme të vlerave të Krishtera, kur Krishti mund të të japë një zemër të re.
Një Shteg i Hapur
Drejtësia zbulohet në Fjalën e Perëndisë, dhe pa Fjalën nuk mund të dallojmë të drejtën nga e gabuara. Nëse drejtësia do të rikthehet në familjet tona, kishat tona, dhe kombin tonë, atëherë ata që e duan Perëndinë duhet ta marrin seriozisht vënien në praktikë të Biblës. Drejtësia duhet të burojë nga zemra. Sigurisht, ligjet e mira janë më të mira se ato të këqija, dhe ato kanë vlerë të madhe në frenimin e së keqes. Por ligji nuk mund të sjellë një ndryshim të zemrës, dhe kjo është arsyeja pse përpjekjet për të imponuar fenë gjithmonë dështojnë.
Qëllimi i Perëndisë nuk është të imponojë një bindje sipërfaqësore të ligjit të Tij, por të kultivojë një dëshirë të brëndshme për drejtësi. Ky është premtimi i besëlidhjes së re dhe punës së Frymës së Shenjtë. Kjo përfshin ndryshimin e zemrës sonë për të na dhënë një uri të re për drejtësi, dhe një aftësi të re për të ndjekur një jetë që i pëlqen Perëndisë.
