Çliruesi

Pas dyzet vitesh endje në shkretëtirë, Moisiu vdiq, dhe Perëndia vendosi Jozueun si pasardhësin e tij. Jozueu ishte një udhëheqës i fortë dhe i guximshëm, dhe ai e udhëhoqi popullin e Perëndisë në Tokën e Premtuar. Libri i Gjyqtarëve përfshin historinë e njerëzve të Perëndisë, pasi ata kishin pushtuar tokën e Kanaanit.
Gjyqtarët 2:1-23
Mësimi

Engjëlli i Zotit në Bokim

1 Engjëlli i Zotit shkoi nga Gilgali në Bokim e tha: «Ju nxora nga Egjipti dhe ju solla në tokën që u premtova etërve tuaj. Ju kam thënë se nuk do ta prish kurrë besëlidhjen time me ju. 

2 Ju nuk duhej të bënit asnjë marrëveshje me banorët e kësaj toke dhe duhej të shkatërronit idhujt e tyre, por nuk më dëgjuat. Çfarë keni bërë? 

3 Ja tek po ju them se nuk do t'i dëboj para jush. Ata do të jenë si gjemba në ijët tuaja dhe perënditë e tyre do të bëhen lak për ju». 

4 Kur engjëlli i Zotit u tha këto fjalë izraelitëve, populli vuri kujën e vajtoi. 

5 Atë vend e quajtën Bokim dhe atje i kushtuan fli Zotit.

Vdekja e Jozuehut

6 Jozuehu e shpërndau popullin dhe izraelitët shkuan nëpër pronat e tyre për të marrë në trashëgim tokën. 

7 Populli i shërbeu Zotit për sa kohë qe gjallë Jozuehu dhe për sa kohë qenë gjallë pleqtë që jetuan pas Jozuehut e i dinin të gjitha veprat që kishte bërë Zoti për Izraelin. 

8 Jozuehu, biri i Nunit e shërbëtori i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeçare. 

9 E varrosën në tokën që kishte për pronë në Timnah Heres, në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gash. 

10 I gjithë ai brez vdiq dhe u bashkua me etërit e vet. Pas tyre erdhi një brez i ri, që nuk njihte as Zotin, as veprat që ai kishte bërë për Izraelin.

Braktisja e Zotit

11 Izraelitët bënë ligësi në sytë e Zotit dhe u shërbyen Baalëve. 

12 Ata e braktisën Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, që i nxori nga toka e Egjiptit, dhe u dhanë pas perëndive të tjerë, pas perëndive të kombeve që kishin përreth. U përkulën para këtyre perëndive dhe ndezën zemërimin e Zotit. 

13 E braktisën Zotin e i shërbyen Baalit dhe Ashtarotës. 

14 Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe ai i la në duart e kusarëve, që i plaçkitën dhe i shitën tek armiqtë që i rrethonin. Izraelitët nuk mundën t'u bëjnë ballë armiqve. 

15 Kudo që shkonin dora e Zotit ishte kundër tyre dhe u sillte fatkeqësi, ashtu siç kishte thënë Zoti dhe ashtu siç u ishte përbetuar. Izraelitët ishin në mjerim të madh.

16 Atëherë Zoti nxori gjyqtarë, që t'i shpëtonin nga dora e kusarëve. 

17 Ata nuk i dëgjuan as gjyqtarët, por kurvëruan me perëndi të tjerë dhe përkuleshin para tyre. Shumë shpejt e lanë udhën ku kishin ecur etërit e tyre, që i kishin mbajtur urdhërimet e Zotit, dhe nuk vepruan si ata. 

18 Kur Zoti u jepte gjyqtarë, Zoti ishte me gjyqtarin dhe i çlironte nga dora e armiqve gjatë gjithë jetës së gjyqtarit. Zoti prekej nga rënkimet, shkaktuar nga ata që i shtypnin e i mundonin. 

19 Por, kur gjyqtari vdiste, ata kthenin sërish udhë dhe shthureshin më shumë se etërit e tyre, duke shkuar pas perëndive të tjerë, duke u shërbyer e duke u përkulur para tyre. Nuk hiqnin dorë aspak nga veprat e tyre dhe nga udha e tyre e mbrapshtë. 

20 Zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe ai tha: «Meqenëse ky komb e ka shkelur besëlidhjen që kisha bërë me etërit e tyre dhe nuk më është bindur, 

21 as unë nuk do të dëboj para tyre asnjë nga popujt, që la Jozuehu kur vdiq. 

22 Me anë të tyre do ta vë në provë Izraelin, që të shoh nëse do ta ruajnë apo jo udhën e Zotit, që të ecin nëpër të, ashtu siç bënë etërit e tyre». 

23 Kështu, Zoti i la këto kombe dhe nuk i dëboi shpejt e as nuk ia dorëzoi Jozuehut.



Në një artikull të botuar tek Gazeta “Wall Street Journal”, me titull “Përcaktimi i ri i Perëndisë”, gazetarja Lisa Miller trajtoi fenomenin e përkufizimeve të personalizuara për Perëndinë. 

Në të gjithë vendin, besimtarët po i japin një përkufizim të ri Perëndisë. Të pakënaqur me imazhet konvencionale të një hyjnie autoritare ose që kufizon lirinë, njerëzit po përqafojnë koncepte të çuditshme individuale për Zotin që iu përshtaten nevojave të tyre shpirtërore…

Ata po krijojnë një jetë shpirtërore, duke bërë një përzjerje nga një larmi ndikimesh fetare, së bashku me elemente të ndryshme nga yoga dhe nga psikoterapia, ose çfarëdo tjetër që ndikon tek ata.

“Njerëzit i kërkojnë këta perëndi të rinj në të njëjtën mënyrë si kërkojnë produkte të reja në treg,” thotë Randall Styers, asistent profesor në Seminarin Teologjik Union në New York. “Kjo është forma kulminante e individualizmit”.

Miller më pas jep një shembull nga një vend në qendër të Amerikës.

Merrni Ken Zweygardt, një avokat 43-vjeçar në Oskaloosa, Kansas. I rritur në një familje tradicionale Luterane, ai thotë se e imagjinonte Perëndinë si një “tip Santa Klaus”, një sigurues dhe gjykatës. Por ndërsa rritej në moshë, Z. Zweygardt ndihej i irrituar me kishën, dhe filloi të zgjohej mëngjeset e së dielës për të shkuar për peshkim dhe jo në kishë.

Sot, për të, prania e Perëndisë është të ndenjurit vetëm “në një liqen, duke parë mjegullën të ngrihet në agim, dhe duke dëgjuar zhurmën e ujit.” Kur ai u mëson fëmijëve të tij për Perëndinë, që tani janë dy dhe tre vjeç, ai i thotë, “Unë planifikoj t’i marr ata jashtë dhe t’ju them, “Ja këtu është Perëndia.”

Artikulli i Wall Street Journal sjell librin e Gjyqtarëve nga mjegullat e historisë antike, drejt e në shekullin njëzet e një.

Një Brez që Nuk e Njihte Perëndinë

Mbasi vdiq brezi që kishte pushtuar vendin e Kanaanit, u ngrit një brez tjetër “që nuk e njihte Perëndinë, as veprat që kishte bërë për Izraelin” (Gjyqtarët 2:10). Ky është një nga vargjet më pezmatuese në Bibël, dhe paraqet skenën për tërë librin e Gjyqtarëve, i cili na tregon se çfarë ndodh kur një brez rritet duke mos njohur Perëndinë.

Si mund të kishte ndodhur kjo vetëm në një brez? Ndoshta ishte për shkak se prindërit ishin të zënë me punë në një tokë të begatë. Këta njerëz e kishin parë Perëndinë të bënte gjëra të mrekullueshme në jetën e tyre, por ata duket qartë që e kishin neglizhuar edukimin e rregullt të fëmijëve të tyre, dhe brenda një brezi të vetëm njohja e Perëndisë kishte humbur!

Kështu që, këtu tek Gjyqtarët kemi një brez që lindi në prosperitet, të cilëve i’u dukej shumë tërheqëse kërkimi i kuptimit shpirtëror, por që nuk e njihnin Perëndinë apo ato që Ai kishte bërë. Kjo krizë në Izrael na kujton përparësitë tona. Ne duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë se kush është Perëndia, dhe çfarë Ai ka bërë. Këto janë thelbësore, dhe pa këtë njohuri besimi është i pamundur.

Siç thotë apostulli Pal, “Si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar?” (Romakëve 10:14). Të dish se kush është Perëndia dhe çfarë Ai ka bërë, duhet të jetë thelbi i të gjitha njohurive tona. Kur fëmijët tanë e mësojnë këtë, atëherë ata do të jenë në gjendje të reagojnë me besim dhe bindje kuptimplotë. U desh vetëm një brez që njohuria e Perëndisë të humbiste. Por ajo që mund të humbasë në një brez, mund të rikthehet tek brezi pasardhës. 

Duke Lëvizur Rreth e Rrotull 

Libri i Gjyqtarëve dokumenton një cikël ngjarjesh që përsëriten shumë herë gjatë një periudhe prej disa qindra vitesh. 

Së pari, njerëzit braktisën Perëndinë dhe iu drejtuan idhujve: “Bijtë e Izraelit bënë atë që ishte keq në sytë e Zotit dhe u vunë në shërbim të Baalit; ata braktisën Zotin… dhe adhuruan perëndi të tjera ndërmjet perëndive të popujve që i rrethonin, ranë përmbys para tyre” (Gjyqtarëve 2:11-12).

Së dyti, Perëndia u zemërua dhe e dorëzoi popullin e Tij në duart e armiqve të tyre: “Ata provokuan zemërimin e Zotit … Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit dhe e dha në dorë të kusarëve që e zhveshën” (Gjyqtarëve 2:12, 14).

Së treti, njerëzit i thirrën Perëndisë për ndihmë, dhe Perëndia ngriti udhëheqës ushtarak ose “gjyqtarë” për t’i çliruar ata, “Pastaj Zoti nxirrte gjyqtarë, që i lironin nga duart e atyre që i zhvishnin” (Gjyqtarët 2:16).

Së katërti, kur gjyqtari vdiste, njerëzit ktheheshin në rrugët e tyre të mëparshme, dhe i gjithë cikli rifillonte sërisht. Populli i Perëndisë po ecte rreth e rrotull në të njëjtin cikël—idhujtari, gjykim, vajtim para Zotit, çlirim, dhe përsëri përfundonin në idhujtari (Gjyqtarët 2:18-19).

Joshja e Idhujve 

Ndërsa lexon Dhjatën e Vjetër, do të ndeshesh vazhdimisht me temën e idhujtarisë. Mund të duket mjaft e largët, por fakti që ndeshemi me të aq shpesh, tregon se është e rëndësishme.

Artikulli i Wall Street Journal na jep një përkufizim të dobishëm të idhujtarisë: “[Njerëzit] po i japin një përkufizim të ri Perëndisë… [Ata] po përqafojnë koncepte të çuditshme, individuale të Zotit që u përshtaten nevojave të tyre shpirtërore.” Idhujtaria ka një fuqi joshëse të madhe, sepse të vë në një pozitë kontrolli. Supozo se ke shpikur një personazh imagjinar dhe ke vendosur ta quash atë “Wayne Ford”, një lloj përzierje e John Wayne dhe Harrison Ford. 

Ti vendos që Wayne do të jetë një eksplorues, dhe ulesh në kompjuter dhe fillon të shkruash për të. Wayne është i fortë dhe muskuloz. Ai ka mustaqe të zeza… Jo, prit! E fshin këtë. Ai ka mustaqe kafe.

Ti përshkruan takimin e Wayne me një ari në mes të maleve shkëmbore. Por më pas, vendos që ke nevojë për pak romancë në histori, kështu që i jep Wayne-it një edhe një anë të ndjeshme. Nën atë pamje të jashtme, të ashpër, dhe të fortë, gjatë gjithë jetës së tij Wayne ka qenë në kërkim të dashurisë së vërtetë.

Ndërsa ndërton historinë, ti ke absolutisht çdo gjë nën kontroll. Wayne është nën fuqinë tënde. Ti mund ta bësh personazhin që ti dëshiron që të jetë, dhe ai do të bëjë gjithçka që ti dëshiron. Kjo është edhe joshja e idhujtarisë. Në vend që të adhurojnë Perëndinë e gjallë, shumë njerëz preferojnë të krijojnë një perëndi që i përshtatet nevojave të tyre shpirtërore.

Shpikja e një personazhi është e pranueshme kur shkruhet një roman, por përpiqu ta bësh këtë me një person të vërtetë, dhe do ta gjesh veten në gjykatë për shpifje apo njollosje të karakterit! Idhujtaria ka fuqi joshëse të mëdha, por gjithashtu është edhe thellësisht fyese.

Perëndia i përgjigjet idhujtarisë sonë duke thënë: “Unë jam Ai që jam.” “Ti nuk mund të krijosh një përkufizim të ri për Mua, dhe nëse përpiqesh ta bësh këtë, unë do të heq mbrojtjen Time dhe do të të dorëzoj në duart e armiqve të tu.” Nëse ne ndjekim idhujt, Perëndia do të na lejojë të jetojmë me pasojat e zgjedhjeve tona. Por faleminderit Perëndisë që ky nuk është fundi i historisë.

Perëndia që Çliron

Idhujt mund të jenë joshës, sepse ne jemi ata që i krijojmë ata, por ata janë të pafuqishëm, sepse nuk janë asgjë më shumë se fryti i imagjinatës sonë. Kështu që, kur populli i Perëndisë u mposht nga armiqtë e tyre, ata u kthyen tek Perëndia dhe i thirrën Atij për ndihmë. Zoti ngriti gjyqtarët. Fryma e Zotit erdhi mbi Othnielin, Ehudin, Shamgarin, Debora, Barakun, Gedeonin, dhe Samsonin, duke i mundësuar ata të çlirojnë popullin e Perëndisë.

Në përfundimin e artikullit të saj në Wall Street Journal, Lisa Miller shkroi: “Këto janë kohë relativisht paqësore dhe me prosperitet. Prandaj, edhe pse shumë Amerikanë kërkojnë lidhje më të thella me Perëndinë, ata nuk po përballen me llojet e krizave që shpesh i shtyjnë njerëzit të kërkojnë mbrojtje ose shpëtim nga lart… Kohët e vështira ose vështirësitë e papritura, mund të ndryshojnë të gjithë këtë situatë me shpejtësi…nuk ka rëndësi sa të gjera apo të çuditshme janë konceptet e njerëzve për Perëndinë, ata gjithmonë rikthehen tek Perëndia Atë, kur jeta bëhet e vështirë.”

Kjo është pikërisht ajo që mësojmë në librin e Gjyqtarëve. Kur gjërat vështirësohen, pyetja bëhet shumë e thjeshtë: “A ka ndonjë Perëndi që është në gjendje të të ndihmojë?” Kur kjo është pyetja, idhujt nuk janë më joshës. Ata mund të jenë të përshtatshëm sepse nuk bëjnë kërkesa morale, por kur je në një krizë, si do të të ndihmojë nëse i thërret një figure të vetë imagjinatës tënde?

Teksa lexon në librin e Gjyqtarëve, është e qartë se ndërsa këta udhëheqës arrinin gjëra të jashtëzakonshme, ata gjithashtu kishin kufizime të rëndësishme. Shumica prej tyre kishin një mungesë të fortë në karakter. Ehudi duket si një vrasës frikacak (Gjykatësit 3:12-23). Gideonit i mungonte aq shumë besimi, saqë i duhej të vërtetonte disa herë atë që Perëndia po i thoshte të bënte (6:36-40). Jefteu bëri një zgjedhje katastrofike që përfshinte flijimin e bijës së tij (11: 30-40). Dështimet morale të Samsonit, janë bërë tashmë legjendare (Gjykatësit 14-16). Në këtë libër nuk ke asnjë person që mund ta admirosh me të vërtetë.

Leximi përmes librit të Gjyqtarëve do të të bëjë të mendosh, “Ne kemi nevojë për një çlirues më të mirë! Dhe Jezusi është çliruesi që kemi nevojë”. Kontrasti midis Jezusit dhe gjyqtarëve është i mrekullueshëm. Gjyqtarët lanë gjurmë duke marrë jetën e të tjerëve; Jezusi erdhi për të dhënë jetën e tij për ne. Gjyqtarët u morën me rrethanat e jashtme të popullit të Perëndisë, ndërsa Jezusi u përqëndrua tek zemra. Arritjet e gjyqtarëve ishin jetëshkurtra; çlirimi që sjell Jezusi zgjat përgjithmonë.  

Nëse e përkufizon Perëndinë ashtu siç ti dëshiron që Ai të jetë, kjo vetëm do të bëjë që jeta jote të rrotullohet rreth e përqark në të njëjtin vend, ashtu siç ndodhi dhe tek libri i Gjyqtarëve. Jezusi erdhi që ta prishte atë cikël. Ai është çliruesi i shkëlqyeshëm, dhe Ai është në gjendje të të shpëtojë nga një udhëtim bosh, në të cilin nuk do të përparosh kurrë, duke të bërë të njohësh se kush është Perëndia, dhe çfarë Ai ka bërë.

Një Shteg i Hapur

Idhujtari do të thotë t’i japësh një përkufizim të ri Perëndisë. Përgjatë shekujve, njerëzit kanë zgjedhur vazhdimisht të shpikin perënditë e tyre, në vend që të përkulen përpara Perëndisë të gjallë. Perënditë që ne krijojmë janë joshës, sepse jemi vetë ne që mund t’i kontrollojmë ata, por ata ekzistojnë vetëm në mendjet tona dhe janë të pafuqishëm për të na çliruar nga mëkati, vdekja dhe ferri. Vetëm Perëndia mund të na çlirojë, dhe kjo është arsyeja pse Ai e dërgoi Birin e Tij në botë.



Pyetje Diskutimi

Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.

Romakëve 15:4

Gjithçka që u shkrua më parë, u shkrua për mësimin tonë.

Zbulesa 1:3

Lum ai që i lexon dhe lum ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie.

Romakëve 10:14

Por, si do ta thërrasin atë të cilit nuk i besuan? Dhe si mund t’i besojnë atij për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë nëse nuk ka njeri t’u predikojë?